Baerbocku: Të hapim përfundimisht negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut deri në qershor
Negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të hapen në gjysmën e parë të këtij viti. Kështu deklaroi ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, pas mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mos zhgënjejmë jo vetëm Ukrainën, por edhe vendet që kanë parë prej kohësh të ardhmen e tyre në Bashkimin Evropian dhe të mbajmë premtimin tonë për anëtarësim në BE. Kjo do të thotë vendet e Ballkanit Perëndimor, para së gjithash, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Është përgjegjësia jonë që përfundimisht të hapim negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në gjysmën e parë të këtij viti. Ky është një hap i vonuar”, tha ministrja e Jashtme.
Ajo tha se ka zhvilluar një bisedë dypalëshe me ministrin e Jashtëm bullgar dhe ka shprehur shpresën se pikat e pazgjidhura mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mund të zgjidhen.
“Kjo vlen edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që në këto ditë dhe javë e kanë bërë të qartë se të ardhmen dhe sigurinë e tyre e shohin në Bashkimin Evropian. Prandaj, shumica e tyre janë rreshtuar me sanksionet e BE-së”, tha Baerbock.
Ajo shtoi se Serbia duhet të përafrohet me sanksionet ndaj Rusisë, nëse dëshiron të bëhet anëtare e BE-së.
“Nëse doni të bëheni anëtare e BE-së, dhe kjo është ajo që dëshiron Serbia, është një çështje qendrore të mbështesim politikën e jashtme të BE-së dhe sanksionet përkatëse në ato momente”, përfundoi Baerbocku.
Rruga Press