KryesoreOpinion/Aktualitet

“Ballkani i hapur” është “Procesi i Berlinit” alla ballkanase

Shkruan Sebastian Zonja

Projekte për një paqe afatgjatë në Ballkan ka pasur me dhjetra, e thuajse të gjithë kanë dështuar prej faktit se liderët vendorë kanë qenë të painteresuar për t’i zbatuar detyrat e shtëpisë. Studimet tregojnë se një nga arsyet e tjera të dështimit është se nuk ndërtohet demokracia dhe fqinjësia e mirë me organizata jo qeveritare.

Një ndër projektet e para të rëndësishme për rajonin është Pakti i Stabilitetit , në Këln të Gjermanisë, në vitin 1999. Më herët ka pasur projekte të tjera, fiks si ky “Open Balkans” sot – Iniciativa e Evropës Qëndrore (CEI); Konferenca për fqinjësi të mirë; Procesi Royaumont (RP, 1995); Iniciativa e Evropës juglindore për bashkëpunim (SECI, 1995); Qasja rajonale e BE-së (RA-EU, 1996); Stabiliteti, Siguria dhe Bashkëpunimi në EJL (CSEE, 1996) dhe Procesi i bashkëpunimit në EJL (SEECP, 1996).

Samiti i Selanikut, në vitin 2003, vjen në këtë kuadër, ku Greqia kërkonte të merrte primacinë në Ballkan. Nuk funksionoi. Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Moldavia, Rumania dhe Serbi-Mali i Zi asokohe, që ishin në fillim në Këln në kuadër të Evopës Juglindore, ndërtuan secili motorët e vet për reforma që të bëheshin pjesë e BE-së. Duhet thënë se të tjerët, mirë apo keq, ndërtuan një lloj demokracie dhe një farë ekonomie, por Shqipëria sot e kësaj dite nuk ka me ligj ende “minimumin jetik”.

Pasi një pjesë u fut në Bashkimin Europian se ndërmori reforma të rëndësishme, ngelën “të damkosurit” jashtë, që me manovra të ndryshme u quajtën vendet e Ballkanit Perëndimor, BP6.

Ndihma që na dha Greqia kjo ishte – na devijoi të gjitha projektet europiane; Kosovën s’e njohu kurrë, dhe bëri çorap krejt rajonin me megalomaninë e saj. Pushtetarët tanë të atyre viteve kënaqeshin nga vizitat në Athinë dhe me deklarata të tipit: Rruga për në Bruksel kalon nga Athina, ndërsa të gjithë e dimë se Berlini ishte dera hyrëse për në Bashkimin Europian.

Pas gjithë kësaj tollovie, për të demokratizuar dhe afruar me Bashkimin Europian vendet e Ballkanit Perëndimor, Berlini ndërmerr një nismë të quajtur “Procesi i Berlinit”. Duke e pasur të qartë se ku synon, Berlini me anë të këtij projekti e izolon Ballkanin nga fuqitë e treta, që në rastin tonë është Kina e konsideruar si kërcënim financiar dhe Rusia që konsiderohet nga BE-ja si problem i sigurisë, sikundër edhe i jep orientimin e qartë rajonit se pikësynimi është Bashkimi Europian.

Menjëherë, duke gjykuar nga historia se Gjermania ka një qëndrim pro-shqiptar dhe Franca një qendrim pro-serb, vlen të sjellim në vëmendje se Parisi zyrtar tentoi të ndryshonte skemën e Berlinit – vendet duhet të bëhen pjesë e BE-së në bazë të meritës, jo të gjithë si rajon, tha Parisi.

