KryesoreLajme

“Banimi i përballueshëm”, Qeveria e Kosovës arrin marrëveshje për studim fizibiliteti

Është bërë hapi i parë për projektin e banimit të përballueshëm. Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje me Korporatën Ndërkombëtare Financiare për Evropën Qendrore dhe Juglindore për bashkëpunim për studimin e fizibilitetit për këtë projekt, të martën.

Sipas ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, me këtë nënshkrim ka nisur të realizohet premtimi i Vetëvendosjes për banim të përballueshëm.

“Qëllimi ynë është që të adresojmë një nga nevojat më urgjente të qytetarëve tanë, që është banimi i përballueshëm. Pasja e banesave cilësore me çmime të përballueshme jo vetëm që do të përmirësojë cilësinë e jetës së tyre, por gjithashtu do të ndihmojë në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe rritjes së qëndrueshme në Republikën e Kosovës. Studimi i fizibilitetit është hapi i parë i punës për rritjen e mundësive për banim të përballueshëm për ndërtimin e 4,000 njësive banimi moderne me çmime të përballueshme, të ndërtuara në mënyrë të qëndrueshme, duke kontribuar kështu në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë”, ka thënë ai në një shkrim në Facebook.

Lexo më shumë  Në shënimin e 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Kurti: Sot e kemi shumë të lehtë të jemi bashkë

Aliu ka thënë se synimi është që qytetarëve t’u mundësohet të zotërojnë banesa cilësore me çmime të përballueshme për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik.

Plani i Qeverisë është për ndërtimin e 4000 njësive banimi moderne. Fillimisht ato do të jenë të destinuara për punonjësit e sektorit publik.

Ndërkaq nga IFC-ja kanë thënë se po ndihmohet në përmirësimin e jetës së banorëve.

Lexo më shumë  28 Nëntori festohet edhe në Malin e Zi, në “Sheshin Skënderbeu” vendoset monumenti i Gjergj Kastriotit

“Ekipi i IFC-së do të punojë me qeverinë për kryerjen e hulumtimeve paraprake për projektin, i cili do të përfshijë një vlerësim të të përgjithshëm të tregut dhe analizë fizibiliteti, si dhe analiza teknike dhe ligjore. Ekipi do të hulumtojë gjithashtu qëndrueshmërinë e shfrytëzimit afatgjatë të sipërfaqeve të tokës të zgjedhura nga qeveria, do të krahasojë projekte banimi të përballueshme në vende të tjera për të ofruar rekomandime dhe zhvilluar një sërë modelesh zbatimi për një shfrytëzim më të mirë të burimeve publike”, thuhet në një njoftim të IFC-së.

IFC-ja ka thënë se projekti do të ndihmojë edhe në krijimin e vendeve të punës.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *