KryesoreOpinion/Aktualitet

Aspekte të njohjes që Serbia i bën Kosovës përmes planit franko-gjerman (plani evropian)

Shkruan Donik Sallova

1. Serbia me Kosovën do të zhvillojë marrëdhënie fqinjësore mbi bazën e të drejtave të barabarta. Serbia nuk mund të pretendojë më se po zhvillon marrëdhënie me “krahinën” e saj jugore, por me shtetin fqinj që quhet Republika e Kosovës. Raportet quhen fqinjësore kur mes dy subjekteve ka një kufi ndarës që i dallon ato me njëra tjetrën (me ushtrinë, policinë dhe doganat në mes), në këtë rast kufi mes dy shteteve. Po ashtu, Serbia do t’i njohë dokumentet shtetërore të Kosovës dhe simbolet e saj, duke përfshirë pasaportat, targat, vulat etj. Pra, Serbia nuk mund të pretendojë se “krahinat” prodhojnë pasaporta, përndryshe këtë do ta kishte bërë Kosova që në vitin 1974; (shih: neni 1)

2. Në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, Serbia ka pranuar të udhëhiqet nga parimet që burojnë nga Karta e Kombeve të Bashkuara, të cilat parime i rregullojnë raportet mes shteteve. Serbia do ta trajtojë Kosovën si shtet fqinjë, sovran dhe të pavarur, pavarësisht se Kosova nuk është akoma anëtare e OKB-së. Pra, Serbia e njeh faktin që Kosova është shtet. Edhe zgjidhja e kontesteve që mund të lindin më tutje mes Kosovës dhe Serbisë marrëveshja kërkon që të bëhet sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara. Tanimë raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë aspekt vetëm i bashkëpunimit fqinjësor, rajonal e evropian, por ato përcaktohen si marrëdhënie ndërkombëtare; (shih: neni 2 dhe neni 3)

3. Serbia e njeh subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës duke hequr dorë nga pretendimi për ta përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare. Kosova dhe Serbia në arenën ndërkombëtare do të jenë subjekte të barabarta, të ndara dhe vetëm në përfaqësim të vetëvetes. Madje, marrëveshja e obligon Serbinë të mos kundërshtojë antarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare; (shih: neni 4)

Lexo më shumë  FSK shënon sot Ditën e Forcës

4. Marrëveshja i obligon palët që si shtete në proces integrimi të harmonizojmë politikën e jashtme dhe orientimet strategjike me Bashkimin Evropian. Pavarësisht që Serbia është ajo që ka probleme me harmonizimin e qëndrimeve me BE-së, marrëveshja u referohet të dyja palëve si shtete më vete, pra si kandidate që vec e vec kanë aspirata të integrohen në bashkësinë e shteteve europiane (BE);

5. Marrëveshja e avancon raportin ndër-shtetëror mes Serbisë dhe Kosovës duke themeluar Misione të Përhershme në kryeqendrat reciproke. Nga zyra ndërlidhëse palet avancojnë në misione të përhershme që janë tipar i raporteve zyrtare bilaterale mes shteteve.

* Ajo që konsiderohet aspekti më sfidues për Kosovën në këtë marrëveshje është theksimi i nevojës për sigurimin e vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Ky theksim është artificial dhe është kryekëput pasojë e marrëveshjeve paraprake që përfaqësuesit e Kosovës i kanë nënshkruar me Serbinë në procesin e negociatave të Brukselit që nga viti 2011. Me Pakon e Ahtisaarit të përfshirë në kushtetutën e saj, Kosova ka ndërtuar një sistem politik me shkallën me të lartë të garantimit të të drejtave të pakicave kombëtare, duke përfshirë edhe garantimin e tyre në qeverisjen e Kosovës (me pjesëmarrjen e garantuar në të tri pushtetet kushtetuese) dhe të komunave ku ata jetojnë (si vetëqeverisje lokale). Heqja dorë e përfaqësuesve tanë të atëhershem nga evidentimi i këtij fakti (që tashmë Kosova është model i trajtimit të pakicave) gjatë negociatave të mëhershme dhe nënshtrimi ndaj shantazhit të Serbisë me strukturat paralele në veri, e krijoi përshtypjen tek faktori ndërkombëtar sikur komunitetit serb në Kosovë i mungon hapsira për të realizuar interesat e veta. Në këtë sens, sot detyra e qeverisë së Kosovës është të evidentojë para bashkësisë ndërkombëtare që serbët e Kosovës janë qytetarë të barabartë në cdo aspekt, me të drejta të garantuara në sistemin politik të Kosovës dhe me shkallë të lartë të vetë-qeverisjes lokale përmes një procesi decentralizimi që i fuqizoi komunat ku ata jetojnë. Pakoja e Ahtisaarit, Kushtetuta e Kosovës dhe Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë dokumentet që kanë munguar në tavolinën e negociatorëve tanë në negociata nga vitit 2011 e deri në vitin 2021.

Lexo më shumë  Muja: Kontratat njëburimore janë përgjysmuar, propaganda e opozitës është e pabazë

ASPEKTE QË E CENUAN RENDIN KUSHTETUES ME MARRËVESHJEN E VITIT 2013

Marrëveshja e Parë e Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë -Serbi e vitit 2013 kishte prodhuar këto rezultate:

1. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe;

2. Ushtrim kolektiv i kompetencave komunale përmes Asociacionit;

3. Në funksion të Asociacionit Kosova u zotua të ofroj garanca përmes ligjit dhe të drejtës kushtetuese. Kjo sigurisht ka nënkuptuar gatishmërinë e palës kosovare për ndryshime kushtetuese në funksion të realizimit të Asociacionit. Marrëveshja e 2015 si pjesa operacionale e realizimit të Asociacionit, e cila shkoi rëndë ndesh me kushtetutën e Kosovës tregon se pala kosovare nuk e kishte parasysh fare kushtetutën gjatë negociatave;

4. Grupet kriminale në veri u njohën si polici serbe që duhet integruar brenda policisë së Kosovës. Kjo solli kriminalizimin e policisë në veri;

5. Legalizim të strukturave paralele kriminale në veri;

6. Segregim mbi baza etnike të sistemit të sigurisë dhe drejtësisë në veri;

*I vetmi zotim që Serbia mori në marrëveshjen e vitit 2013 ishte pranimi për mospengimin reciprok në procesin e integrimeve evropiane.

*Kjo marrëveshje (2013) është po aq antikushtetuese sa ajo e vitit 2015 mbi parimet e asociacionit, madje edhe më shumë, sepse me këtë marrëveshje është bërë hapi i parë i ndarjes së brendshme etnike të sistemit politik, duke e segreguar etnikisht sistemin e drejtësisë dhe rendit në veri dhe duke vënë bazat për një krijesë si Asocicacioni që ndarjen do ta zgjeronte edhe me pushtetin ekzekutiv dhe do ta shtrinte edhe në brendësi të Kosovës.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *