KryesoreLajme

Autoritetet serbe ndalojnë ish-deputetin e Kosovës në Merdarë – MPJD kërkon reagim ndërkombëtar

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka reaguar pas ndalimit të ish-deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Gramos Agusholli, nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdarë, teksa ai ishte në tranzit drejt Sllovenisë.

Sipas MPJD-së, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka njoftuar menjëherë misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Beograd për këtë rast.

Lexo më shumë  Kallas: Formimi i qeverisë së re të Kosovës është një lajm inkurajues

Njëkohësisht, Ministria ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar informacione të plota dhe zyrtare rreth ndalimit, duke e cilësuar këtë veprim si arbitrar dhe të papranueshëm.

“Dënojmë fuqishëm këtë akt represiv të autoriteteve serbe, i cili bie ndesh me parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe konventat për të drejtat e njeriut. I bëjmë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë menjëherë, duke kërkuar lirimin e z. Agusholli dhe ndalimin e praktikave të tilla provokuese,” thuhet në reagimin zyrtar të MPJD-së.

Lexo më shumë  Kuvendi i Kosovës mblidhet në orën 19:00 për të formuar komisionet, për buxhetin 2026 dhe rezolutën

Ministria ka njoftuar se do të mbajë të informuar partnerët ndërkombëtarë për çdo zhvillim të mëtejshëm dhe se çdo informacion i ri do të publikohet pas verifikimit zyrtar.

YouTube player