Artan Grubi në listën e zezë të SHBA-së, u përpoq të shpëtojë nga burgu Sasho Mijallkovin, ish-shefin e shërbimit sekret të Maqedonisë së Veriut
Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, është futur në listë të zezë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Departamenti njoftoi se në listë të zezë është përfshirë edhe Enver Bexheti, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Maqedonisë së Veriut.
Ata thuhet se janë të përfshirë në korrupsion, pasi kanë pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore që lidhen me dënimin penal të Sasho Mijallkov, ish-drejtor i Drejtorisë për Siguri në Maqedoni të Veriut. Sasho Mijallkov është kushëri i ish-kryeministrit të MV-së, Nikolla Gruevski që gjendet i arratisur në Hungari.
Për këtë ka reaguar edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët nga koalicioni VLEN, Arben Taravari.
“Kam një lajm për ata të Tendës: Artan Grubi sapo u shpall Persona Non Grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, ka shkruar ai në Facebook.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni të Veriut ka thënë se do të vijojë t’i veçojë personat e përfshirë në korrupsion, që minon institucionet demokratike dhe gërryen besimin publik.
“Askush s’është mbi ligjin dhe llogaridhënia është thelbësore për përparimin”, thuhet në reagim.
Rruga Press