Armend Muja padit Baton Haxhiun për shpifje dhe dezinformata ndaj tij
Deputeti Armend Muja, nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, ka treguar se e ka paditur Baton Haxhiun, pronarin e portalit Albanian Post, për deklaratat shpifëse dhe dezinformuese ndaj tij.
Muja i ka quajtur të ulëta dhe të rrezikshme shpifjet ndaj tij dhe ka thënë se do t’i shkojë deri në fund. Ai i ka ftuar institucionet relevante ta trajtojnë me prioritet dhe seriozitet çështjen.
“Ashtu siç kam paralajmëruar para disa ditësh, sot ju drejtova organeve të rendit të Republikës së Kosovës për të kërkuar një hetim të plotë dhe të paanshëm dhe ushtrova Padi lidhur me deklaratat shpifëse dhe dezinformuese të z. Baton Haxhiu, pronar i portalit Albanian Post”, ka deklaruar deputeti Muja.
Sipas tij, kjo është një shpifje sa e ulët aq edhe e rrezikshme, temë së cilës do t’i shkojë deri në fund. “Ftoj të gjitha institucionet relevante ta trajtojnë me prioritet dhe seriozitet çështjen”, ka përfunduar Muja.
Rruga Press