Avokati i Popullit bisedon me Pantiqin: Nuk pati asnjë ankesë sa i përket trajtimit nga Policia e Kosovës
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka takuar këtë të premte ish-zyrtarin policor serb, Dejan Pantiq, i arrestuar nga Policia e Kosovës në Jarinjë.
Takimi bëhet e ditur se është zhvilluar online, në pamundësi që Qelaj të vizitojë Pantiqin në qendrën e ndalimit ku po mbahet, për shkak të barrikadave.
“Pantiç është arrestuar nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Jarinjë, ku edhe po mbahet në paraburgim me vendim të gjykatës, në pamundësi për t’u transferuar në ndonjë qendër të paraburgimit për shkak të situatës së krijuar”, thuhet në komunikatën për media të Institucionit të Avokatit të Popullit.
Tutje, thuhet se gjatë intervistimit Pantiq tha se nuk ka ndonjë ankesë sa i përket trajtimit nga Policia e Kosovës.
“Ai ka avokat mbrojtës dhe e ka realizuar një takim online me të, ndërsa më 22 dhjetor 2022 ata kanë biseduar përmes telefonit. Familja është njoftuar për faktin se ai u arrestua dhe iu shqiptua masa e paraburgimit. Deri më tani nuk ka realizuar takim me ta, pasi që takimet dhe telefonatat janë subjekt i lejes nga gjykata kompetente”.
“Sa i përket gjendjes shëndetësore, ai tha se vuan nga tensioni, por është duke e marrë terapinë adekuate. Ai po ashtu po i përdorë medikamentet që i kishin sjellë familja e tij. Ai theksoi se atij iu sigurua edhe shtrati për të fjetur dhe se i është dorëzuar vendimi gjyqësor për caktimin e masës së paraburgimit”.
Avokati i Popullit gjithashtu bën të ditur se Pantiq ka kërkuar që t’i lejohet vizita nga avokati mbrojtës dhe familja, si dhe të akomodohet në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë dhe jo në ndonjë qendër tjetër.
“Avokati i Popullit falënderon Policinë e Kosovës për mundësimin e këtij kontakti edhe përkundër kushteve të jashtëzakonshme në të cilat po punojnë. Avokati i Popullit kërkon nga të gjitha organet kompetente që të bëjnë maksimumin e tyre që z. Pantiq të trajtohet në pajtim me legjislacionin duke respektuar të gjitha të drejtat që i takojnë”.
Rruga Press