Banka Botërorë kritikon reformën e PS-së: Ndarja territoriale e 2014-tës përkeqësoi shërbimet publike në zonat rurale
Reforma e decentralizimit në vitin 2014 transferoi përgjegjësinë për ofrimin e shërbimeve publike nga qeveria qendrore tek autoritetet lokale. Fillimisht fryma e kësaj nisme ishte pozitive, por zbatimi i saj ka qenë i gabuar, pasi rezultoi në shërbime publike të mangëta në zonat me nevoja të mëdha, analizoi Banka Botërore në dokumentin e ri të bashkëpunimit me Shqipërinë 2023-2027.
Pas reformës së decentralizimit, që reduktoi numrin e bashkive në 61 dhe shkriu më shumë se 340 komuna në të gjithë vendin, furnizimi me ujë, kanalizimet, menaxhimi i mbetjeve, arsimi, kujdesi për fëmijët dhe reagimi ndaj fatkeqësive natyrore u përkeqësua.
“Për shembull, mungesa e ofrimit të shërbimeve të kujdesit për fëmijët dhe gratë shkatërroi aftësinë e tyre për të marrë pjesë në aktivitetet ekonomike. Për më tepër, shumica e autoriteteve vendore kanë rezultuar të paaftë për të rritur kapacitetin operacional dhe financiar për të menaxhuar dhe ofruar shërbime në mënyrë vazhdueshme. Rezultati ishte në mungesa në shërbime me cilësi e ulët e tyre” analizoi Banka Botërore.
Mangësitë në koordinim me pushtetin qendror, mungesa të standardeve dhe mekanizmave të llogaridhënies kanë kontribuar në vazhdimësinë e këtyre mangësive, të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë negativ në kapitalin njerëzor, mjedisin, dhe mundësitë ekonomike. Banka vuri në dukje se këto mangësi janë shkak themelor i disa sfidave të zhvillimit.
Ofrimi i shërbimeve publike në përgjithësi është i mangët, por veçanërisht mungesat më të mëdha janë në zonat rurale. Mungesa e ofrimit të shërbimeve në zonat rurale nga njësitë e reja vendore që dolën nga reforma territoriale ka ndikuar në krijimin e pabarazive. Ndërsa zonat urbane përfitojnë nga mbulimi relativisht më i lartë i shërbimeve publike, nga ana tjetër cilësia është e dobët dhe ka krijuar më tej kosto sociale dhe mjedisore.
Ndotja, mbipopullimi dhe planifikimi i mangët gërryejnë më tej cilësinë e jetës në zonat urbane. Mangësitë në menaxhimi i mbetjeve të ngurta dhe ujërave të zeza po kufizon aksesin e popullatës në shërbimet e duhura të menaxhimit të mbetjeve të ngurta, si dhe aksesin në ujë me cilësi të mirë.
Banka Botërore ka planifikuar në marrëveshjen e re të bashkëpunimit mbështetje për menaxhimin e ujit dhe mbetjeve, modernizimin e sektorit të ujit me fokus qëndrueshmërinë dhe furnizim të rregullt.
Do të synohet rritja e efikasitetit operacional dhe financiar të shoqërive të ujësjellësit, duke vendosur stimuj për përformancën. Programet e reja të BB do të monitorojnë se sa janë përmirësuar shërbimet, veçanërisht gratë dhe banorët e zonave rurale.
Projekti “CARE for Blue Seas” do të kontribuojë në forcimin e llogaridhënies për menaxhimin e kanalizimeve dhe mbetjeve të ngurta në basenin e lumit Vjosë dhe mbetjeve në komunat e Jugut të Vlorës.
Do të rritet menaxhimi i mbetjeve plastike, duke përfshirë promovimin e zgjidhjeve nga sektori privat. IFC do eksplorojë mundësitë për të zgjeruar Programin e Trajtimit të Ujërave të Zeza në Ballkanit Perëndimor ku do të përfshihet edhe Shqipëria./Monitor
Rruga Press