Një strategji e këtillë do ta hidhte në erë çështjen shqiptare, se Serbia përpara Shqipërisë në B.E, do të thotë se minohet stabiliteti ballkanik. Por shqiptarët e dinë mirë se Parisi, për interesa të veta, ka qenë dhe mbetet gjithnjë zëdhënës i mirë i interesave serbe në rajon. Ndaj shqiptarët e dinë shkëlqyeshëm se ku duhet t’i zhvillojnë takimet e të kenë interes të shtuar për të mbrojtur interesat e veta – Washinton, Berlin.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

Vendet që morën pjesë në këtë Proces të Berlinit, thuajse nuk bënë asnjë prej detyrave të shtëpisë, sepse sa erdhi e u rrit autoritarizmi, korrupsioni dhe si gjithnjë edhe presionet. Duhet të sjellim në vëmendje deklaratat e kryeministrit Rama se po nuk na hapët derën do vijnë të na marrin fuqi të treta.

Procesi i Berlinit, në gjykimin tim, ka edhe një rëndësi tjetër madhore, sepse i jep udhën e zgjidhjes problematikës Kosovë – Serbi.

Sipas mendimit tim, është pikërisht mënyra se si arritën të futeshin në OKB si Gjermania Lindore dhe ajo Perëndimore, RFGJ dhe RDGJ. Për ta shpjeguar në kuadrin diplomatik dhe juridik do të duhej një artikull tjetër shumë i gjatë, por pak a shumë, Amerika mbështeste RFGJ-në, Bashkimi Sovjetik RDGJ-në dhe marrëveshja u arrit ku palët nuk pengonin njëra – tjetrën që të hynin në Organizata Ndërkombëtare (Lexo Marrëveshjen e Washingtonit, është njëra prej pikave).

Në rastin tonë, vlen të themi se gjermanët e kanë të qartë se ku duan të mbërrijnë, referencat nuk mungojnë, dhe Europa di të bëjë diplomaci, ka 2000 vjet që bën diplomaci. Rasti më problematik për problemin Kosovë – Serbi do të ishte nëse pas të Dërguarit Special amerikan do të kishte edhe një të dërguar rus, kjo në kuadër të faktit se primacia e bisedimeve doli nga Brukseli zyrtar kur amerikanët sollën R. Grenellin, sikundër ishte mandatuar në Këshillin e Sigurimit, dhe kjo udhë do të na çonte më pas në zgjidhjen e çështjes me anë të një Konference Ndërkombëtare, ku pjesëmarrë do të ishin anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Pikërisht kjo është pika të cilën duhet të punojnë fort diplomatët shqiptarë për ta shmangur. Nuk ka pikë rëndësie nëse i themi Vuçiçit në sy a mbrapa krahëve se ai i ka shërbyer Milosheviçit, se kjo është veç propagandë, sa është e rëndësishme të kemi gati një plan A, B apo C për të mos e dërguar Kosovën në një konferencë ndërkombëtare.

Sa i përket “Minishengenit” apo “Open Balkans”, meqënëse asnjëri prej vendeve nuk përmbushi kërkesat e Berlinit zyrtar për indekset e demokracisë dhe të bashkëpunimit rajonal, BE-ja preu financat për këto vende. Për t’i bërë presion BE-së për ca më shumë para, Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia nisën një proces të emërtuar javën e fundit të korrikut në Shkup, “Open Balkans”. Është i disati në radhë. As i pari, as i fundit. Për t’i bërë presion Europës është e intresuara edhe Amerika. Sepse, sa më e dobët të jetë Europa në kufijtë e saj, aq më shumë ka nevojë për ndihmën amerikane. Ndaj, ngjan se në formën e kërcënimit, projekti ka edhe bekimin e amerikanëve.

Vlen të theksohet se Serbia është pjesë e traktateve tregëtare me Kinën dhe me Rusinë, çka do të sillte që edhe ne, ipso juro, të bëheshim pjesë e kësaj marrëveshjeje për t’u hapur me Lindjen.

