EditorialKryesore

Asociacioni pa njohje është si kafja pa filxhan – Zbatimi i AKSHS-së në Kosovë do të çojë në një Republikë Srpska të dytë

Nga Nicasia Picciano, për Rruga Press

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të favorizojë një Kosovë stabile dhe multi-etnike. Përkundrazi, do të krijojë një nivel të ndarë qeverisjeje brenda kufijve të saj. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka mësuar nga gabimet e përvojës së tij të keqe në Bosnje dhe Hercegovinë. Përkundrazi, po përpiqet të përsërisë të njëjtin gabim. I paraqitur si fakt i kryer, draft-statuti i parë duhet të shërbejë si bazë diskutimi. Gjithashtu, frika është se Uashingtoni mund të arrijë deri në pikën që të orkestrojë rënien e Kurtit dhe të krijojë një qeveri të mundshme teknike, e cila do të zbatonte planin e tij.

Gjatë një interviste të fundit për TRT World, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkoi drejt e në temë kur tha se “Asociacioni pa njohje është si kafja pa filxhan”.

Kryeministri argumentoi se Serbia duhet ta njohë Kosovën përpara çdo propozimi për autonomi më të gjerë për serbët vendas. “Kosova është një vend normal, por duhet ta pranoj se marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë aq normale”, shtoi ai. Për më tepër, deklaroi se asociacionet monoetnike nuk janë të pranueshme.

Më tej, ai tha: “Besoj se nëse Serbia dëshiron një asociacion të komunave në Kosovë në bazë të përkatësisë etnike, fillimisht duhet të mendojë ta bëjë atë në shtëpi, sepse në Serbi ka shumë më shumë pakica, në lloje dhe në numër se sa në Kosovë”. Kurti me të drejtë ka frikë se Serbia dëshiron vetëm një tjetër Republikë Srpska në vend.

Pas shpinës së tij, Uashingtoni bëri presion për krijimin e një asociacioni dhe Kurti nuk u ftua as te një takim së fundmi me Derek Chollet-in, këshilltarin e lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe Gabriel Escobar-in, të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, në Prishtinë.

Dialogu i vitit 2011, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që përfshinte në fillim një seri negociatash teknike, u shndërrua më vonë në një dialog të nivelit të lartë. Në vitin 2013 u arrit Marrëveshja e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe gjashtë pikat e para të saj i referohen themelimit të Asociacionit të Komunave në të cilat komuniteti serb i Kosovës është shumicë në Kosovë. Është e rëndësishme që Marrëveshja e Parë e 2013-ës i referohet fuqive dhe kompetencave të Asociacionit/Bashkësisë siç parashikohen nga Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Lokale dhe ligjet e Kosovës. Veçanërisht, Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Lokale kodifikon të drejtën e autoriteteve lokale për t’u asociuar. Nga ana e saj, Kushtetuta e Republikës së Kosovës shpreh kërkesën për respektimin, vëzhgimin dhe zbatimin e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale në të njëjtën masë siç kërkohet nga shteti nënshkrues.

Deri më tani gjithçka duket se është sekuenciale dhe logjike. Megjithatë, një parim i tillë i shëndoshë i BE-së për t’u asociuar ka të ngjarë të hasë vështirësi konkrete në aspektin e zbatimit në një kontekst, si Kosova, që ka qenë de facto -dhe që nga fillimi- i ndërtuar mbi linjat etnike. UNMIK-u në njëfarë mënyre është fajtor për këtë ndarje territoriale, e cila ka ardhur duke u sedimentuar me kalimin e kohës. Si të pajtohen dy pikëpamje dhe narrativa të kundërta? Vuçiqi do të dëshironte themelimin e një Asociacioni të atillë për përfitimet e tij. Kurti, nga ana e tij, me të drejtë kundërshton fuqishëm realizimin e tij për këtë arsye. Me pak fjalë, nëse parimet e mira janë në letër, ato nuk janë të transportueshme kudo.

Lexo më shumë  Kurti viziton një nga depot e armatimit të FSK-së: Armatimi modern është në kuadër të blerjeve dhe furnizimeve që jemi duke i bërë për forcën tonë

Ndërkohë, në vitin 2015 detajet e një Asociacioni u përcaktuan në një marrëveshje tjetër dhe u miratuan nga Kuvendi i Kosovës. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës deklaroi – po atë vit – se realizimi i saj është jokushtetues, sepse nuk përfshin etnitë tjera dhe mund të sjellë kompetenca ekzekutive. Por ajo arriti në përfundimin se Asociacioni/Bashkësia është pjesë e sistemit ligjor të Kosovës dhe duhet të themelohet siç parashihet me Marrëveshjen e Parë dhe duke marrë parasysh udhëzimet e detajuara se si të adresohet çdo shqetësim kushtetues në realizimin e një Asociacioni/Bashkësie.

Që atëherë, nuk ka pasur asnjë përpjekje për të paraqitur një propozim për diskutim publik ose shqyrtim.

Rrethanat e këqija aktuale ndërkombëtare, lufta në Ukrainë dhe Moska që kërcënon Perëndimin duke ushqyer armiqësitë në Ballkanin Perëndimor, e kanë rikthyer debatin në tryezë.

