Arkeologët zbulojnë misterin e tempullit të Artemisës në Durrës
Kodra e Dautës në Durrës, pranë të cilës ngrihet prej dekadash Fabrika e Tullave, e cila shfrytëzon argjilën cilësore të zonës, u popullua dendur pas viteve ‘90. Gjetjet arkeologjike megjithatë tregojnë se ajo ka qenë e populluar edhe më herët dhe me gjasë ishte një prej vendeve të shenjta të Durrësit të lashtë.
“Kur çunat kanë hapur themelet e shtëpisë, kanë dalë ca tuba dhe ca kukulla”, tregon një e moshuar, banore e zonës që nuk dëshiron të identifikohet.
“Kukullat” për të cilat zonja e shtyrë në moshë zor se ka dijeni, janë objekte rreth 2600 vjeçare. Mijëra statuja të vogla prej balte të pjekur u gjetën në këtë kodër në një zbulim masiv në vitin 1970 nga arkeologu Vangjel Toçi.
Ato janë dhurata me fytyrën e perëndeshës së tempullit të lëna aty prej grave të Dyrrachiumit (Durrësit antik) që i luteshin asaj për t’i mbrojtur gjatë lindjes e për tu falur mirëqenien. Për vite me radhë, duke ditur lidhjen e qytetit me perëndeshën e pasionit dhe dashurisë Afërditën, u besua se faltorja i përkiste asaj.
Por pas 18 viteve punë kërrusur mbi terakota të vogla sa një gisht e copa enësh qeramike, një ekip arkeologësh e studiuesish shqiptaro-francez arritën në përfundimin se tempulli i përket rivales së saj Artemisës, e njohur si perëndesha e dëlirësisë.
Ngjarjet nuk kanë rrjedhur tamam si në tragjedinë Hipoliti të Euripidit që flet për rivalitetin mes dy perëndeshave të Olimpit. Ato kryesisht janë zhvilluar në një tryezë të ngushtë në një prej zyrave të Institutit të Arkeologjisë në Durrës, 30 vjet pasi faltorja ku ishin depozituar statujat u gjet prej Toçit – i cili njihet dhe si ‘babai’ i arkeologjisë durrsake.
Aty 10 arkeologë dhe studiues nga Shqipëria dhe Franca, të udhëhequr nga arkeologu francez Arthur Muller dhe ai shqiptar, Fatos Tartari, qëndruan kërrusur me vite mbi 6 ton gjetje arkeologjike, përfshi figurina të vogla, copa qeramike e monedha.
“Është një gjetje shumë e madhe dhe kurrë nuk janë gjetur kaq terakota me figurina të botës greke”, tha për BIRN Muller.
Arkeologët besojnë se kanë arritur në fund të punës së tyre dhe “projekti model” që studioi faltoren e Artemisës ka lënë të sistemuara në sirtarë qindra objekte të zbuluara dhe datuara. Shumë prej enëve qeramike u restauruan dhe monedhat u pastruan e u rindërtuan.
“Ne po realizojmë kolaudimin dhe presim më pas gjetjen e mbështetjes financiare që të nisim botimin dhe shpresojmë që në fund të vitit të kemi vëllimin e parë”, tha arkeologu Fatos Tartari, bashkëdrejtues i ekipit shqiptaro-francez, i krijuar nga bashkëpunimi mes Institutit të Arkeologjisë, Shkollës Franceze të Athinës dhe Universitetit “Sharle de Gole Lile”.
Gjëja e parë që ka lënë shenjë është volumi i gjetjeve që sipas dy studiuesve është nga më të mëdhenjtë dhe ka habitur këdo që e dëgjon!
“Janë rreth 6 ton me objekte arkeologjike. 4.5 ton me qeramikë, si kategori kryesore. Më pas vijojmë me fragmente figurinash, që janë 1.8 ton”, shpjegoi Muller për BIRN, teksa ndalon së shkruari në tastierën e kompjuterit.
Që të kuptohet më mirë ai krahason: “Unë studioj Thassos-in [ishull në Greqi], atje ka figurina nga tre faltore dhe gjetjet e të treve janë vetëm 800 kilogramë”.
Arkeologu Fatos Tartari me një farë padurimi flet nga ana tjetër e tryezës së mbushur me figurina antike dhe shpjegon se “një prodhim kaq i madh, i takon një qyteti shumë të zhvilluar, me popullsi të madhe, në kushtet kur na mungojnë raportet e sakta për popullsinë”.
Kjo është vetëm një nga përgjigjet që arkeologët kanë marrë gjatë studimit disa vjeçar. Ekipi, në të cilin përveç Tartarit dhe Muller janë edhe Shpresa Gjongecaj , studiuese për monedhat antike, Belisa Muka, studiuese e figurinave prej balte (koreoplaste), Frederik Stamati, restaurator i monedhave, Avni Alcani restaurator i terakotave dhe figurinave, Eduard Shehi, arkeolog, Marion Dufeu-Muller, historiane e artit antik, Anne Tichit, studiuese e qeramikës antike, Stephanie Huyscom-Haxhi, studiuese e figurinave prej balte (koreoplaste), ka kaluar në dorë mijëra objekte dhe ka përcaktuar se kjo faltore pozicionohej jashtë kufijve të qytetit antik.
“Janë rindërtuar enë të pikturuara. Janë pastruar mekanikisht dhe kimikisht 650 monedha. Nuk mund ta themi se sa copa qeramike apo figurina janë restauruar sepse kanë qenë në volume të ndryshme”, tha Tartari.
Ata po ashtu gjetën se ndryshe nga sa hamendësohej aty nuk adhurohej Afërdita, por Artemisa.