Por duhet thënë se në asnjë vend të NATO-s nuk ka investime ruso – kineze në sektorë strategjikë. Së fundmi ne hoqëm kinezët nga aeroporti “Nënë Tereza”, projektin energjitik të Skavicës e morën vetë amerikanët, dhe nuk kemi lejuar investime ruse në bregdet sikundër Mali i Zi, ku tashmë sipas medieve vendase shteti është duke i riblerë ato hotele të ndërtuara nga oligarkët rusë. Rusët janë të bllokuar në rrugë tregëtare për të sjellë mallëra në Ballkan. I bie që duhet t’i sjellin me avion. Plus, Rusia nuk është ndonjë superfuqi ekonomike që mbyt Ballkanin. Kina po. Ndaj, porti i Durrësit duhet zhvilluar doemos për të balancuar atë kinez në Pire, në të kundërt, çdo projekt për ta tjetërsuar do të thotë se po bëjmë vetëvrasje si vend.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

Sa i përket pushtimit tregëtar të Serbisë duhet thënë se thjesht fare mund të bojkotohen ato mallra dhe nuk pushtohemi. Sepse, ankohemi nëpër rrjete sociale, por kemi 20 vjet që hanë miell serb dhe nuk bzajmë. Pse i janë këputur krahët myzeqarit, apo s’prodhon grurë toka jonë. Po nafta pse nuk subvencionohet? Problemi është se oligarku që ka lidhje me Serbinë dhe Maqedoninë merr mall atje dhe nuk lejohet që të konkurojë ndershëm me tregëtarët e tjerë. Shqiptarët e ndershëm e patriotë, në Kosovë e Shqipëri, pa shumë zhurmë nëpër faqe Facebooku, thjesht mund të bëjnë bojkot. Së pari oligarkut vendas, qeverisë së tyre, pastaj politikës së madhe ballkanike.

Sipas meje, i vetmi problem që paraqitet në këtë mes është fakti që Ballkani po i bën shantazh BE-së për përfitime të veta, sepse në horizont nuk ka kërcënim të fort rus dhe kinez.

Cili është përfitimi?

  • Mund të marrim disa fonde më shumë nga Bashkimi Europian.
  • Rikonfirmohet në vjeshtë nga Parisi apo Berlini fokusi i BE-së për Ballkanin perëndimor me projekte të rëndësishme.

Cilat janë humbjet?

  • Europianët me të vërtetë janë të pafuqishëm përballë amerikanëve, por nuk kanë dhe aq qejf që t’i bësh presione të këtij lloji.
  • I bëhet presion i padrejtë Kosovës, Bosnjes dhe Malit të zi për të hyrë në proces kur kanë probleme akute me Serbinë.

Tre vende të Ballkanit Perëndimor kanë zgjedhur që të rrinë në kuadrin e Procesit të Berlinit.

Tre të tjerët kanë zgjedhur që t’i bëjnë presion Europës për më shumë para dhe anëtarësim më të shpejtë.

Kjo është taktikë politike, ku disa e vlerësojnë, disa jo, por duhet thënë diçka – kryeministri Edi Rama deklaroi para disa kohësh se “jam lypësi më i mirë për Shqipërinë”. Po, zoti kryeministër, edhe populli ka shprehjen “Lypja ka faqen e zezë, por s’të le pa gjë”. Por, duhet të kuptosh se kemi edhe ca dinjitet, se s’mund të marrësh nëpër këmbë, për ca para më tepër, apo përfitime të qeverisë tënde, vuajtjet e shqiptarëve. Kroatët, këtu afër nesh, s’e bëjnë, z. Kryeministër, dhe janë për t’u respektuar.

Nuk mbulohet korrupsioni dhe autokracia me nisma të këtilla dhe presione për ca euro më tepër, se nuk mbulohet dielli me shoshë, z. Kryeministër!

Respektoji pak më shumë shqiptarët, z. Kryeministër! S’jemi të gjithë lypësa. E dimë që në fund do na thoni se edhe Minishengeni ishte në kuadër të Procesit të Berlinit, por deri atëherë dëmi është bërë, se ti dhe shpura jote jetojnë mbi dafina, e shqiptarët kanë 30 vjet që s’u sanksionohet as “minimum jetik”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *