KryesoreOpinion/Aktualitet

Aseti rus në Shtëpinë e Bardhë

Shkruan Shqiptar Oseku

A je pyetur ndonjëherë se pse Donald Trump u bën kudo lëshime rusëve? Përgjigja mund të jetë më tronditëse se që ta merr mendja. E drejta ndërkombëtare. Mbrojtja e përbashkët. Tregu i lirë. Doland Trump është duke çmontuar një nga një të gjitha shtyllat mbi të cilat mbahet Pax Americana, rendi botëror që për 80 vjet rresht ka mëkuar demokracitë, ka forcuar tregun e lirë, e ka bërë zap rusët dhe armiqtë tjerë të lirisë anembanë botës. Në SHBA ka shumë zëra që thonë hapur se Donald Trump është aset i rusëve që nga fundi i viteve 1980. Ata insistojnë se është perandoria sovjetike që po kthen goditjen nga varri, duke instaluar rusofilin Doland Trump si president amerikan.

Po të shikosh politikën e jashtme të presidentit Trump, lëshimet ndaj rusëve janë si pe i kuq që lidh shumë veprime të tij. Tradhtia që Donald Trump po ia kurdis sot Ukrainës është vetëm episod i radhës. Në tetor 2019, Trump tradhtoi aleatët e SHBA-ve në Siri, duke ua lënë rusëve duart e lira atje; ishte vetëm mosbindja e Turqisë që e shpëtoi atë vend. Në shkurt 2020, Trump tradhtoi shtetndërtimin afgan, duke biseduar me talibanë pa qeverinë afgane, e duke tërhequr ushtarët amerikanë ndërsa lironte talibanët nga burgjet, pikërisht ashtu si kish udhëzuar Kremlini me vite; sharjet e tij mandej kundër pasardhësit Biden pse iku nga Afganistani ishin kulm i cinizmit. Në shtator 2020, Trump tradhton Kosovën në ujdinë e Uashingtonit, të lavdëruar fort nga Sergej Lavrovi, pse shtynte ri-integrimin ekonomik të Kosovës me Serbi. Qeveria Trump kish sajuar kushtet për këtë ujdi duke lejuar që Kosovës t’i tërhiqen njohje, e duke ushqyer ide për shkëmbim territoresh e popullsish, të cilat, po të realizoheshin, do t’i legjitimonin planet ruse për Ukrainën; Kosova shpëtoi pa u lagur vetëm pse Trump mandej humbi zgjedhjet. Në nëntor 2020 Trump tradhton aleatët në Irak dhe vendos njëanshëm për tërheqje, duke braktisur 110 000 irakianë që i kishin ndihmuar atje. Sërish, Moska ishte e ngazëllyer. E kështu me radhë, nga Baltiku, mespërmes Evropës e Ballkanit, e gjer në Lindje të largët, politikat që ndjek Trump ndjekin kudo vijën ruse.

Lidhjet midis Donald Trumpit dhe rusëve janë të vjetra dhe shkojnë pothuaj 30 vjet mbrapa në kohë. Një moment kyç duket se ka qenë një vizitë e tij në Moskë në vlug të luftës së ftohtë, më 1987. Asokohe Trump sa kish pësuar një nga ato dështimet e tij të përsëritura në biznes dhe ndiqej nga enti tatimor për mospagim taksash; ndryshe nga ç’thotë ai vetë, haveri është dështak serik, e ndër të rrallë që ka arritur të falimentojë edhe një kazino. Këtë moment pra ia shfrytëzojnë rusët, për ta ftuar që të bëjë biznes në Moskë. Rusët e joshin dështakun Trump me premtime se do t’ia jipnin një ndërtesë gjigante përballë Kremlinit për ta kthyer në hotel: pa taksa, pa probleme. Rusët janë mjeshtra për ta lyer me kos, dihet kjo. Udhëtimin ia organizojnë Juri Dobinjin dhe vajza e tij Natalia Dobrinjina, të identifikuar që të dy nga inteligjenca amerikane si agjentë të KGB-së; besohet se burim i idesë ishte famëkeqi Vitali Çurkin, ambasadori i fundit sovjetik pranë Këshillit të Sigurisë në OKB.

