Avioni i Putinit deportoi fëmijë ukrainas, sipas hetimit amerikan
Fondet dhe avioni presidencial rus janë përdorur në një program që ka marrë fëmijët nga territoret e pushtuara ukrainase, ua kanë fshirë identitetin ukrainas dhe i kanë vendosur me familje ruse, sipas një raporti të Shkollës së Shëndetit Publik të Yale.
Studimi i mbështetur nga Departamenti amerikan i Shtetit, ka identifikuar 314 fëmijë ukrainas të dërguar në Rusi gjatë muajve të parë të luftës në Ukrainë, si pjesë e asaj që raporti e cilëson si program sistematik dhe të financuar nga Kremilini për t’i “rusifikuar”, raporton Reuters.
Në mars të vitit 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ka lëshuar urdhërarrest për presidentin rus, Vladimir Putin dhe komisioneren e të drejtave të fëmijëve, Maria Lvova-Belova, për krimin e supozuar të luftës – deportimin e fëmijëve ukrainas.
Hetimi i ri ofron detaje të programit të supozuar të depërtimit dhe individëve të përfshirë, që sipas studiuesit kishin lidhje me Putinin.
Studiuesi, Nathaniel Raymond, drejtor ekzekutiv i Laboratorit të Studimeve Humanitare në Yale, ka thënë se studimi ofron prova, të cilat mund t’i mbështesin akuzat shtesë nga ICC kundër Putinit për “transferimin e dhunshëm” të njerëzve nga një grup kombëtar dhe etnik në tjetrin.
Transferimi i detyrueshëm është krim kundër njerëzimit nën të drejtën ndërkombëtare. Meqë mund të jenë të përhapur dhe sistematik, krimet kundër njerëzimit konsiderohen më serioze sesa krimet e luftës.
Zyra e prokurorit të ICC-së ka thënë vetëm se raporti i Yale ka qenë i dobishëm në aktivitetet e tyre të vazhdueshme për këtë rast.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke reaguar ndaj raportit, ka shkruar në X: “Ukraina po punon pa pushim për t’u siguruar se fëmijët rikthehen në shtëpi dhe se përgjegjësit e këtyre krimeve do të ndëshkohen”.
Prokurori i përgjithshëm i vendit ka thënë se raporti i Yale plotësonte hetimet rreth asaj që kishte ndodhur me fëmijët, duke përshkruar “politikën e planifikuar mirë nga Kremlini me ndryshime legjislative, vendime politike dhe financim të dedikuar”.
Në përgjigje të akuzave të ICC-së vitin e kaluar, Lvova-Belova tha se Rusia nuk e zhvendosi askënd kundër vullnetit të tyre ose të prindërve ose kujdestarëve të tyre ligjorë, pëlqimi i të cilëve kërkohej gjithmonë. Ajo tha se fëmijët u vendosën me kujdestarë të përkohshëm ligjorë dhe nuk u dhanë për birësim.
Rusia, e cila nuk e njeh ICC-në, ka thënë se urdhrat e gjykatës janë të pakuptimta. Megjithatë, vendimet e gjykatës mund ta kufizojnë udhëtimin e individëve të akuzuar, sepse 124 shtetet anëtare e kanë për detyrë t’i ekzekutojnë urdhërat.
Fëmijët e identifikuar
Studimi është i bazuar në të dhënat e marra nga tri baza të të dhënave të adoptimit të qeverisë ruse gjatë 20 muajve. Hetimi i Yale pastaj e përcaktoi logjistikën dhe financimin e programit të supozuar dhe konfirmoi identitetin e 314 fëmijëve, tha Raymond.
Hetimi është pjesë e nismës së udhëhequr nga Departamenti i Shtetit nën presidentin Joe Biden për t’i dokumentuar shkeljet e mundshme të ligjit ndërkombëtar dhe krimet kundër njerëzimit nga Rusia dhe forcat e lidhura me Rusinë në Ukrainë.
Në raport thuhet se fëmijët ukrainas e sjellë në Rusi kanë qenë subjekt i “propagandës pro-shtetit dhe ushtrisë”, duke vënë në dukje se e ka dokumentuar “riedukimin patriotik” në të gjitha objektet ku janë dërguar fëmijët.
Kievi vlerëson se rreth 19.500 fëmijë janë dërguar në Rusi ose në Krimenë e pushtuar nga Rusia që nga fillimi i pushtimit. Lvova-Belova i ka kundërshtuar numrat e Kievit dhe i ka kërkuar të sigurojë prova.
Ajo më herët tha se 380 jetimë dhe fëmijë që nuk janë nën kujdestarinë e prindërve u vendosën në familje kujdestare ruse midis prillit dhe tetorit 2022.
Fluturimet
Rusia ka filluar marrjen e fëmijëve ukrainas nga territoret e pushtuara në ditët para fillimit të pushtimit në shkurt 2022, sipas raportit.
Forcat dhe avionët e Rusisë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të zyrës së Putinit, transportuan grupe të shumta fëmijësh nga Ukraina në aeroplanët ushtarakë me flamuj të Federatës Ruse midis majit dhe tetorit 2022, thuhet në raport.
Sipas raportit, të paktën dy grupe fluturuan me avionë të menaxhuar nga Departamenti i Menaxhimit të Pronës Presidenciale brenda Administratës Presidenciale në maj dhe tetor 2022.
Fëmijët e dërguar në aeroportin ushtarak “Chkalovsky” jashtë Moskës më 16 shtator 2022, ishin transportuar nga territoret e okupuara ukrainase, Donetsk dhe Luhansk drejt qytetit rus Rostov, jo shumë larg kufirit të Ukrainës.
Nga 314 fëmijët ukrainas të identifikuar, 166 u vendosën drejtpërdrejt me shtetas rusë, thuhet në raport. 148 të tjerët u renditën në bazat e të dhënave të vendosjes së fëmijëve në Rusi, me rreth një të tretën tani të vendosur me shtetas rusë.
Rruga Press