KryesoreLajme

Arrestohet një person për krime lufte në zonën e Malishevës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar të enjten se ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas njoftimit, hetimet fillestare tregojnë se i dyshuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, ndaj popullsisë civile në fshatin Panorc Komuna e Malishevës, ka kryer krime të luftës.

Lexo më shumë  SHBA, Blinken uron 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit të përkohshëm dhe ndalimit për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të dërgohet para Gjyqtarit të procedurës paraprake, për procedurë të mëtutjeshme.

Po ashtu, Policia e Kosovës të enjten ka arrestuar një serb në Leposaviq nën dyshimin se ka kryer krime lufte në Kosovë në regjionin e Gjakovës në periudhën 1998/1999.

I dyshuari me inicialet, S.L u kap nga policia në Leposaviq nga një plan taktik i realizuar në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) nën dyshimin se ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

Në dhjetor të vitit 2023, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar se ka ngritur 33 akuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.

YouTube player