Në fund të janarit, ambasada amerikane në Prishtinë deklaroi se ka ardhur momentumi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Për më tepër, Ambasada e SHBA-së në kryeqytetin e Kosovës deklaroi se bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, vendit i kërkohet të ofrojë vizionin e vet për këtë Asociacion dhe do të marrë ekspertizën e nevojshme dhe mbështetjen politike për të siguruar që ajo të funksionojë në interesin më të mirë të të gjithë kosovarëve.

Sigurisht, jo rastësisht më 1 shkurt, Ambasada Gjermane në Prishtinë informoi për një dokument të publikuar nga zyra e Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) në Prishtinë në partneritet me Institutin Evropian të Paqes (EIP) që përfshin propozimin për Asociacion të Komunave në të cilat komuniteti serb i Kosovës është shumicë. Gjithashtu, Ambasada Gjermane mirëpriti kontributin e ardhshëm nga të gjitha palët e interesuara, përfshirë shoqërinë civile, për një diskutim publik përmbajtësor në lidhje me këtë çështje.

FES dhe EIP shqaruan se ata nuk ishin as të autorizuar dhe as nuk u ishte kërkuar hartimi i një propozim nga ndonjë aktor. Përkundrazi, puna e tyre është udhëhequr vetëm nga motivimi për të kontribuar në inicimin e një diskutimi publik përmbajtësor dhe në ofrimin e rekomandimeve të tyre nëpërmjet ekspertizës vendore dhe ndërkombëtare.

Nuk përjashtohet lidhja e drejtpërdrejtë midis presionit nga Uashingtoni dhe draft-statutit të përbashkët së fundmi. Dhe, pavarësisht nëse është kështu apo jo, asgjë nuk e ndryshon situatën. Asociacioni nuk është i mirë për një Kosovë stabile dhe multietnike. Për më tepër, ka shumë të ngjarë që premtimi për “rigjallërimin” e një angazhimi të vjetër është vetëm një mënyrë për të kënaqur Beogradin dhe për ta distancuar atë sa më shumë nga vëllai i tij, Moska. Veç kësaj, kjo punë e përbashkët është për t’u konsideruar duke hedhur vështrimin te propozimin franko-gjerman. Ky i fundit ka të ngjarë të fuqizojë një lloj konfederate. Dhe Kosova nuk do të jetë fituesja nga këta dy plane të hartuar “nga lart-poshtë”.

Lexo më shumë  Protesta për vrasjen e 14-vjeçarit, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Manastirliut

Nëse nuk është koha për të festuar, letra e përbashkët përmban të paktën një draft statut për Asociacionin. Ky njihet si entitet juridik i themeluar në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Republikës së Kosovës. Statuti i tij është akti më i lartë juridik i Asociacionit/Bashkësisë. Kjo përbëhet nga dhjetë komuna dhe përfaqëson interesat e tyre dhe të banorëve të tyre. Për më tepër, anëtarësimi në Asociacion/Komunitet është vullnetar. Procedurat për anëtarësime shtesë, largim nga anëtarësimi dhe shpërbërja e Asociacionit/Bashkësisë përcaktohen me statutin e saj. Përveç kësaj, Asociacioni nuk do të zëvendësojë, zhvendosë, apo zvogëlojë të drejtat dhe interesat e komuniteteve në Republikën e Kosovës, siç janë të përcaktuara në Kushtetutën e saj dhe të parapara me sistemin juridik. Objektivat e tij kryesorë do të jenë forcimi i demokracisë dhe ofrimi i këshillave teknike, ligjore dhe profesionale. Gjithashtu, do të jetë përgjegjës për ekonominë lokale, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe atë social, si dhe për vendosjen e marrëdhënieve dhe lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit me asociacione të tjerë të komunave, vendorë, rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Në letër gjithçka ka kuptim dhe tingëllon mirë. Megjithatë, realiteti në terren është krejt ndryshe. Pse serbët në veri, të cilët kanë jetuar të ndarë nga fqinjët e tyre për një kohë të gjatë dhe kanë përfituar financiarisht nga Beogradi, do të integroheshin në institucionet e Kosovës tani? Pse Beogradi do të hiqte dorë –në terma afatshkurtër- nga vizioni i tij për një Asociacion që është shumë larg nga ai i Prishtinës? E njëjta gjë vlen edhe për kryeqytetin e Kosovës. Skenari i ardhshëm, nëse zbatohet, ka shumë gjasa që t’i ngjajë një Republika Srpska të dytë, me pasoja negative për stabilitetin e Kosovës dhe Ballkanit, pavarësisht nëse janë të shumtë ata që e pëlqejnë apo jo.

Sidoqoftë, e vetmja rrugë përpara është e dyfishtë: të bashkëshoqërohet më tej rruga demokratike e Kosovës dhe integrimi në strukturat euroatlantike, dhe të ndalohet bosnjëzimi i Kosovës.

——————————————————————————————————————

Nicasia Picciano ka doktoruar në Europa Universität Flensburg, Gjermani. Ajo është ish-bashkëpunëtore hulumtuese në Europa Universität Flensburg, bashkëpunëtore e jashtme në Universitetin e Evropës Qendrore, në Budapest, bashkëpunëtore hulumtuese në Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur, bashkëpunëtore hulumtuese ndërkombëtare pranë Group for Legal and Political Studies. Ajo gjithashtu shkruan për revistën Visegrad Insight ku mbulon Ballkanin Perëndimor. Interesat e saj kërkimore përfshijnë paqen dhe shtet-ndërtimin, konfliktin etnik, pajtimin, tranzicionin e energjisë së gjelbër, dhe integrimin në BE për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *