Azizi: Kur kemi një Kosovë të fortë, me integritet territorial cep më cep, kemi edhe shqiptarë të fortë në çdo pjesë të Ballkanit dhe rajonit
Shkruan Adnan Azizi
Atë që nuk e ka bërë shteti shqiptarë, e të cilën e ka obligim kushtetues, e ka bërë Albin Kurti edhe atë, edhe duke qenë në opozitë edhe tash si kryeministër. Ai është interesuar gjithmonë për shqiptarët e Maqedonisë, duke i parë ata njëjtë si të gjithë shqiptarët e Kosovës e Shqipërisë.
Prandaj, e them me bindje të plotë, se kur kemi një Kosovë e fortë, e cila ka integritet territorial, cep më cep brenda kufijve të saj, atëherë kemi edhe shqiptarë të fortë në çdo pjesë të Ballkanit dhe rajonit, kudo që ata jetojnë!
Është fakt se përveç integrimit në Bashkimin Europian, fillimisht shqiptarëve ju duhet një integrim vëllazëror, ose më saktë, integrim mes shqiptarëve në Ballkan dhe atë, si në sferën kulturore, ashtu edhe në atë ekonomike, infrastrukturore por edhe politike.
Për dallim prej të tjerëve, të cilët përkrahin subjekte politike, Albin Kurti përkrah kauzën politike të shqiptarëve në Maqedoni.
Për shembull! Rruga Tetovë – Prizren, e cila është projekt i përbashkët i qeverisë Kurti dhe qeverisë VLEN, është një dëshmi e fortë se me Albin Kurtin në krye të Kosovës si dhe angazhimin e tij edhe shqiptarët e Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Preshevës e kudo që jetojnë, do të jenë gjithë e më afër me njëri tjetrin, gjithnjë më të bashkuar, por edhe më të fuqishëm karshi kujtdo që ia do të keqen shqiptarisë.
Shqiptarët nuk duhet të duhen dhe të mbështeten në baza lokale dhe partiake dhe biznesore, por duhet të mbështeten dhe të bashkëpunojnë Cep më Cep, kudo që ata ndodhen dhe jetojnë.
Andaj, vlerësoj me bindje të thellë, se mbështetja për Albin Kurtin nuk është mbështetje vetëm për një individ ose parti, por është mbështetje për shqiptari më të fortë dhe më të bashkuar.
Rruga Press