Arben Vitia: Spitali i Mitrovicës pajiset me depo moderne të barnave, përmirësohet menaxhimi në shëndetësi publike
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se nga sot edhe Spitali i Mitrovicës është pajisur me depo moderne të barnave, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore publike në Kosovë.
Vitia ka kujtuar se në fillim të mandatit qeverisës, gjatë periudhës së pandemisë, gjendja në sistemin shëndetësor ishte alarmante, me mungesë të depove adekuate për ruajtjen e vaksinave dhe barnave, si në QKUK ashtu edhe në spitalet publike nëpër vend.
Sipas tij, sot kjo situatë ka ndryshuar rrënjësisht. Aktualisht, Kosova ka depo për vaksinat në QKUK, depo moderne të barnave në Gjilan, Pejë dhe Mitrovicë, ndërsa brenda javës pritet të përfundojë edhe Depoja Qendrore e Barnave në Fushë Kosovë.
Ministri theksoi se këto investime janë të domosdoshme për garantimin e sigurisë, cilësisë dhe menaxhimit më të mirë të barnave në sistemin publik shëndetësor, duke rritur standardet e shërbimeve për qytetarët.
Rruga Press

