Editorial

Asnjë individ apo organizatë biznesore nuk mund të jetë mbi shtetin

Editorial nga Rruga Press

Ditën e sotshme Gazeta Shqip doli me lajmin se ka dyshime të forta dhe të bazuara se biznesmeni miliarder shqiptar, Samir Mane dhe Grupi Balfin në pronësi të tij qëndron prapa marrjes me koncesion të Portit të Vlorës për 35 vite, për ta shndërruar atë në një port jahtesh.

Po i njëjti person dhe po e njëjta kompani ka në pronësi edhe fabrikën e metaleve “Ferronikel” në Kosovë.

Gjithashtu, para pak kohësh përfundoi edhe projekti tjetër i biznesmenit Mane, kësaj radhe në Shkup. Ai ndërtoi aty një nga qendrat më të mëdha tregtare në Ballkanin Perendimor prej 160 mijë metër katrorë ndërtim. Objekti “East Gate Mall” ka sipërfaqe bruto prej 160 mijë metrave katrorë, shtrihet në dy nivele dhe disponon me 57 mijë metra katrorë sipërfaqe për dhënie me qira. Investimi kap shifrën e më shumë se 350 milionë Eurove.

Le të bëjmë një pasqyrim të këtyre tre investimeve në tre vendet shqiptare.

Gazeta Shqip, në bazë të dokumentacionit që ka ekspozuar shprehet se “njëra prej kompanive që zotëron koncesionin në fjalë ka lidhje të forta me grupin ‘Balfin’, të zotëruar nga biznesmeni Mane. Fjala është për kompaninë britanike ‘Marina Projects’ LTD.”

Më tutje thuhet se “për më tepër, statuti është hartuar në mënyrë të tillë që ngjason me skemat e mirëfillta të përdorura në Shqipëri vitet e fundit në tendera dhe koncesione, ku kompanitë që shpallen fituese shesin aksionet e tyre për shifra qesharake te kompani të tjera.”

Ajo çka pritet të ndodhë është që kompania anonime ‘Marina Projects’ të shesë aksionet me çmim të ulët, duke aluduar se përfitues i kësaj skeme do të jetë pikërisht miliarderi shqiptar.

Nuk është hera e parë që ky investitor shfaq fuqinë e tij deri në pikën që Qeveria shqiptare punon për investimet e tij. Qeveria shqiptare, mesa duket dëshiron që Portin e Durrësit t’ia falë këtij biznesmeni, por mos harrojmë edhe se po kjo qeveri ka ripunuar projektin e autostradës Tiranë-Elbasan, në atë mënyrë që “të gjitha rrugët të të çojnë në TEG”, në qendrën më të madhe tregtare në Shqipëri në pronësi të biznesmenit Mane. Poashtu, një devijim i ngjajshëm rruge është bërë në fshatin Palasë, që ajo të përshkonte resortin turistik investim të po këtij personi.

Do fare pak logjikë dhe përvojë të të jetuarit në Shqipëri që të kuptosh se Samir Mane është ai lloj personi që ka fuqinë të diktojë projekte, koncesione dhe investime qeveritare.

Sa i përket investimit të tij në Shkup, në qendrën më të madhe tregtare në rajon, dallohet poashtu një bashkëpunim i ngushtë mes Samir Manes dhe pushtetit të përbërë nga LSDM-ja e Zoran Zaevit dhe BDI-së së Ali Ahmetit. Nuk dihet gjë për prapaskenat, po duken shumë qartë skenat se si dhe ku po luhet “bashkëpunimi Mane-Qeveri e RMV-së.

Vetëm disa ditë më parë, ishte pikërisht Samir Mane ai që premtoi një investim disa milionësh në Dibër të Madhe, një komunë shumë e rëndësishme në RMV, por tashmë jo dhe aq e madhe, duke marrë parasysh nivelin tepër të lartë të emigrimit të shqiptarëve në atë zonë.

Ekonomikisht, për një miliarder, investimi në atë zonë është i pavleshëm; këtu nuk ka sens ekonomik. Por pse duhet të bëhej premtim atëherë?

Pikërisht sepse në këtë komunë garon kandidati i BDI-së së Ali Ahmetit, përballë kandidatit të opozitës, partia Aleanca për Shqiptarët. Premtimi i Manes nuk ishte ekonomik, por plotësisht elektoral. Ai vetëm sa po bënte fushatë për Ali Ahmetin, duke i kthyer kështu nderin që i është bërë kur ka fituar projektin e qendrës tregtare, dhe po i bënte fushatë tërthorazi Zoran Zaevit, sepse një BDI e fortë do të thotë një qeveri e fortë e Zaevit.

Edhe njëherë pra, nuk dimë gjë për prapaskenat, por duket haptazi që Mane, edhe në RMV është në krah të liderëve të qeverisë duke ujdisur e kurdisur investime dhe fushatë.

Sa i përket pranisë së tij në Kosovë, deri para një viti çështja ishte thuajse identike. Le të kujtojmë që jo më larg se vjet, ishte qeveria e Avdulla Hotit ajo që i fali një borxh tatimor prej 7 milion eurosh kompanisë “NewCo Ferronikeli Complex L.L.C.”, si dhe e liroi nga taksa minerare për pesë muajtë e parë të vitit 2021. Kjo gjë ishte propozim nga një deputet i AAK-së dhe është miratuar me amandament të veçantë.

Tashmë në kabinetin e Qeverisë Kurti, dëgjuam Ministrin e Financave, Hekuran Murati, të shprehej në parlament se “E ka mjelë fitimin pronari i ri”, duke e patur fjalën për Samir Manen, pronar i metalurgjikut “Ferronikeli”.

Ka pak kohë që kjo kompani e ka ndaluar prodhimin dhe procesin e punës me argumentin se çmimi i lartë i energjisë e ka pamundësuar fitimin. Me këtë rast, deputetët e opozitës në Kosovë menduan që biznesit të oligarkut Mane t’i dalë në krahë shteti i Kosovës duke i dhënë ndihmë financiare.

Ministri Murati jo vetëm që nuk pranoi, por u shpreh se vetë privatizimi dhe shitja e “Ferronikelit” ka qenë një aferë, duke e dëmtuar shtetin, e nga ana tjetër, shteti nuk mund ta ndihmojë një biznes i cili nuk i ndan fitimet me shtetin, por dëshiron t’i ndajë vetëm humbjet.

Është shumë e qartë se ditët e arta të “mjeljes” që Mane i bën Kosovës kanë mbaruar, tani që në krye të ekzekutivit është Albin Kurti, i cili përveçse nuk mund të korruptohet me afera, është i vendosur edhe në luftimin e çdo afere të kryer më herët.

Samir Manes i ka mbetur Shqipëria e Ramës, Maqedonia e Ahmetit dhe Serbia e Vuçiçit. Por Kosova, ashtu si në rastin e projektit Minishengen, po bëhet pengesa e domosdoshme. Kosova po tregon me të vërtetë se asnjë individ dhe asnjë organizatë biznesore nuk mund të jetë më e fuqishme se shteti dhe mbi shtetin. Dhe ashtu siç korruptimi është pandemik, ka mundësi që edhe përparimi të bëhet ngjitës, duke marrë përmasa mbarëkombëtare.

©RrugaPress

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *