Arrin në Kosovë gazetarja e parë nga Ukraina
Ka arritur sot në Kosovë, Lyudmila Makey, gazetare nga Ukraina, e cila është gazetarja e parë e programit ‘Gazetarët në Rezidencë në Kosovë’, që do t’i mirëpresë gazetarët nga Ukraina, të cilët largohen nga atje për shkak të luftës.
Makey është vendosur në Prishtinë dhe AGK-ja do të përkujdeset që ajo të vazhdojë punën nga Kosova.
Me të arritur në aeroport, Makey tha që sot është e rrezikshme që të jesh gazetare në Ukrainë duke përmendur faktin që forcat e okupatorit rus kanë vrarë 21 gazetarë në Ukrainë deri më tani.
“Falënderoj shumë të gjithë juve që më keni mundësuar të vij në Kosovë. Ky program më mundëson që të mbetem në profesionin e gazetares. Jam thellësisht e prekur me faktin se si njerëz tërësisht të huaj dëshirojnë të na ndihmojnë. Besoj që bashkëpunimi ynë dhe solidariteti nga gazetarët tjerë është një hap i rëndësishëm drejt paqes”, citohet të ketë thënë Makey.
Gazetaren ukrainase Makey e ka mirëpritur në takim sot edhe kryeministri Albin Kurti.
Ai ka thënë se solidariteti i Kosovës me popullin e Ukrainës dhe luftën çlirimtare kundër agresionit ushtarak rus janë të padiskutueshme.
“Republika e Kosovës u është bashkuar vendeve perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Ne mbesim të përkushtuar të punojmë së bashku me aleatët për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale e globale”, ka shkruar Kurti.
“Gazetarë në Rezidencë në Kosovë”, është program i inicuar nga Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), i financuar dhe mbështetur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme .
Programi është duke u zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e dy unioneve të gazetarëve në Ukrainë. Ky program ofron pagë mujore, akomodim në banesë, kushte për punë, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës.
Rruga Press