Lexo më shumë  Kurti takon ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, diskutojnë për formimin e institucioneve  

Ajo që dihet nga ky udhëtim, të cilin e ka përmendur edhe vetë Trump, është se rusët e presin me qilim të kuq dhe e ngrejnë në qiell. Psikiatrat sovjetikë e kishin cilësuar Trumpin si sociopat narcisist, e kishin udhëzuar se ai ndikohet nga lavdatat dhe lajkat. Pritësit e mbajnë, pra, si të ishte i dërguar i Perëndisë. E vendosin në një godinë superluksoze, e endin me limuzina nëpër Moskë, i qasin gra fotomodele. Gjithnjë duke i fryrë në vesh se është i veçantë, e se një ditë mund ta ndryshojë fatin e krejt botës. Mikpritësit e pyesin si shkarazi pse s’angazhohet në politikë. Ku ta dish, një ditë mund të bëhej krejt lehtë edhe president. Mandej i ankohen, natyrisht, që ata të tjerët në Amerikë s’janë njësoj largpamës. S’kuptojnë se sa shumë që do të fitonte Amerika po të bashkëpunonte me rusët. Ndoshta është faji i evropianëve, i thonë në Moskë. Ata jua lagin juve amerikanëve. Ju mjelin në NATO dhe ju mbajnë të prishur me ne.

Para se të shkonte në Moskë, Donald Trump s’ishte shprehur asnjëherë për çështje polike, as në plan të brendshëm, as në plan të jashtëm. Por, sa kthehet nga Moska, Trump harxhon 130 mijë dollarë për një anons të madh anti-NATO, ku i reflekton të gjitha mesazhet me të cilat e kanë mbushur rusët. Dhe burri i botës ka ngelur tek ato qëndrime qysh atëhere.

Lexo më shumë  Henze, Ish-Këshilltar Ekonomik i Kancelares Merkel: Dita e lirisëe u arrit vetëm me sakrifica të mëdha, prandaj dëshmorët që dhanë jetën dhe nderin për këtë liri meritojnë mirënjohjen tonë më të lartë, veçanërisht UÇK-ja, e cila iu kundërvu Serbisë agresore

E nëse të thotë mendja se Trump tradhton vetëm periferitë, mendo sërish. Gjindja në Evropë sot thonë hapur se Trump po e zbërthen NATO-n, bastionin e aleancës transatlantike, që ka mbrojtur Evropën nga kërcënimi rus qysh prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Fillimisht ai ankohej se evropianët gjoja nuk kontribuakan sa duhet për mbrojtjen e përbashkët. Mandej nisi të lakmojë Groenlandën e aleatëve danezë në NATO, thua ti ai ishull qenka çelës i sigurisë në Evropë e jo Ukraina. Kurse tash së funtmi, në konferencën e Mynihut, qeveria Trump e tha troç, se Evropa s’mund të llogarisë më te aleanca me Amerikë. E ç’aleancë muti na qenka kjo?!

Këtë hamendje e kanë sot jo vetëm në Evropë, por edhe në SHBA. Bashkësia amerikane e inteligjencës s’ia harron Trumpit që ai, mbas një takimi sy më sy me Putinin në tetor 2018, kish dalë nga takimi duke akuzuar FBI-në se gjoja shpif kundër rusëve. Në botën e inteligjencës amerikane përdoret shpesh shkurteca MICE për katër fjalë – money. ideology, coercion, ego – fjalë këto që përmbledhin arsyet kryesore pse gjindja vihen në shërbim të një shteti të huaj, e kundër interesit të vendit të vet. Sa i përket Donald Trumpit, them se çdokush e kupton se ç’ka patur në atë qyp mjalti me të cilin rusët e siguruan besnikërinë e biznesmenit amerikan. Sigurisht që ekzistojnë edhe faktorë të tjerë në ndërtimin social-psikologjik të Donald Trumpit që luajnë rol në këtë mes. Ai është i trashë, e s’i qëmton dot ndërvarësitë e komplikuara të rendit ndërkombëtar. Është pasanik me trashëgimi, që dmth se ka ego të fryrë. Po ashtu, është i edukuar në frymë patriarkale e raciste. I jati ishte kurvar serik, e pronar nopran banesash që refuzonte qiramarrës me ngjyrë, pavarësisht statusit të tyre ekonomik.

Përkrahësit e tij përmendin shpesh natyrën e tij prej sociopati si argument kundra idesë se Trump është aset i rusëve. Është tepër mistrec dhe i pakontrollueshëm, thonë ata, për të qenë spiun i mirë. Por inteligjenca përdor sot termin ”aset”, që përfshin si spiunin e vetëdijshëm, ashtu edhe idiotin e vyeshëm. Dallimi është më tepër teorik. Në praktikë, të dy bëjnë të njëjtën gjë. Këtë shërbimin që po u bën rusëve biznesmeni dhe kryetari amerikan Donald Trump.

Rruga Press

YouTube player