Lajme

Banka Botërore: Rritja ekonomike në Kosovë pritet të përshpejtohet në vitin 2024

Pas ngadalësimit në vitin 2023, rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të kalojë në përshpejtim të moderuar në vitin 2024 duke arritur në tre për qind përballë rimëkëmbjes së vazhdueshme në Bashkimin Evropian, partneri kryesor tregtar i rajonit, ndërkohë që inflacioni më i ulët duhet të ndihmojë në forcimin e të hyrave të disponueshme dhe mbështetjen e konsumit, thotë Raporti i ri Ekonomik i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, i publikuar sot.

Shkalla e rritjes rajonale në vitin 2024, edhe pse më e shpejtë se në vitin 2023, mund të jetë 0.1 për qind më e ulët seç ishte parashikuar nga Banka Botërore në edicionin e mëparshëm të raportit në muajin prill. Projeksioni i rritjes për vitin 2025 është mbajtur i pandryshuar në 3.5 për qind.

“Rimëkëmbja dhe kthimi në nivelet para pandemisë vijnë me dallime ndërmjet vendeve. Rritja në Mal të Zi dhe Shqipëri ishte më e fortë seç pritej në vitin 2023, e nxitur nga një sezon i fortë turistik, ndër faktorët e tjerë, dhe mund të ngadalësohet pak në vitin 2024.

Rritja në Serbi, Maqedoni të Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë parashikohet të përshpejtohet në vitin 2024, e mbështetur nga rritja e konsumit dhe e investimeve”, thuhet në raport.

“Përkundër goditjeve të shumta që përjetuan ekonomitë evropiane, Ballkani Perëndimor ishte në gjendje të rritej, të krijojë vende të reja pune dhe të reduktojë varfërinë në nivelet më të ulëta të regjistruara, duke dëshmuar themelet e forta ekonomike të rajonit”, tha Xiaoqing Yu, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut tha se është inkurajuese që Ballkani Perëndimor vazhdon të përparojë drejt uljes së hendekut me ekonomitë e përparuara të Bashkimit Evropian.

“Megjithatë, konvergjenca po ecën me shpejtësi të ndryshme në ekonomi të ndryshme, çka kërkon reforma efektive për të konsoliduar rimëkëmbjen drejt rritjes së qëndrueshme”.

Lexo më shumë  Hiqet masa e arrestit në shtëpi për kreun e opozitës Sali Bershia

Në Kosovë, si kudo në Ballkanin Perëndimor, përballë kushteve të jashtme sfiduese, rritja reale e BPV-së u ngadalësua, por mbetet pozitive. Aktiviteti ekonomik pritet të zgjerohet me 3.2 për qind gjatë vitit 2023. Inflacioni ka qenë në rënie të vazhdueshme nga kulmi i tij prej 14.2 për qind në korrik 2022, por presionet mbi çmime mbeten të larta.

Perspektiva afatmesme mbetet pozitive, në kontekstin e një pasigurie të lartë. Kontributi i investimeve në rritjen ekonomike pritet të jetë më i lartë në periudhën 2024-2025, i mbështetur nga rritja e investimeve në infrastrukturë publike, përfshirë këtu edhe projektet me financimit të jashtëm, si dhe investimet më të larta publike dhe private në kapacitete prodhuese dhe në efiçiencë të energjisë.

“Për Kosovën, është i domosdoshëm zbatimi në kohë dhe efektiv i Strategjisë së re të Energjisë duke ruajtur stabilitetin fiskal, krahas nevojës për të reduktuar hendekun që Kosova ka në infrastrukturën e sektorit të ujërave, mbeturinave dhe ndërlidhjes [transportit ndërkombëtar]”, tha ai.

“Rritja e shkallës së investimeve në kapital njerëzor dhe përfshirja më e madhe e grave joaktive në tregun e punës, duke reduktuar barrierat për pjesëmarrje, gjithashtu duke rritur qasjen në shërbimet e kujdesit për fëmijë, janë një parakusht për të çliruar potencialin për rritje më të lartë ekonomike”, shtoi ai.

Më tej në raport thuhet se në vitin 2023, tregu i punës në Ballkanin Perëndimor vazhdoj të forcohej, përkundër të gjitha gjasave. Shkalla mesatare e punësimit në rajon arriti nivelin e ri historik në pothuajse 48 për qind, me 103,000 vende të tjera pune të krijuara nga mesi i 2022 deri në mes të vitit 2023. Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi patën përfitimet më të larta.

Lexo më shumë  Maqedonci jep detaje për procesin e hapjes së fabrikës për prodhimin e municioneve dhe laboratorin për dizejnimin e dronëve

Në të njëjtën kohë, mungesa e fuqisë punëtore vazhdon të jetë ndër shqetësimet kryesore të ngritura nga bizneset në Ballkanin Perëndimor.

Përkundër momentumit në vitet pas pandemisë, pjesëmarrja në fuqinë punëtore mbetet e ulët dhe, së bashku me hendekët e konsiderueshëm gjinorë, po kufizon uljen e mëtejshme të varfërisë.

Sipas raportit, rajoni duhet jo vetëm të adresojë barrierat ndaj pjesëmarrjes më të madhe në fuqinë punëtore, por gjithashtu të përshpejtojë konvergjencën ekonomike me ekonomitë më të përparuara të Evropës. Këto përpjekje duhet të plotësohen me hapa të përshpejtuar në tranzicionin e gjelbër dhe me më shumë investime për të rritur reziliencën ndaj fatkeqësive natyrore, duke përfshirë bujqësinë.

“Bujqësia është një nga sektorët më të prekur nga thatësira, shkurtimi i stinëve dhe modelet e paparashikueshme të motit. Mbrojtja e bujqësisë nga rreziqet natyrore dhe bërja e saj më e qëndrueshme do t’u mundësonte ekonomive të Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë rritjen e produktivitetit bujqësor përkundër problemeve nga ndryshimi i klimës dhe të jenë në gjendje të prodhojnë në mënyrë të qëndrueshme më shumë ushqime me cilësi të lartë për qëllime të brendshme, por edhe për eksporte, përfshirë në BE”, tha Natasha Rovo, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe autore udhëheqëse e raportit.

“Kjo kërkon përmirësimin e politikave publike dhe investimeve për rritje të përvetësimit të gjerë nga fermerët të teknologjive dhe praktikave të mençura për klimën, mbështetur nga institucione publike më të forta, kritike për rritjen e qëndrueshme bujqësore”.

Ndërkohë që po zvogëlohen përmasat e sektorit të bujqësisë në rajon, ai mbetet shumë i rëndësishëm, për shembull duke punësuar nga 7 deri në 35 për qind të popullsisë në të gjashtë vendet.

‘Gjelbërimi i bujqësisë’ ofron një mundësi për të rritur produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe reziliencën e sektorit, duke i përdorur efektivisht fondet publike të disponueshme, njohuritë dhe inovacionin.

Rruga Press

YouTube player