Arrihet marrëveshja në Gjermani, Scholz pasues i Merkelit
Olaf Scholz është pranë marrjes së postit të kancelarit në Gjermani pas zgjedhjeve të shtatorit, pasi socialdemokratët kanë arritur marrëveshje për koalicion qeverisës me të gjelbrit dhe liberalët.
Tri partitë pritet të prezantojnë marrëveshjen pasditen e së mërkurës.
Sipas televizionit gjerman ARD marrëveshja parasheh investime masive në prodhimin e energjisë së ripërtrishme. Deri në vitin 2030 rreth 80 për qind e energjisë elektrike në Gjermani pritet të prodhohet nga era dhe dielli. Po më 2030 Gjermania synon të heqë dorë përfundimisht nga qymyri, ka shkruar në Facebook gazetari Enver Robelli.
Në vitin e parë të qeverisjes rroga për një orë punë pritet të rritet në 12 euro.
Mosha për pjesëmarrje në zgjedhjet nacionale dhe europiane do të ulet nga 18 në 16 vjet.
Zgjedhjet në Gjermani u mbajtën para 8 javësh. Negociatat për koalicionin e ri nisën më 21 tetor. Ato u zhvilluan nga 6 përfaqësues të secilës parti dhe nga 22 grupe punuese. Marrëveshja e koalicionit duhet të miratohet nga kongreset e partisë socialdemokrate dhe asaj liberale, ndërsa të gjelbrit do të pyesin anëtarësinë.
Planifikohet që qeveria e re e kancelarit Scholz të zgjidhet në javën e dytë të dhjetorit. Sot pritet të bëhet e ditur ndarja e ministrive, por jo edhe emrat e ministrave dhe ministreve.
Scholz zëvendëson Angela Merkelin që largohet nga ky post pas katër mandateve.
Rruga Press