Asociacioni kundër Republikës
Shkruan Donik Sallova
Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është antikushtetues dhe antirepublikë, sepse ai bie ndesh me parimet kushtetuese mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
Këto parime kushtetuese, që derivojnë nga Propozimi i Ahtisaarit, mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës janë kompromisi që populli shqiptar e shumicë i Kosovës i ka bërë kundrejt pakicës serbe në Kosovë.
Kompromisi është SHTETI QYTETAR si materializim i SHOQËRISË MULTIETNIKE. Shteti qytetar është kompromis sepse ideja e Kosovës së pavarur ka qenë projekt shqiptar drejt bashkimit kombëtar, edhe pse në këtë projekt kurrë s’ka qenë i synuar ndonjë diskriminim ndaj pakicave.
Përkundrazi, pakicat janë mbrojtur edhe me Kushtetutën e Kacanikut. Shoqëria multietnike është kompromis sepse pakicave, vecanërisht serbëve që janë rreth 5% e popullsisë, u është dhënë dhe garantuar pushtet vetëqeverisës shumëfish më shumë se c’do të mund të fitonin demokratikisht.
Pasi është themeluar konstitucionalisht, organizuar institucionalisht dhe promovuar politikisht si shtet që qeverisë mbi parimin e barazisë qytetare në reflektim të multietnicitetit (qoftë edhe si idealitet), të kërkohet ndërtim i një Asocicacioni të Komunave me Shumicë Serbe, si entitet qeverisës me identitet politik etnik, nuk përbën vetëm shkelje të kushtetutës në kontekst të ushtrimit të pushtetit qeverisës (që nuk është paraparë të ushtrohet nga asnjëlloj asociacioni), por përbën cënim të fundamenteve politike mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës. Kush kërkon Asociacion të tillë, kërkon ta shkatërrojë Republikën.
Republikën nuk e kemi shpallur që ta shkatërrojnë dhe si popull që kemi sakrifikuar aq shumë për pavarësi e republikë nuk i kemi fare borxh askujt, as atyre që e nënshkruan në vitin 2015 marrëveshjen antikushtetuese, antishtetërore e antikombëtare mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Në fund, ja se çfarë shërbimesh parashihte Propozimi i Ahtisaarit për asociacionet që mund të themeloheshin si formë e bashkëpunimit ndërmjet komunave në Kosovë: “9.2.2 Asociacionet e tilla mund t’u ofrojnë anëtarëve të tyre disa shërbime, duke përfshirë trajnime, ngritje të kapaciteteve, ndihmë teknike, hulumtim lidhur me kompetencat komunale dhe rekomandime të politikave.”.
Rruga Press