Asnjë nga tre të akuzuarit s’e pranojnë fajësinë për rastin “Banjska”
Asnjëri nga tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit një vit më parë, nuk ka pranuar fajësinë.
Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan rreth fajësisë. Kurse, Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin terrorist në Banjskë.
Me kaq ka përfunduar shqyrtimi fillestar dhe ka përfunduar seanca.
Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq janë vetëm tre nga 45 personat që akuzohen për sulmin terrorist në Banjskë.
Në seancën që ishte shtyrë (27 shtator), Themelorja njoftoi se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për t’i kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë, edhe për pjesën tjetër të të akuzuarve që kishte ikur.
Më 11 shtator Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit (ish-nënkryetar i Listës Serbe) dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë. Si rezultat i dhunës së përdorur u vra zyrtari policor Afrim Bunjaku.
45 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”.
Rruga Press