Lajme

Avokatët e të burgosurve në Hagë ia paraqesin Kurtit kërkesat dhe ankesat për procesin gjyqësor

Në ditën kur u njoftua se Gjykata Speciale ka bërë të ditur se Zyra e Prokurorit Special ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkëbisedoi me të gjithë avokatët dhe bashkë-avokatët e ekipeve mbrojtëse të shqiptarëve të akuzuar para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit që është mbajtur online dhe ka zgjatur gati dy orë, janë diskutuar kërkesat e ekipeve mbrojtëse për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

“Takimi u mbajt si rezultat i nevojës për të diskutuar dhe adresuar kërkesat e bëra nga ekipet mbrojtëse: procesi i stërzgjatur i mbajtjes në paraburgim të të akuzuarve, mos-respektimi i praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mungesa e përkthimeve dhe, në veçanti, mosmarrja në konsideratë e okupimit dhe krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta”.

Lexo më shumë  Osmani takon deputetin Klein, flasin për marrëdhëniet Kosovë-Gjermani

Me këtë rast kryeministri Kurti ka propozuar që takimet e tilla të vazhdojnë e të jenë të rregullta.

Sipas njoftimit të gjitha ekipet janë shprehur tejet mirënjohëse për mundësinë e diskutimit direkt me Kryeministrin Kurti, dhe shprehën falënderim me faktin që Qeveria e Kosovës po tregon interesim dhe angazhim në lidhje me procesin para Dhomave të Specializuara.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Seminishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Seminishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.

Lexo më shumë  Shërbimi që Ziadin Sela ia bën Ali Ahmetit, shpërthen me plot urrejtje ndaj KM të Kosovës Albin Kurtit

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.

Pas kësaj, gjykatësi i procedurës paraprake pasi ka konfirmuar akuzat e reja, ka caktuar 10 majin si datën kur të akuzuarit do të dalin para gjykatës. Thaçi pritet të dalë nga ora 10:00 deri në 10:45, Veseli nga ora 11:15 deri në orën 12:00, Krasniqi nga ora 14:00 deri në 14:45 dhe Selimi nga ora 15:15 deri në orën 16:00. 

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *