Lajme

Arrestimi i McGonigal, Meta: Rama po përdor marrëdhëniet me SHBA-në për të goditur opozitën, duhet të dorëhiqet

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas arrestimit të zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal dhe lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama.

Në një dalje për mediat, Meta u shpreh se Rama në mënyrë të drejtëpërdrejtë ka bashkëpunuar në akte korruptive dhe ka pasur ndikim në këtë çështje. Kreu i ‘PL’-së shton se Rama nëpërmjet manipulimit dhe korruptimit është përpjekur që të përdorë marrëdhëniet dhe komunikimin me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të goditur opozitën dhe për të zhbërë shtetin ligjor dhe për të siguruar fitime korruptive për veten dhe bashkëpunëtorët e tij.

‘Fshehja e takimeve me Edi Ramën prej Mc Gonigal, si dhe përfshirja publike e bashkëpunëtorit të tij dhe ortakut të tij Rosini edhe në media kundër opozitës dhe Zotit Sali Berisha në momentin e djegjes së mandateve janë prova dërmuese se Edi Rama nuk përfaqëson asgjë tjetër veçse një mafioz të ulur në zyrën e Kryeministrit.’- u shpreh ndër të tjera Meta. 

Ai u shpreh se dorëheqja e Ramës është një veprim i detyruar pasi niveli i inkriminimit, kompromentimit dhe korruptimit të postit të kryeministrit është skandaloz dhe i paimagjinueshëm.

Deklarata e plotë:

Opinioni shqiptar dhe mbarëbotëror është njohur me dosjen e ish-funksionarit të lartë të FBI, McGonigal dhe me lidhjet e tij të faktuara me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Edi Rama në mënyrë të drejtpërdrejtë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij janë evidentuar qartë si pjesëtarë në akte korruptive dhe ndikimi të paligjshëm në “Çështjen McGonigal”. Edi Rama nëpërmjet manipulimit dhe korruptimit është përpjekur që të përdorë marrëdhëniet dhe komunikimin me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të goditur opozitën, për të zhbërë shtetin ligjor dhe për të siguruar fitime korruptive për veten dhe bashkëpunëtorët e tij.

Edi Rama është i provuar botërisht se me paratë e korrupsionit ka financuar trafikun e influencës dhe ka shfrytëzuar postin e tij për të mbajtur në mënyrë të paligjshme dhe mafioze pushtetin. Veprimtaria e tij për të manipuluar dhe përdorur një zyrtar të lartë të SHBA ka patur një qëllim të vetëm që përveç mbajtjes së pushtetit të garantojë investime nëpërmjet parave të pista ruse duke i futur ato si atavizma në ekonominë shqiptare dhe duke e vendosur Shqipërinë, jo në frontin e luftës kundër korrupsionit dhe trafiqeve, por në funksion të mbështetjes dhe përdorimit të tyre prej Edi Ramës. Fshehja e takimeve me Edi Ramën prej Mc Gonigal, si dhe përfshirja publike e bashkëpunëtorit të tij dhe ortakut të tij Rosini edhe në media kundër opozitës dhe Zotit Sali Berisha në momentin e djegjes së mandateve janë prova dërmuese se Edi Rama nuk përfaqëson asgjë tjetër veçse një mafioz të ulur në zyrën e Kryeministrit.

Është e qartë se për Edi Ramën marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë kurrë dhe nuk janë marrëdhënie vlerash, por marrëdhënie aferash.

Edi Rama është njeriu që me qëllim dhe me strategji të mirëpërcaktuar ka kompromentuar këto marrëdhënie, është përpjekur t’i trondisë ato, është përpjekur të ulë respektin dhe dashurinë që shqiptarët kanë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në funksion të axhendave tashmë të vërtetuara proruse të tij. Dorëheqja e Edi Ramës është një veprim i detyruar pasi niveli i inkriminimit, kompromentimit dhe korruptimit të postit të kryeministrit është skandaloz dhe i paimagjinueshëm. Drejtësia shqiptare duhet të ishte ngritur në këmbë me kohë përballë fakteve të tilla kaq tronditëse që implikojnë Kryeministrin në mënyrë të drejtpërdrejtë. Drejtësia shqiptare duhet të komunikojë intensivisht dhe ngushtësisht me drejtësinë amerikane për të zbardhur deri në fund të gjithë këtë aferë shtetërore që tashmë kalon edhe kufijtë e Shqipërisë dhe të hetojë e ta çojë Kryeministrin përpara Drejtësisë.

Reagimet vijnë një ditë pas publikimit të dosjes së plotë dhe aktakuzës me 9 pika që FBI ka kopsitur për ish-agjentin dhe shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal. Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin.

Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Vetë Rama thotë se akuzat e ngritura ndaj McGonigal nuk kanë lidhje me të.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *