BallinaBota

AUDIO/ Dalin përgjimet e Trump duke u bërë presion vartësve: Më gjej 11,780 vota

Presidenti Donald Trump i bëri presion një zyrtari të lartë të zgjedhjeve të shtetit të Xhorxhias për të “gjetur” vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet, ku ai ka humbur. Kjo është një nga përpjekjet më të fundit të zotit Trump në kuadër të pretendimeve të tij mbi manipulimin e zgjedhjeve, sipas njoftimit të gazetës “Washington Post”, e cila ka arritur të sigurojë një regjistrim audio të një bisede telefonike të zhvilluar ditën e shtunë.

Gazeta “Washington Post”, e cila të dielën publikoi fragmente të telefonatës, që zgjati një orë mes zotit Trump dhe sekretarit të Shtetit të Xhorxhias Brad Raffensperger, gjithashtu republikan, tha se zoti Trump paralelisht e mburrte, i lutej dhe e kërcënonte zotin Raffensperger me pasoja të paqarta penale, në një përpjekje për të zhbërë humbjen e tij në këtë shtet ndaj presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Lexo më shumë  OBSH: Deri në vitin 2050, rreth 1,2 miliardë njerëz mund të zhvendosen prej klimës

Gazeta tha se gjatë gjithë telefonatës zoti Raffensperger dhe këshilltari juridik i zyrës së tij, i kishin hodhur poshtë pohimet e zotit Trump. Zoti Raffensperger i tha presidentit se ai po mbështeste teori konspirative të hedhura tashmë poshtë, ndaj atyre që ai i cilësoi si zgjedhje të lira e të drejta. Pjesë nga telefonata e regjistruar të botuara nga gazeta e konfirmonin një gjë të tillë.

“Njerëzit e Xhorxhias janë të zemëruar, amerikanët janë të zemëruar”, tha zoti Trump, sipas një fragmenti të shkëputur nga regjistrimi i telefonatës, botuar në internet nga gazeta The Washington Post. “Dhe nuk ka asgjë të keqe të thuash, e di çfarë….. i rillogaritëm rezultatet”.

“Pra ajo që dua të bëj, është thjesht të gjej 11,780 vota, që është një më shumë se sa kemi. Sepse ne e fituam shtetin”, shprehej zoti Trump gjatë telefonatës së regjistruar, duke këmbëngulur se nuk kishte asnjë mundësi që ai të kishte humbur garën në këtë shtet.

Lexo më shumë  Shefi i Forcave Ajrore të SHBA: Lufta me Kinën dhe Rusinë mund të ndodhë në çdo moment

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje. Zyra e zotit Raffensperger nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për komente. Po kështu edhe zyra e tranzicionit e zotit Biden nuk ka bërë deri tani asnjë koment mbi këtë çështje.

Xhorxhia është një nga disa shtetet kyçe, në të cilin zoti Trump humbi gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit ndaj zotit Biden. Por që prej asaj kohe zoti Trump ka bërë akuza të pabazuara për manipulim me zgjedhjet dhe ka kërkuar të përmbysë rezultatin. /VOA

YouTube player

Rruga Press

YouTube player