“Përpara punës sonë ka pasur mendime se është sanktuari i Afërditës, por tashmë ne jemi të sigurt se është sanktuari i Artemisës. Ky është rezultati i parë i punës sonë. Ne kemi tekstet antike, të cilat referojnë Artemisionin në Durrës. Autori antik Appian, që ka shkruar për luftërat e Çezarit dhe Pompeit në Durrës, jep një pasazh që na dërgon ne tek Sanktuari i Artemisës”, shpjegoi Tartari.
Gjurmë të emrit të perëndeshës “Artemisë”, shumë popullore në territorin e Ilirisë, arkeologët i kanë identifikuar pasi restauruan në mbishkrimet e pikturuara mbi enët që i dedikoheshin kësaj perëndeshe. Ata shpjegojnë se nëpërmjet restaurimit janë zbuluar mbishkrimet e Artemisit që janë punuar në fragmente qeramike dhe metalike. Objektet e zbuluara janë nga më të ndryshmet në bronz dhe në gur. Artemisa aty herë shfaqet si gjuetare dhe herë si mbrojtëse që siguronte rrugën që lidhte Durrësin me Kënetën.
Arkeologët besojnë se në faltore shkonin kryesisht femrat e qytetit, që në bazë të statusit shoqëror dhuronin figurina të punuara me baltë të pjekur, për nder të perëndeshës Artemisë, që shfaqet si garantuese e mirëqenies dhe martesës.
Edhe meshkujt besohet se kanë dhuruar figurina. Sipas arkeologëve dhuratat e tyre dallojnë pasi janë kryesisht enë në miniaturë për mbajtjen e pijeve. Ata i bënin dhuratat pasi merrnin shtetësinë dhe përpiqeshin të bëheshin pjesë e shoqërisë së qytetit.
Ndërtimet cënuan “kodrat e shenjta” rreth Durrësit
Megjithëse kanë kaluar 18 vjet puna nuk është përfunduar. Zbulimi i depozitës ku vendoseshin dhuratat për Artemisën nuk është shoqëruar me gjetjen e tempullit.
“Çdo sanktuar kishte depozitën e tij. Tempulli nuk u zbulua, sepse Durrësi sot nuk krijon mundësi për gërmime të mëdha dhe ato më të rëndësishmet përpara viteve 90 ishin rastësore”, shpjegon i shqetësuar arkeologu Fatos Tartari.
Po kjo nuk është e vetmja faltore antike kushtuar perëndive nga banorët e Durrësit që nuk është zbuluar.
Në kodrën e Stanit, pranë së cilës janë planifikuar ndërtime publike që kërcënojnë pasurinë arkeologjike, arkeologu austriak Arnold Schober gjeti që në Luftën e Parë Botërore disa rrënoja të cilat besohet se i përkisnin një tempulli të periudhës romake. Gjetjet arkeologjike kanë zbuluar një mbishkrim të skalitur në një altar varri, që dëshmon për ekzistencën e tempullit të Minervës, por që ende nuk është zbuluar.
Po ashtu pak kilometra nga Kodra e Dautës, në Kodrën e Xhamallës (Spitallë), në vitin 2003 arkeologët zbuluan pjesërisht një tempull që ka qenë i shkatërruar që në antikitet. Ndërkohë një pjesë e këtyre zbulimeve kanë humbur mes ndërtimeve të reja. Deri në vitin 2017 në Spitallë, në terren identifikoheshin element arkitektonik të tempullit dhe midis barishteve dukeshin pirgjet me qeramikë, por sot aty është ngritur një ullishte dhe me ndërtimin e disa strukturave prej betoni nuk ka më gjurmë objektesh arkeologjike.
BIRN gjeti dëshmi për këtë tempull në një publikim të Institutit të Arkeologjisë (IA) për zbulimet më të rëndësishme në Shqipëri në vitet 1998-2013, ku renditet Sanktuari i Artemisës, tempulli në Spitallë dhe në Kepin e Palit. Tempulli rural në kodrat e Spitallës nga arkeologët përcaktohet si i periudhës arkaike, ndërtuar me kolona prej guri shtufi.
Ngjashëm është edhe fati i tempullit në Kepin e Palit (“Bisht Pallë”). Me vëzhgim sipërfaqësor aty ende pranë disa cisternave për hidrokarbure duken element arkitektonik të një tempulli.
Sipas një botimi të IA-së mbi këtë zbulim, ai është i një faze të hershme të zhvillimit të qytetit, kur ai ende quhej Epidamn. Ky tempull gjendet shumë pranë detit dhe datohet midis periudhës arkaike dhe asaj helenistike. Pranë tij gjenden edhe gjumë më të hershem të vendbanimit në territorin e Durrësit.
Por siç theksohet në studim, zhvillimi zonës me karakter industrial e cënon nëntokën e pasur arkeologjike.
Një tjetër tempull u gjet në zonën e ish-kënetës. Pjesë e faltores së zbuluar në këtë zonë iformale ekspozohen në Muzeun Arkeologjik Durrës. Në një artikull shkencor të vitit 1989, arkeologu Halil Mytro flet për një zonë me potencial arkeologjik që daton nga periudha helenistike, deri në shekujt e parë të Erës Sonë. Si thotë se nga ky kompleks ndërtimesh shquhet një tempull ndërtuar me blloqe monolite, altar flijimi monumental, duke vijuar me kolona mbi të cilat qëndronin kapitele të formës “dorike”.
“Monumenti deri më sot mbetet unikal në vendin tonë”, shkruan arkeologu Mytro, duke dyshuar për një datim midis periudhës klasike dhe asaj helenistike. Ky monument ashtu si shumë përpara viteve’ 90 u shpëtua, ndërsa sot ish-këneta gjallon nga ndërtimet që i kanë ngulur thellë nëntokë themelet./d.sh