Opinion/Aktualitet

Arrestimet për sagën e inceneratorit të Tiranës ngjajnë me një shkrepje bosh

Nga Klodian Tomorri

Pol Baumer, personazhi qendror në kryeveprën e Remarkut “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”, portretizon një të ri idealist gjerman gjatë Luftës së Parë Botërore, i cili ëndërronte të bëhej hero.

I karikuar nga propaganda nacionaliste e asaj kohe, Baumer u regjistrua në Ushtrinë Perandorake Gjermane së bashku me disa shokë të tjerë për t’i shërbyer Atdheut.

Por menjëherë pas dislokimit në front, pamja romantike që ai kishte për luftën u përmbys nga realiteti i tmerrshëm i saj. Ëndrra për t’u bërë hero u zëvendësua nga përpjekjet për të mbijetuar.

Altin Dumani zor se do t’a kishte frymëzuar Remarkun për të krijuar një kryevepër botërore. Por sot shefi i SPAK-ut, i dislokuar në front me pritshmëritë për t’u bërë hero kombëtar, i ngjan shumë personazhit të Baumerit.

Arrestimet e SPAK për sagën e inceneratorit të Tiranës, në aspektin hetimor të çështjes, ngjajnë me shkrepje bosh. Dosja që prokurorët e SPAK kanë paraqitur para gjykatëses Irena Gjoka, mbi të cilën u vendosën 15 masat e arrestit, është “mot a mot” e njëjtë me atë që u paraqit në korrik, kur SPAK vendosi sekuestron mbi inceneratorin. Asnjë fakt apo e provë e re.

Fakti që Alba Thoma paraqiste si dokumente publike emailet e Zotos është i provuar në dosjen e sekuestrimit. Ashtu sikurse fakti që Taulant Tushe dhe Simixhiu nuk pranuan që angazhimi i financimit nga Bashkia e Tiranës të votohej në Këshillin Bashkiak.

Lexo më shumë  Azizi: Kur kemi një Kosovë të fortë, me integritet territorial cep më cep, kemi edhe shqiptarë të fortë në çdo pjesë të Ballkanit dhe rajonit

Dhe kjo shtron një pyetje. Pse SPAK nuk i kërkoi këto masa në korrik kur u vendos sekuestroja e inceneratorit, por e bëri këtë 4 muaj më pas? A është ky një hetim i mirëfilltë apo një proces i kontrolluar, rezultat i llogarive përtej drejtësisë? Ndaj në aspektin hetimor dosja e fundit është “Asgjë e re nga SPAK”. Apo më mirë akoma “Asgjë e re nga fronti i inceneratorit.”

Për shkak të përfshirjes së gjithë pushtetit në zullum, afera e inceneratorëve është testi i vërtetë i SPAK. Çështja që do të japë përgjigjen debatit të madh dhe kyç të reformës në drejtësi. A është SPAK me të vërtetë një trupë e pavarur, e cila bën drejtësi pavarësisht emrave që dalin përpara në hetimet e saj? Apo është një institucion satelit i pushtetit, që kontrollohet nga qeveria.

Ky debat sot ka dy linja. Një grup, ata më optimistët, mendojnë se SPAK është duke e çuar çekanin e drejtësisë në maja që deri dje as nuk mund të imagjinoheshin. Një grup tjetër mendon se i gjithë aksioni i drejtësisë së re është një film me regji të kontrolluar nga qeveria. Deri më sot, zhvillimet në çështjen e inceneratorit, i japin të drejtë grupit të dytë.

Narrativa evazive dhe gjuha ambigue e përdorur nga prokurorët e SPAK në pikat e nxehta të dosjes të inceneratorëve, është realiteti i egër i luftës që po vret ëndrrën romantike të “heronjve” të drejtësisë së re.

Lexo më shumë  AGK-ja: bishti i oligarkëve, hija e opozitës dhe fantazma e UNMIK-ut

Kush ishte zyrtari që ideoi aferën e inceneratorit të Tiranës?

A ishte shkresa me nr 22239 e Bashkisë së Tiranës dokumenti që devijoi planin e zgjerimit të landfillit të Sharrës sipas studimit të IFC, duke e shndërruar atë në koncesionin e Zotos-Mërtirit?

A është vepër penale marrja e angazhimit financiar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës pa miratimin e Këshillit Bashkiak? 

A ka përgjegjësi Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë dhe Kryeministri vet kur qeveria i jep bonus 8 për qind të pikëve një kompanie, për të cilën ishte informuar zyrtarisht se nuk ekzistonte?

Këto janë pikat e nxehta të hetimit, të cilat prokurorët e SPAK kanë detyrimin t’i qartësojnë. Por në dosjen e dorëzuar në GJKKO të gjitha këto pika kalohen me një narrativë evazive duke të krijuar idenë se prokurorët duan t’u shmangen. Ose kanë frikë t’i zbardhin.

Dhe kështu ëndrra romantike e heronjve të drejtësisë së re zëvendësohet dalëngadalë me realitetin e dhimbshëm të ushtarëve që përpiqen të mbijetojnë me shpresën se dikur do të vijë Armëpushimi i Madh i Le Francportit. Vetëm se këtë herë ajo që kapitullon nuk është ushtria Perandorake e Gjermanisë, por ëndrra e Drejtësisë së Re dhe bashkë me të edhe Shqipëria./KAPITALI

Rruga Press

YouTube player