Opinion/Aktualitet

“Atyre që ju është mbushur mendja se problemi është ambasada amerikane, së pari mos merrni tendera publik, pastaj rrëzoni Ramën, pastaj… ”

Shkruan Sebastian Zonja

Vota e demokratëve ndaj Gramos Ruçit në krye të Kuvendit, në vitin 2013, ishte një problem konjuktural i politikës shqiptare. Palët nuk binin dakord për emrat e përveçëm të përfaqësimit nëpër organe. Demokratët s’na e thanë kurrë se kush e dha votën nga radhët e tyre për zotin Ruçi, por ankoheshin se si amerikanët e pranojnë që të jetë në krye të Kuvendit një person që vjen si ofiqar nga e shkuara komuniste. Logjika politike në këtë rast është e mjerë! Llogari i kërkohet subjektit tënd politik, kundërshtarit tënd politik, jo ambasadës!

Dalja e opozitës nga Parlamenti më pas e ktheu terrenin politik djerrë, ndërsa problemi tashmë nuk ishte konjuktural, por struktural. E gjithë struktura politike, institucionet u pezulluan. Ata që merren vesh mirë për rezorte dhe leje ndërtimi, nuk merren dot vesh për projektin politik të vendit. Tallje me qytetarët!

Pra, palët nuk zgjidhin dot problemet konjukturale me njëra – tjetrën, dine të merren vesh për biznes dhe tendera, por kanë guximin që të pezullojnë krejt jetën institucionale të vendit. Paksa absurde!

Në deklaratën e kësaj të mërkure, Departamenti Amerikan i Shtetit për këtë absurditet po kërkon të na ndërgjegjësojë, ndërsa po thotë: do të kërkojë që palët të ngrihen mbi interesat e tyre partiake dhe të gjejnë mënyrën për të arritur kompromis dhe për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin për një kauzë më të lartë, për të ardhmen e Shqipërisë – e përkthyer ndryshe: nuk duhet të ketë më minim të demokracisë në një vend të NATO-s.

Unë kësisoj e kuptoj deklaratën e ambasadës, atë të ambasadores dhe vendimin e sekretarit Blinken për Berishën.

Le të sjellim në vëmendje deklaratat e publikuara në mediet në maj të vitit 2018 kur diskutohej për bojkot të parlamentit:

Lulzim Basha: Lëvizja drejt bojkotit parlamentar në kushtet kur jemi investuar fort për hapjen e negociatave, rrezikon të devijojë vëmendjen nga çështja kryesore: që kemi një qeveri të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Në këto kushte, jam i mendimit të përdorim të gjitha format dhe mënyrat demokratike si opozitë me grupin parlamentar, strukturat, qytetarët për të bërë të qartë qëndrimin tonë të prerë se largimi i Fatmir Xhafajt është kusht i panegociueshëm i opozitës, veprim i domosdoshëm për hapjen e negociatave.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Sali Berisha: Bojkoti që bëmë për dekriminalizimin pati efekt. Duhet parë aktualiteti duke bërë analiza politike. Shqipëria aktualisht është në fokus ndërkombëtar. Për opozitën nuk ka zgjedhje paqësore me Edi Ramën. Fryma e grupit është bojkoti i Parlamentit.

Sot, fatkeqësisht, demokratët janë përpara një rebusi tjetër që më shumë pështjellon se qartëson: Bashkëpunimi është bashkëqeverisje. Kush i hedh këto parrulla në publik? Me ç’interes?

Këtij diskuri dominant në politikën e vjetër do të doja që t’i përgjigjesha me një pjesë nga deklarata e Departamentit të Shtetit Amerikan e bërë publike nga zonja Kim:

“Gjatë një viti e gjysmë të shkuar, kam pasur mundësinë të udhëtoj gjithandej në këtë vend të bukur dhe të takoj sa më shumë njerëz që mundem. Bajram Curri, Shkodra, Kukësi, Kruja, Tirana, Durrësi, Korça, Elbasani, Pogradeci, Berati, Gjirokastra, Himara, Saranda, Vlora – çdo qytet, qytezë e fshat – ka të veçantat e veta, por bashkohen në një pikë: iu ka ardhë në majë të hundës me metodat e vjetra; duan ndryshim të vërtetë; duan fundin e korrupsionit; duan një sistem drejtësie ku askush nuk është mbi ligjin; duan që kriminelët të qëndrojnë jashtë qeverisjes dhe politikës; duan një vend që i josh të rinjtë të qëndrojnë për shkak të mundësive; duan një vend që ecën përpara, jo prapa.”

