“Ballkani i Hapur”, Kraja: Anketave të Edi Ramës unë nuk iu besoj
Në fillim të këtij muaji, kryeministri shqiptar, Edi Rama prezantoi një anketë e cila thoshte se 59 përqind ose 303 mijë qytetarë të Shqipërisë përkrahën nismën e “Ballkanit të Hapur”.
Shefi i qeverisë shqiptare duke i prezantuar shifrat tha se “Ballkani i Hapur” është në “interes edhe të Kosovës, por unë jam udhëheqës i Shqipërisë dhe nuk dua t’i jap këshilla të pakërkuara Kosovës”.
Por, këtyre shifrave nuk po u beson kryeakademiku në Kosovës, Mehmet Kraja. Ai ka ngritë hipotezën se shifrat e prezantuara nga Edi Rama mund të jenë manipuluar.
“Asnjëherë nuk mund të mbështetësh në një anketë të cilën e bën qeveria, sepse ajo ka mekanizma që i zgjedh respodentet, ashtu siç e ka bërë Edi Rama herëve tjera me zgjedhje, e bën edhe këtë”, thotë Kraja.
“Në zgjedhje i ka pasur të dhënat e një milion shqiptarëve si evidencë. Një pushtet i tillë, nëse vjedh të dhëna personale të rreth një milion njerëzve, atëherë krejtësisht është e lehtë që ai të bëjë edhe anketa çfarë të dojë vetë dhe me ato anketa t’i manipuloj si të dojë vetë. Pra, anketave të Edi Ramës unë nuk iu besoj”, deklaron kreu i ASHAK-së.
Nisma “Ballkani i Hapur” sipas Krajës e përjashton Kosovën. Këtë, thotë kryeakadamiku, kryeministri shqiptar nuk ua ka shpjeguar qytetarëve në Shqipëri.
“Sepse Edi Rama nuk ua ka shpjeguar, e ka manipuluar opinionin e Shqipërisë rreth “Ballkanit të Hapur”, u ka thënë se përfitojmë, përfitojmë, tregu i lirë, tregu i lirë dhe kjo i ka interesuar qytetarit të Shqipërisë”, tha ai për Kallxo.com.
“Nuk ka thënë (Edi Rama) asnjëherë që Kosova po anashkalohet, po vihet në situatë të pabarabartë, nuk ua ka thënë as nuk ka për t’ua thënë asnjëherë. Ky është problemi i Edi Ramës në Shqipëri, sepse ai në mënyrë selektive shpjegon opinionin, nuk shpjegon atë që duhet, rreth Kosovës në veçanti, por thotë vetëm atë që mendon ai. Ballkani i Hapur e anashkalon Kosovën dhe Edi Rama nuk ia ka thënë këtë asnjëherë popullit të vet”, deklaron Mehet Kraja./Kallxo
Rruga Press