Ballkanit Perëndimor i kërkohet ta ketë prioritet energjinë e ripërtritshme
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shprehur përkushtimin e tyre për tranzicion drejt energjisë së gjelbër.
Në Samitin e pestë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, iu kërkua që të kenë prioritet energjinë e ripërtëritshme.
“Dekarbonizimi është kritik për Ballkanin Perëndimor. Çdo qeveri duhet ta ketë prioritet numër një plan për të hequr dorë nga qymyri pa kompromentuar sigurinë energjetike”, tha presidentja e BERZH-it, Odile Renaud-Basso.
Në këtë Samit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova është duke hartuar strategjinë për energji dhe për burime të qëndrueshme të energjisë.
“Ne do të fokusohemi në diversifikim, decentralizim dhe efikasitet. Por, në të njëjtën kohë ne do të na duhet të bëjmë ndërhyrje në termocentralet ekzistuese në mënyrë që të zvogëlojmë ndotjen. Energjia diellore dhe me erë kanë potencial në Kosovë dhe ne planifikojmë që të bashkëpunojmë ngushtë me sektorin privat”, tha Kurti.
Ka përmendur edhe bashkëpunimin me Shqipërinë në aspektin energjetik. Në aspektin e lidhjes infrastrukturore ka përmendur ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë dhe hekurudhën Prishtinë-Durrës.
Ndërkohë, Shqipëria, sipas kryeministrit Edi Rama, është krejtësisht e varur nga energjia që prodhohet me ujë, por theksoi se po punojnë që të diversifikojë burimet e saj të energjisë.
“Po bëjmë investime në energjinë diellore po përgatitim investime ën energjinë e erë, por përpjekja më e madhe sërisht drejtohet për nga energjia hibride për të plotësuar sistemin në mënyrë të tillë që do të na bëjë ne të pavarur në aspektin energjetik”, tha Edi Rama.
Përveç Shqipërisë, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor varen nga prodhimi i energjisë me thëngjill.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se ka shumë sfida drejt kalimit në energji të gjelbër, por ajo shtoi se me investime në këtë sektor, mund të arrihet drejt këtij qëllimi.
Edhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, ka thënë se kanë nisur projektet e mëdha energjetike, përfshirë transformimin e minierave të linjitit, por edhe kanë një projekt të madh të ndërtimit të një hidrocentrali.
I pranishëm në Samit ishte edhe komisionari për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhely, i cili tha se mbetet i përkushtuar që Ballkani Perëndimor të integrohet në BE.
Sa i përket luftës në Ukrainë, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi shprehën solidaritetin me Ukrainën. Ndërsa, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk u deklaruan në këtë temë.
BERZH-i deri tani ka investuar mbi 15 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor.
Rruga Press