Lajme

Autokrati Rama i Narko-Shtetit që vazhdon të blejë influencë në Perëndim

Nga Agim Nesho

Dje në Parlamentin Shqiptar, kur opozita luftonte për të drejtat e saj dhe populli protestonte jashtë kundër instalimit përfundimtar të Narko-Shtetit, qeveria e mazhorancës kthente vëmendjen në ngjarjen historike të 80 vjetorit të zbarkimit të forcave aleate në Normandi. Por në Parlamentin Shqiptar nuk u fol që deklarata kryesore e Presidentit Amerikan Biden dje ishte në mbrojtje të demokracisë: – “Demokracia nuk është asnjëherë e garantuar. Çdo gjeneratë duhet ta ruajë atë, ta mbrojë atë dhe të luftojë për të.” (Presidenti Biden, 6 qershor 2024, Francë).

Ky është edhe paradoksi më i madh që shikohet në politikën Shqiptare: Opozita lufton të kthejë demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri, ndërsa pushteti i korruptuar i narko-shtetit mbahet nga përkrahja ose heshtja e komunitetit të demokracive perëndimore, të cilat parapëlqejnë klientelizmin dhe servilizmin e regjimit  ndaj tyre, por harrojnë që janë vetë ata që me indiferencën, naivitetin apo interesat e momentit po instalojnë një regjim putinesk në Shqipëri.

Por a është kjo një mos-vëmendje ndaj rajonit tonë nga fuqitë perëndimore, një politikë pragmatiste e tij në kushtet e sotme të influencave gjeopolitike që po rriten nga Lindja drejt Europës, apo thjesht një indiferencë për të ruajtur stabilitetin, pa menduar që ky stabilitet po ngrihet duke forcuar autoritarizmin, lidhjen e krimit me politikën dhe zhdukjen e shtetit të së drejtës.

Faktori kryesor i kësaj gjendje të mjerueshme të demokracisë Shqiptare është blerja e influencës në botën perëndimore nga regjimi i Ramës. Forca e këtij regjimi korruptiv u rrit nga korrupsioni galopant i shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes (Raporti i DASH) që i dha forcë financiare që të blinte influencë nëpërmjet lobimit dhe të krijonte një fasadë nëpër botë me propagandë për një realitet fals dhe të rremë. Sipas deklaratave të numrit 2 të regjimit, Arben Ahmetaj, ai lejoi kanabizimin e vendit si projekt politik për të blerë individë (rasti McGonigal), diplomatë (janë të shumtë për ti përmendur) për të lobuar në favor të regjimit, dhe ngriti një rrjet ‘këshilltarësh’ të nivelit të lartë si Tony Blair, Massimo D’Alema, të cilët përfitonin duke gjetur avantazhe në Shqipëri. Atje ku nuk arrinte të korruptonte, regjimi punonte me klientelizmin e tij për t’ju gjendur vendeve perëndimore me veprime që asnjë demokraci europiane nuk i pranonte, si kërkesa për marrjen e armëve kimike siriane, marrjen e afganëve, muxhahedinëve, marrëveshja me Melonin, deportimi i shqiptarëve nga Britania e Madhe dhe shumë veprime të tjera që koha do ti tregojë.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Ky regjim nuk ka shtyllë kurrizore apo skrupuj dhe funksionon brenda një qëllimi: fuqizimi i pushtetit personal i Autokratit anadollak Rama. Prandaj, ai një herë përdorej për ta quajtur Presidentin Trump turpi i civilizimit, dhe herën tjetër i fal dhëndrit të Trump pasuri, si zhvillimi i ishullit të Sazanit. Bashkëpunon me të majtën italiane me D’Alemën dhe Rencin me koncesione në shëndetësi dhe kur forcohen të djathtët nxiton ti ofrojë Melonit marrëveshje nga ‘zemra’. Ai është pronar i Shqipërisë dhe si i tillë atij nuk i interesojnë shqiptarët që janë larguar mbi 1 milion, që pensionistët mezi blejnë ilaçet e tyre, dhe më shumë se gjysma e popullsisë jeton nën minimumin e jetesës.

Kjo influencë e blerë nga regjimi ka bërë që demokracia Shqiptare të jetë në impas të plotë, që opozita Shqiptare të kryqëzohet ndërsa regjimi të lavdërohet, që manipulimi i zgjedhjeve me patronazhistë dhe blerje votash të kalojë në heshtje, që korrupsioni skizofrenik që po vjedh gjithë Shqipërinë të mos vihet re.

Kjo influencë ka bërë që regjimi të blejë me çanta miliona dollarë ngritjen e çështjeve penale ndaj opozitës në Washington, goditjen e liderëve të opozitës apo ka shtyrë në procesin e non-gratës për liderin e opozitës.

Kjo opozitë që lufton për demokracinë, sic thotë Presidenti Biden që duhet mbrojtur dhe luftuar për të, ndodhet para presionit të burokratëve amerikanë “që do hani bar në qoftë se nuk dëgjoni dhe zbatoni projektet e Ramës”, apo të ndonjë diplomati tjetër që deklaron në Tiranë se Rama është udhëheqës i madh!?

Prandaj direktiva e Presidentit Biden pavarësisht se është frymëzuese për popujt që duan demokracinë në botë, duhet të besohet edhe nga burokratët amerikanë, të cilët përpara se të mendojnë për rolin udhëheqës të Amerikës në botë, mendojnë për karrierën e tyre dhe përfitimet që vijnë nga grupet e interesit që përkrahin autokratët në botë.

Opozita Shqiptare do të luftojë për rikthimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri, por këtë duhet ta bëjnë edhe institucione si SPAK, që pretendon që ka përkrahjen dhe vepron sipas linjave Amerikane. Por a ka autoritet më të lartë se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Rruga Press

YouTube player