Lajme

Arrestohet miku i Ramës në FBI: Mori para nga një oligark rus “non grata”

Një ish-zyrtar i lartë i FBI-së në Nju Jork është arrestuar për lidhjet e tij me një oligark rus. Charles McGonigal, i cili ishte një agjent i posaçëm i ngarkuar me kundërzbulimin në zyrën e FBI-së në Nju Jork u vu në pranga për lidhjet e tij me Oleg Deripaska, një miliarder rus i cili është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara. Ai është akuzuar penalisht vitin e kaluar për shkelje të këtyre sanksioneve.

McGonigal doli në pension nga FBI në 2018. Mediat amerikane shkruajnë se ai u arrestua të shtunën pasdite sapo mbërriti në aeroportin JFK pas një udhëtimi në Sri Lanka. Bashkë me të të janë ngritur akuza edhe për një përkthyes gjyqësor, Sergej Shestakov, i cili gjithashtu punonte me rusin Deripaska.

Ish agjenti i FBI, Charles McGonigal

54-vjeçari McGonigal, 54 vjeç akuzohet për shkelje të sanksioneve të SHBA-së pasi ishte përpjekur të hiqte Deripaskën nga lista “non grata”. McGonigal është një nga ish-zyrtarët e rangut më të lartë të FBI-së i akuzuar ndonjëherë për një krim të tillë. Madje McGonigal dhe përkthyesi Shestakov akuzohen se ranë dakord në vitin 2021 të hetojnë një oligark rival rus në këmbim të pagesave nga Deripaska.

McGonigal dhe Shestakov akuzohen për marrjen e pagesave përmes kompanive guaskë dhe falsifikimin e nënshkrimeve për të mbajtur të fshehtë që Deripaska po i paguante ata. Të dy përballen me akuza për pastrim parash përveç akuzës për shkelje të sanksioneve. Secila nga 4 akuzat mbart një dënim maksimal prej 20 vjetësh burgim.

Lidhjet me Edi Ramën

McGonigal është përfolur që në shtator të vitit 2022 për lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama. Në një shkrim investigativ të publikuar në atë kohë nga “BusinessInsider” u zbuluan e-maile që e lidhnin atë me kreun e qeverisë shqiptare.

“Dy burime i thanë ‘Businessinsider-it’ se McGonigal ishte i afërt me Edi Ramën, i cili shërben si kryeministër i Shqipërisë që nga viti 2013. Sipas një emaili të parë nga Insajderi, McGonigal përdori llogarinë e tij zyrtare të e-mailit të FBI-së për të tentuar të organizonte një takim mes Ramës dhe një biznesmeni amerikan. Firmën e tij kryeministri po mendonte ta punësonte në një nismë kundër korrupsionit. Në fund, FBI nuk i dha miratimin McGonigal për takimin dhe ai nuk u zhvillua kurrë.

Një përfaqësues i Ramës tha se marrëdhënia e kryeministrit me McGonigal ishte “një marrëdhënie miqësore tërësisht private pa interes publik. Ne nuk kemi asnjë ide për ndonjë juri të madhe. Asnjë autoritet amerikan nuk na ka kontaktuar ndonjëherë për këtë. Nuk ka pasur kurrë takime me kompani, dhurata, pagesa, rimbursime të udhëtimeve përpara ose pasi zoti McGonigal të largohej nga puna” – thuhej në atë shkrim.

Lexo më shumë  Flamuri bashkon shqiptarët, qytetarët e Kosovës rezervojnë në Shqipëri për festat e nëntorit

Me publikimin e shkrimit edhe vetë Rama e pranoi lidhjen miqësore me agjentin McGonigal.

“Cilët rusë të mitë, shefi i kundërterrorit i FBI-së ka qenë dhe është miku im nuk diskutohet. Nëse ai ka një çështje të tijën me drejtësinë në SHBA-të, është çështje e tij. Lëreni të flasë drejtësia në SHBA. Nuk bëhet drejtësia, nuk nxirren fajtorët dhe nuk bëhen akuzat në këtë farë feje se është e tmerrshme.

