Apeli i GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë për Belinda Ballukun dhe 2 vartësit e saj
Belinda Balluku dhe vartësit e saj nën akuzë Erald Elezi dhe Gentian Gjyli nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e rekursit në Gjykatën e Lartë për masat e sigurisë.
Apeli Antikorrupsion la në fuqi masën e ndalimit jashtë vendit për Ballukun, por nuk e mori në shqyrtim masën e pezullimit nga detyra në kohën kur Gjykata Kushtetuese e kishte zhbërë përkohësisht vendimin e Shkallës së Parë për këtë kufizim (pezulloi pezillimin) dhe për sa kohë çështja është nën shqyrtim ende në Kushtetuese ku pritet të ketë vendimmarrje më 22 janar.
“Vendimi lexohet me shumë vështirësi sepse është printuar në eco mode, dhe disa faqe janë krejt të bardha. Për më tepër arsyetimi që është i lexueshëm nuk ka dallim nga ai i shkallës së parë, ç’ka tregon se gjykata apo prokuroria nuk kanë bërë asnjë verifikim apo të mbajnë qëndrim mbi shkaqet e ankimit tonë për shkelje që kemi evidentuar. Për sa kohë gjykatat nuk ndalen të analizojnë provat që ne iu vëmë në dispozicion por marrin parasysh vetëm rrethanat që parashtron organi hetues mbi rëndësinë e masave, pse duhet ti drejtohemi një gjykate më të lartë?!”, tha avokati Andi Skënderi i pyetur nga Syri teksa me sa duket gjithë pesha e kësaj çështjeje për momentin dhe vëmendja njëkohësisht është tek 22 janari.
Gjyqtarja e Apelit Miliana Muça arsyeton në vendimin e 18 dhjetorit se ekziston rreziku që zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, t’i shmanget drejtësisë, kjo duke u bazuar te marzhi i dënimit që parashikon akuza që i është komunikua për shkelje të barazisë në tendera. Teksa Balluku vijon në detyrë por me pasaportë të bllokuar, dhe dy drejtorët Elezi e Gjyli në arrest shtëpie, për abuzimet me tenderat në tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës, nga Kuvend SPAK po pret hapjen rrugë arrestit të numrit dy të qeverisë.
Rruga Press

