Argumentat/ Si e shpjeguan prokurorët e SPAK kërkesën për pezullimin e Ballukut
Prokurorët e SPAK kanë argumentuar në Gjykatën Kushtetuese se qëndrimi i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në detyrë përbën rrezik për procesin hetimor dhe interesin publik, duke justifikuar kërkesën për pezullimin e saj.
Prokurori Dritan Prençi deklaroi gjatë seancës se Balluku ka ndikuar në procesin e marrjes së provave pasi është rikthyer në detyrë, duke cenuar hetimin.
“Duke patur parasysh edhe rolin dhe funksionin e lartë shtetëror të zonjës Balluku, dhe kemi argumentuar në parimin e proporcionalitetit, nevojat për marrjen e provave, hetimet, me dëshmitarë dhe siç kemi argumentuar edhe në kërkesën tjetër në Kuvend, që realisht kanë ndërhyrë në procesin e hetimit dhe ka cenuar marrjen e provave”, tha prokurori Dritan Prençi.
I pyetur mbi pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pezullimit nga detyra, Prençi theksoi se vendimi ka ndikuar drejtpërdrejt në hetim.
“Patjetër që ka dhënë efekt ky vendim i Gjykatës Kushtetuese mbi pezullimin e vendimit të GJKKO, masës ndaluese ndaj personit në fjalë, për shkak se edhe në argumentimin që kemi bërë qoftë në marrjen e vendimit në Shkallën e Parë.
Përse e kërkojmë këtë masë ndaluese përveç masës tjetër, duke patur parasysh edhe rolin dhe funksionin e lartë shtetëror të zonjës Balluku, dhe kemi argumentuar në parimin e proporcionalitetit, nevojat për marrjen e provave, hetimet, me dëshmitarë dhe siç kemi argumentuar edhe në kërkesën tjetër në Kuvend, që realisht kanë ndërhyrë në procesin e hetimit dhe ka cenuar marrjen e provave.”
Ndërkohë, prokurorja Dorina Bejko theksoi se qëndrimi i Ballukut në detyrë përbën rrezik potencial për hetimin dhe interesin publik.
“Në vlerësimin makro të rreziqeve ka krijuar se ka vazhduar të ushtrojë detyrën e ministres dhe zv. kryeministres.
Vetë përfaqësuesi i kryeministrit tha se e hetuara ka propozuar 50 akte. Pra ne jemi para gjykatës dhe po bëjmë të ditur se kjo e hetuar nuk ka përmbushur detyrën e saj në përputhje me ligjin, ka cenuar interesin publik dhe rreziku që kjo e hetuar ta vazhdojë dhe vërë në rrezik interesin publik është konkret se vazhdon në këtë detyrë. Në mënyrë makro thashë se ekziston rreziku që nëpërmjet vijimit të detyrës e hetuara ka rrezikun që të kryejë vepra penale të të njëjtës natyrë dhe të helmojë provat.”
Bejko argumentoi gjithashtu se veprat penale për të cilat Balluku është marrë e pandehur konsiderohen krime të rënda dhe lidhen drejtpërdrejt me funksionin e saj si ministre.
“Në rastin konkret vepra penale që ne hetojmë konsiderohen krime të natyrës së rëndë, për shkak të rrezikshmërisë dhe subjekteve që kryejnë ato. Vepra penale që i është atribuuar të hetuarës përfshihet në konceptin e krimit të rëndë.
Jemi para situatës kur e hetuara ka kryer jo një, por disa fakte penale historike që përkthehen në veprën penale të parashikuar nga neni 258 të kodit penal disa herë.”
Sipas SPAK, pezullimi nga detyra lidhet drejtpërdrejt me pozicionin e saj si ministre dhe me rrezikun që ajo të vazhdojë veprimtarinë e dyshuar penale.
“Pezullimin nga detyra e shohim të lidhur me pozicionin e saj si ministre.
Ne, SPAK ato dy lloje masa shtrënguese i ka kërkuar në përputhje me rrethanat që kanë ekzistuar në atë moment. Në atë moment SPAK ka konkluduar se nëse e hetuara do vazhdonte të ushtronte detyrën do kryente vepra penale të të njëjtit lloj”, tha prokurorja e SPAK.
Rruga Press