Nuk është e tmerrshme për mua, se nuk ka asnjë problem, sepse i pres të gjitha, por është e tmerrshme për këtë popull, për këtë vend, për të gjithë ato që i konsiderojmë vlera shqiptare, parime shqiptare. Çfarë të them më shumë se kaq.

Bëhet fjalë për një çështje që është në SHBA, që nuk ka asnjë lidhje me mua, me qeverinë shqiptare që nuk ka asnjë biznes të çfarëdollojshme se me këtë teori i bie që ne nuk duhet të takojmë askënd sepse nesër dikush mund të ketë probleme me drejtësinë në vendin e vet”, – tha Rama në atë kohë.

Dosja e FBI për McGonigal

“FBI është e angazhuar për zbatimin e sanksioneve ekonomike të krijuara për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë, veçanërisht kundër aktiviteteve armiqësore të një qeverie të huaj dhe aktorëve të saj”, tha në një deklaratë ndihmësdrejtori i ngarkuar i FBI-së, Michael Driscoll. “Oligarkët rusë si Oleg Deripaska kryejnë ndikim malinj global në emër të Kremlinit dhe janë të lidhur me akte ryshfeti, zhvatjeje dhe dhune” – shtoi ai.

Pas largimit nga FBI, McGonigal punoi për mandatin rus të naftës, Deripaska përmes një firme ligjore që përfaqësonte atë. Ai fitonte të paktën 25 mijë dollarë duke punuar si “hetues” për firmën ligjore. Më pas McGonigal punoi drejtpërdrejt për Deripaska, duke marrë një pagesë fillestare prej 51 mijë dollarësh dhe më pas pagesa prej 41 790 dollarë çdo muaj për 3 muaj nga gushti 2021 deri në nëntor 2021.

Lexo më shumë  SHBA, Blinken uron 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë
Miliarderi rus Oleg Deripaska

Ai u thoshte miqve se po punonte për “një djalë të pasur rus” dhe theksonte se puna e tij ishte e ligjshme. Në bisedat për Deripaskën, ai shpesh përmendej nga McGonigal dhe Shestakov si “djaloshi i madh” dhe “ju e dini se kush”.

Zyra e Prokurorit të SHBA në Uashington, DC, hapi një çështje të veçantë ndaj McGonigal me akuzën se ai kishte marrë 225 mijë dollarë në cash nga një individ me interesa biznesi në Evropë, të cilin McGonigal e dinte se ishte një punonjës i një shërbimi të huaj inteligjence.

Aktakuza me 9 pika pretendon midis gushtit 2017 dhe shtatorit 2018, që çoi në daljen e tij në pension nga Zyra e FBI-së në Nju Jork, McGonigal fshehu nga byroja marrëdhënien e tij me këtë ish-oficer të huaj të paidentifikuar të inteligjencës. Personi cilësohet si shtetas shqiptar i punësuar nga një konglomerat energjetik kinez. Ky person më vonë “shërbeu si burim i FBI-së në një hetim penal që përfshinte një lobim politik të huaj” mbi të cilin McGonigal kishte një rol mbikëqyrës. Një avokat i McGonigal nuk iu përgjigj kërkesës së ABC News për të bërë një koment.

Deripaska, një manjat i aluminit, ishte mes 20 rusëve të sanksionuar në vitin 2018 nga Departamenti i Thesarit si ndëshkim për “aktivitetet e vazhdueshme dhe gjithnjë e më keqdashëse të qeverisë ruse në botë”. FBI kontrolloi shtëpitë e tij në Nju Jork dhe Uashington në vitin 2021. 55-vjeçari Deripaska ka një pasuri prej 1.7 miliardë dollarësh, sipas Listës së Miliarderëve të Forbes. Megjithatë ai thuhet se kishte rreth 7 miliardë dollarë në vitin 2018, vit kur iu vendosën sanksionet nga SHBA.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *