Bota

Asetet ruse për Ukrainën, vendet anëtare të BE bien dakord në parim për konfiskimin

Diplomatët evropianë ranë dakord për të përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira të shtetit rus për të ndihmuar Ukrainën.

Në këtë mënyrë ata i hapin rrugë marrjes nga Ukraina të rreth 3 miliardë eurove për blerje armësh dhe për procesin e rindërtimit përpara ardhjes së verës.

Që nga nisja e pushtimit rus në 2022-shin, 210 miliardë euro asete të Bankës Qendrore të Moskës, të depozituara kryesisht në Belgjikë, kanë ngrirë në radhët e Bllokut.

Marrëveshja u arrit në parim në një takim të rregullt të përfaqësuesve të vendeve anëtare, bëhet e ditur në një postim në rrjetin “X” nga presidenca belge e Këshillit Evropian.

Lexo më shumë  NATO planifikon të ndërtojë një tubacion aviokarburanti nga Gjermania në Poloni dhe Republikën Çeke

Brukseli prej kohësh ka shprehur interesin e tij për të përdorur këto të ardhura, rreth 3 miliardë euro në vit, për koston e rindërtimit të Ukrainës dhe madje ka zgjatur planet e tij për të mbuluar shpenzimet ushtarake për Kievin.

Plani, që gjithashtu ka mbështetjen e grupit të 7 vendeve më të industrializuara në botë, vjen në një kohë kur Ukraina shpreson të ndryshojë drejtimin e erës së luftës falë ndihmës ushtarake prej 89 miliardë eurosh të aprovuar së fundmi nga Kongresi amerikan.

Lexo më shumë  Mes kërcënimeve nga Rusia dhe një tërheqje të mundshme të SHBA-së, NATO zhvillon stërvitjen më të madhe luftarake për 2025

Por ministrat ukrainas kanë deklaruar se Brukseli duhet të shkojë përtej, duke i konfiskuar tërësisht asetet e Moskës, për t’u siguruar që agresori të paguajë për koston e luftës.

Por zyrtarët në vendet e BE-së dhe Banka Qendrore Evropiane kanë shprehur shqetësimin se një gjë e tillë mund të krijojë një precedent të padobishëm dhe të dëmtojë reputacionin e euros, si një valutë e sigurt.

Megjithatë, Brukseli ka gjasa të ndërmarrë një hap tjetër të rëndësishëm. Në paketën e 14 të sanksioneve ndaj Rusisë, e propozuar nga vendet e bllokut, përfshihet ndalimi i importeve të gazit të lëngshëm rus.

Rruga Press

YouTube player