`Arsimi i përbashkët`, Kurti takon ekspertët nga Irlanda Veriore dhe Kosova
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves dhe Kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, pati një drekë pune me një grup ekspertësh nga Irlanda Veriore dhe Kosova të cilët me punën e tyre kontribuojnë në fushën e ndërtimit të paqes përmes arsimit.
Profesorë e hulumtues të Universitetit të Mbretëreshës në Belfast (Queen’s University in Belfast) dhe përfaqësues të Autoritetit të Arsimit në Irlandën Veriore, në bashkëpunim me Komunën e Kamenicës, po realizojnë seminar pune me komunitetet shkollore të kësaj komune për të hulumtuar potencialin e bashkëpunimit të sistemeve të ndara arsimore.
“Bazuar në praktikat e mira të intervenimeve arsimore në Irlandën Veriore dhe një numër vendesh të tjera me histori konflikti, ekipi i përbërë nga Dr.Edona Maloku, Prof. Joanne Hughes, Prof. Tony Gallagher, Prof. Ruth Leitch, Dr. Gavin Duffy, z. Paul Close dhe z.Seamus Bradley, me përkrahjen e kryetarit të Kamenicës, Kadri Rahimaj, synojnë që me lehtësimin e këtyre sesioneve me mësimdhënësit dhe drejtuesit e shkollave të komuniteteve të ndryshme në Kamenicë të përpilojnë bazën e nismës intervenuese të njohur si Modeli i Arsimit të Përbashkët”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Arsimi i Përbashkët ofron mundësi për ndërveprim të fëmijëve dhe të rinjve, të cilët përndryshe nuk kanë mundësi për të ndërvepruar, që të socializohen me bashkëmoshatarë të grupeve të ndryshme nëpërmjet kontaktit të rregullt dhe të qëllimshëm të bazuar në kurrikulë.
Ky model gjithashtu u mundëson fëmijëve, të rinjve dhe mësimdhënësve/edukatorëve për të krijuar marrëdhënie afatgjata dhe miqësi të cilat shpesh i kapërcejnë kufijtë tradicionalë dhe për të ndërtuar lidhje të forta, mbështetëse dhe të ndërvarura ndërmjet shkollave që marrin pjesë, familjeve dhe komuniteteve të cilave ato u shërbejnë.
“Në shkurt të këtij viti, në kuadër të një vizite në Irlandën Veriore, kryeministri kishte vizituar shkollën Nettlefield në Belfast, për të parë nga afër dhe në praktikë zbatimin e modelit të Arsimit të Përbashkët (Shared Education). Përmes këtij modeli, i cili gjen aplikim në rreth 900 shkolla në Irlandën Veriore, nxënës të komuniteteve të ndryshme kanë mundësi që së bashku të mësojnë dhe ndërveprojnë në aktivitete të ndryshme që përfshijnë sportin, artin dhe shkencën. Seminaret që po realizohen në Kamenicë janë fryt i kësaj vizite”, thuhet tutje në komunikatë.
Rruga Press