Speciale

Artikujt informativë e analitikë për familjen Jashari përmblidhen në një libër

Mesditën e sotme në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare dhe me organizim të këtij institucioni është promovuar “Libri i Kujtesës: Familja Jashari”.

Libri përfshin artikuj të gazetave dhe revistave kosovare që nga dhjetori i vitit 1991 deri në mars 1998, gazeta të cilat ruhen në arkivat e Bibliotekës Kombëtare e Kosovës.

Libri shpalos se si është mbuluar nga gazetat e ndryshme rezistenca e familjes Jashari, çfarë mesazhesh përhapnin apo synonin të përhapnin gazetat, çfarë dëshmish zbulonin nga betejat për liri të familjes Jashari. Në libër janë përfshirë qindra artikuj informativ, analitikë e publicistikë.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, deklaroi se ky libër paraqet dëshmitë që anëtarët e familjes Jashari sakrifikuan jetën e tyre për lirinë që në e gëzojmë sot.

Ai përgëzoi Bibliotekën për botimin e një libri të tillë duke theksuar se së bashku me Ministrinë e Arsimit u nënshkrua një marrëveshje për krijimin enjë rrjeti funksional të bibliotekave por edhe rritjen e kualitetit të këtyre të fundit.

“Ky libër përfshin artikuj të gazetave dhe revistave të Kosovës nga periudha dhjetor 1991 deri në mars 1998 dhe ky botim paraqet një dëshmi materiale për një periudhë shumë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, shkruar nga dora e gazetarëve më të mirë të Kosovës. Familja Jashari me kurajën dhe me guximin e tyre të papërkulshme sakrifikuan jetën e tyre për lirinë tonë, ne jemi përherë krenarë dhe mirënjohës për sakrificën e familjes Jashari. Mirënjohjen për kujtimin dhe veprën madhështore të tyre e përjetësojnë duke mësuar për historinë e tyre të kaluarën e tyre duke mësuar se çfarë i shtyri ata të flijonin gjithçka që kishin nga vetja për lirinë tonë”, ka thënë ai.

Anëtari i familjes Jashari, njëherit kryetari në largim i Skenderajt, Bekim Jashari, tha se promovimi i këtij libri është shembulli më i mirë i ruajtjes dhe promovimit të historisë ndërsa shtoi se duhet të ketë më shumë libra që nxjerrin në pah luftën e UÇK-së.

“Promovimi i librit të kujtesës mbi familjen Jashari është shembulli më i mirë i ruajtjes dhe promovimit të historisë sonë, në njërën anë edhe të fuqizimit të dëshmive tona mbi luftën e drejtë dhe dëshmi e gjenocidit që pushteti serb bëri në Kosovë. Për më tepër nevojitet që të kemi më shumë libra, hulumtime e studime që nxjerrin në pah madhështinë e popullit tonë mbi luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me komandantin legjendar Adem Jashari”, ka thënë ai.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, tha se botimi i një libri të tillë bëhet për të kuptuar, kujtuar e nderuar heroizmin e familjes Jashari dhe për të formësuar mendimin e njeriut të Kosovës për sakrificën dhe flijimin për liri.

“Ndërsa ishte nisur si një hulumtim i mirëfilltë për hapjen e një ekspozite për raportimet e periodikut të Kosovës për ngjarjet që lidhen me rezistencën dhe heroizmin e familjes Jashari. Pra kur po ekspozoheshin në plot artikuj të gazetave dhe revistave të Kosovës që pasqyronin ngjarjet për familjen Jashari dhe kryekomandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, që përfshinin periudhën nga fundi i dhjetorit të vitit 1991 deri në mars të vitit 1998, në një ekspozitë në mars të këtij viti u kuptua që duhet punuar përtej kontributit që mund të japë biblioteka në një bibliografi indeksesh të revistave dhe gazetave për këtë ngjarje të paharrueshme historike. Libri përfshin 30 vjet histori të kësaj familje fisnike dhe kur u dëgjua zëri i qëndresës së saj, themi e brezit më të vonë e dhjetorit 1991 kur mbronin me armë dinjitetin e familjes dhe atdheut”, ka shtuar ai

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte regjistruar sulmi i parë ndaj familjes Jashari, më 22 janar 1992 ndodhi sulmi i dytë ku pati të plagosur. Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *