Art & KulturëBallina

Artistët: Polifonia po venitet, Ministria e Kulturës nuk tregon interes për vlerat dhe bartësit

Më 25 nëntor 2005 polifonia shqiptare u fut në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO. Polifonia shqiptare është një ndër vlerat e folklorit dhe sipas specialistëve të trashëgimisë dhe artistëve, futja e polifonisë në listën kryevepër që mbrohet nga UNESCO ka rëndësinë për njohje dhe përhapje të mëtejshme. Dje u shënua 15 vjetori i polifonisë shqiptare në UNESCO, ku artistë të ndryshëm shprehen se duhet të ketë dhe më tepër angazhime për kryerjen e aktiviteteve, që i kushtohen polifonisë. Por sipas tyre nga ministritë e qeverive ndër vite nuk është treguar kujdesi i duhur dhe kjo po ndodh dhe tani. Kompozitorja e njohur Lejla Agolli, që për disa vite ka qenë dhe drejtuese artistike e Ansamblit Popullor shprehet se është përgjegjësi e institucioneve, që të marrin në mbrojtje vlerat e trashëgimisë sonë. Sipas saj, edhe polifonia shqiptare duhet të trashëgohet dhe të mos humbasë. “Normal që duhet të investohet në punët, që bëhen për trashëgiminë tonë. Kur unë kam qenë në Ansamblin Popullor janë bërë disa festivale për polifoninë. Vlora është qytet që i bën festivalet dhe bravo i qoftë. Është dhe polifonia toske, që nuk po e dëgjojmë më shumë. Duhet të ketë aktivitete për polifoninë. Mirë që janë disa bartës, që ruajnë traditën për polifoninë. Polifonia duhet të trashëgohet të mos humbasë. Polifonia ka nevojë për zërat e rinj, sepse ecën dhe nuk ngec. Është një gjini e veçantë polifonia, që mbrohet nga UNESCO dhe duhet shumë më tepër vëmendje nga institucionet”, thotë kompozitorja e njohur Agolli. Me kritika për Ministrinë e Kulturës, artistë të polifonisë shprehen se duhet bërë më shumë për vlerat e saj dhe bartësit, pasi polifonia po venitet. President i shoqatës “Polifonia shqiptare”, Yzeir Llanaj shprehet se polifonia nuk ka qenë sa duhet në kujdesin e ministrive të Kulturës ndër vite. “Polifonia është pasuri e njerëzimit, që është marrë në mbrojtje nga UNESCO këtu e 15 vite më parë dhe nuk është marrë në konsideratë sa duhet nga ministritë e Kulturës ndër vite, që e kanë lënë në dorë të bartësve që ata tërë jetën e pasojnë tek e ardhmja. Për polifoninë i bëj thirrje Ministrisë së Kulturës si një bartës 60 vjeçar në skenë, bashkudhëtar i Demir Zykos, i Lefter Çipës, i Maliq Lilos, Mero Mukës, etj, që kjo vlerë tradicionale është në venitje”, shprehet në reagimin e Yzeir Llanaj “Mjeshtër i Madh”.

Të dëgjohen specialistët

Në reagimin e tij këngëtari i polifonisë që prej vitesh zhvillon dhe festivalin “Bylispolifonia”, pohon se shumë vëmendje duhet të tregohet dhe për angazhimin e të rinjve me polifoninë. Yzeir Llanaj thotë se duhet të bëhen dhe simpoziume shkencore, por që sipas tij kanë munguar nga institucionet. “Është si një specie në zhdukje polifonia shqiptare. I bëj thirrje ministres Margariti që ti dëgjojë fjalët tona për arsye se janë në dobi të polifonisë sonë. Për polifoninë duhet të bëhen simpoziume shkencore nga institucionet. Të ftohen bartësit që pak kanë ngelur nga ata të parët. Çfarë thirrje u bën këtyre bartëse për ta mbajtur apo organizuar ndonjë aktivitet? Kur bëhet festivali në atë vend shekullor ku është dhe identiteti nuk vjen një nga MK, që të thotë iu vaftë mbarë. Ku është ministria, që të interesohet për vlerat dhe këta bartës? Apo i lë që të marrin dhe bukën me vete. Unë i kam bërë thirrje disa herë, por kanë rënë në vesh të shurdhër”, vijon Llanaj, që në aktivitetin mban urdhrin “Naim Frashëri i Artë” dhe titullin “Mjeshtër i Madh”. Por pak ditë më parë nga Ministria e Kulturës u bë me dije për një memorandum bashkëpunimi për përgatitjen e dosjeve të aplikimit dhe regjistrimit të katër dukurive të trashëgimisë jo-materiale shqiptare në “Listën Përfaqësuese të Dukurive Jo-Materiale të Njerëzimit” të UNESCO-s. Ministrja Elva Margariti bëri të ditur se këto pasuri janë “K’cimi i bjeshkës me tupan i Tropojës”, pasuri e folklorit koreografik, si tipologji e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare, rituali i lashtë i shtegtimit të bagëtive”, ritual shumë i vjetër, që zhvillohet nga Veriu në Jug të Shqipërisë, “Xhubleta”, kjo veshje e rrallë, e mrekullueshme, si teknologji dhe ribërje artizanale unikale dhe të formave të përdorimit të saj dhe “Eposi i Kreshnikëve”, i kënduar dhe shoqëruar në lahutë, si tipologji e trashëgimisë shpirtërore jo materiale shqiptare”.

Lexo më shumë  Nisin gërmime arkeologjike në Novobërdë për zbulimin e një qendre të lashtë dardane

YouTube player