Ndokush mund të pyesë me kureshtje se pse po e citoj kaq shumë ambasadën, por përgjigjja është krejt e thjeshtë, se sikundër thotë filozofi slloven Sllavoji Zhizhek: në disa vende të Lindjes duhet bërë referendum popullor për zgjedhjen e ambasdorit amerikan të radhës.

Që ambasadorët kanë filluar të ndërhyjnë në punët e brendshme kjo është e ditur e duartrokitur në vendin tonë që në fillim të demokracisë. Ata që sot flasin kundër gëzoheshin me Rajersonin në fillimvitet ’90 në podium, me shefin e CIA-s që i thoshte Nanos në 2005-ën që të merrte valixhet dhe me “burrështetasin Berisha pas 21 janarit”. Ndërkohë që demokratët gëzoheshin, socialistët tërboheshin. Sot ndodh e kundërta – demokratët tërbohen e socialistët gëzohen. Si fëmijët – xhaxhi, edhe ai bëri gabim, pse më ndëshkon vetëm mua!

Por pyetja është nëse flasim për një politikë foshnjarake apo të mirëstrukturuar në vete? Si marrëdhënie biznesi po. Si përfytyrim politik i demokracisë së qytetarëve, jo.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Lexon komente e analiza se në 30 vjet e kanë pasur fajin amerikanët për çfarë ka ndodhur në Shqipëri, kur në të vërtetë i kemi zgjedhur me votë të gjithë përfaqësuesit tanë! A mos ndoshta na thanë amerikanët të votonim të korruptuarit, apo na i futën në lista kryetarët e partive?

Përgjatë gjithë këtij kalvari trazirash 3 dekadësh, palët politike nuk kanë ditur asnjëherë që të ngrenë ura komunikimi për konsensus, por kanë ditur të krijojnë marrëdhënie të mira biznesi. Pushteti na ndan në socialistë e demokratë, ndërsa në të vërtetë ne ndahemi në të ndershëm e të korruptuar. Të korruptuarit janë shumë pak, jo më shumë se 15 vetë që korruptojnë 5000, por ata që duan që gjërat të shkojnë mirë janë 2 milion e gjysmë. Dhe për ta mirëmbajtur ideologjinë se korrupsioni është endemic, ka dal teza se të gjithë jemi njëlloj. Jo, më fal, fol me emra konkret, unë s’e pranoj tezën “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”!

Edhe ti kështu përgjigju: Unë s’jam hajdut! Nuk vjedh fonde publike, s’kam firmë ndërtimi, nuk kam qenë ndonjëherë ministër a kryeminisër! Fol për vete! Fol me emra, jo si teoricien i madh i demokracisë!

Në rast se jemi kundër ndërhyrjes së të huajve, a gjejmë dot një rast kur janë marrë vesh pushtetarët tanë pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve?

Pse e kanë fajin ndërkombëtarët që vendi prodhon kriza ciklike dhe jo pushtetarët?

S’është se po flasim për burrështetas të mëdhenj nga këto anë që na i përçmojnë ndërkombëtarët. Po flasim për disa njerëz pa dinjitet që shesin edhe gruan për ofiq.

Lë t’i marrim me radhë kryeministrat e presidentët e do të shohim se thuajse të gjithë janë të izoluar ndërkombtarisht. Nëse presidentin s’na e pret kush nëpër Europë e Amerikë, demokratët kanë braktisur institucionet, ish-kryeministrit i është mbushur mendja se lufton me balozat e detit, pse është çudi që personi që komunikojnë ndërkombëtarët me Shqipërinë është kryeministri Rama?

Atyre që ju është mbushur mendja se problemi është ambasada amerikane, së pari rrëzoni Ramën, rrëzoni ata që keni votuar dhe fitojnë tendera publikë nga Rama, pastaj hajde se flasim…

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *