KryesoreOpinion/Aktualitet

Autokrati serb Vuçiq ende gëzon mbështetjen e Brukselit, Washingtonit dhe Moskës

Shkruan Enver Robelli

Nën presionin e madh të protestave studentore presidenti serb Aleksandar Vuçiq paralajmëroi ndryshime në qeveri. Të martën paradite kryeministri i tij Millosh Vuçeviq, një “kampion i irelevancës”, dha dorëheqje (lexo: u largua nga shefi si të ishte figurë shahu). Por matja e forcave nuk ka përfunduar ende në Serbi. Nuk dihet çfarë plane kanë studentët protestues dhe çfarë mund të bëjë opozita e përçarë. Qendrat me ndikim në Perëndim e Lindje ende s’kanë hequr dorë nga Vuçiqi.

Protestat tremujore në Serbi sollën të martën dorëheqjen e kryeministrit të këtij vendi dhe të kryetarit të Novi Sadit. Kjo ishte njëra nga kërkesat e studentëve pasi më 1 nëntor në Novi Sad u rrëzua një pjesë e kulmit të stacionit të trenit dhe ua mori jetën 15 njerëzve. Kjo tragjedi, sipas studentëve, erdhi si pasojë e korrupsionit dhe keqqeverisjes. Fillimisht pushteti tha se kulmi nuk ishte meremetuar, ndërsa pjesa tjetër po. Doli se kjo ishte rrenë. I vërtetë ishte lajmi se meremetimin e kishte kryer një firmë kineze.

Protestat e kanë ndryshuar Serbinë, por a do ta ndryshojnë edhe regjimin e Aleksandar Vuçiqit? Opozita serbe është e përçarë, lëvizja protestuese dominohet nga studentët dhe nuk është ende e qartë se çfarë plane kanë ata për të ardhmen, a mund dhe a duan ta përkthejnë këtë energji në alternativë politike?

Lexo më shumë  Kurti në Therandë: Mbi 88.5% e buxhetit është grant qeveritar, qeveria jonë nuk diskriminon komuna

Vuçiq është përballur shpesh me protesta dhe përherë ka arritur ta shpëtojë kokën dhe krejt sistemin që e ka ndërtuar që nga ardhja në pushtet më 2012. Ai në një mënyrë e paralajmëroi largimin e kryeministrit Millosh Vuçeviq, si lider autokrat Vuçiq i vendos dhe zhvendos në poste funksionarët e partisë së tij si figura shahu, njëkohësisht ai tha se është i gatshëm t’i falë ata protestues që po ndiqen nga drejtësia serbe. A do të mjaftojë kjo?

Indikative është se regjimi i Vuçiqit ditëve të fundit ka marrë përkrahje nga Brukseli, nga Moska dhe nga Washingtoni. Gert Jan Koopman, drejtor i përgjithshëm i Drejtoratit të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerim, iu gëzua qëndrimit në kryeqytetin serb dhe integrimeve të Serbisë në BE, ndërsa në një takim të mbyllur me opozitën theksoi se “Bashkimi Evropian nuk do të pranojë apo mbështesë ndryshimin e dhunshëm të pushtetit në Serbi”. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, tha se “marrëdhëniet midis Serbisë dhe Rusisë janë një pengesë për Perëndimin” dhe se “përmes provokimeve po përpiqen që protestat nga demokratike t’i shndërrojnë në antishtetërore”, duke theksuar se ky është “çelësi universal i Perëndimit”. Ngjashëm si emisari i BE-së u shpreh edhe Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për misione speciale: “Ne nuk mbështesim ata që minojnë sundimin e ligjit ose ata që marrin me forcë ndërtesat qeveritare. Nëse nuk ju pëlqen ligji apo udhëheqësi, atëherë punoni për ta ndryshuar, por mos i drejtohuni dhunës”, shkroi Grenell në X.

Lexo më shumë  Kurti: Theranda do të bëhet me autostradë dhe me digë të re, që sigurojnë qëndrueshmëri dhe zhvillim

Një portal kritik ndaj regjimit në Beograd shkroi: “Aleksandar Vuçiq po humb pushtetin në këste. Ky zotëri i gënjeshtrave nga lagjja jonë, zotëruesi i standardit të jetesës së çdo qytetari të Serbisë, tashmë e ka humbur fuqinë”.

Të martën nuk pati shenja se protestat do të ndalen. Largimi i kryeministrit Vuçeviq nuk është humbje e madhe për Vuçiqin. Revista serbe “Radar” e quajti Vuçeviqin me të drejtë “kampion të irelevancës”. Dorëheqja është një tentim për t’ia marrë hovin protestave. Por pasi nga e hëna në të martën protestuesit bllokuan njërën nga rrugët më të frekuentuera të Beogradit, në Novi Sad u paralajmërua protestë kundër partisë së Vuçiqit pasi një ditë më herët huliganët e afërt me pushtetin sulmuan disa studentë, ndërkohë bujqit filluan të bllokojnë magjistralen e Ibrit.

YouTube player