Lajme

Ankimohet tenderi për rrugën që lidh autostradën Fier-Vlorë me Aeroportin e ri

FIER-VLORË – Vetëm pak ditë pas shpalljes të fituesit për procedurën e prokurimit që ka në objekt lidhjen e autostradës Fier-Vlorë me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, çështja ka përfunduar në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP). Bëhet fjalë për ankesën e një subjekti ndaj Autoritetit Rrugor Shqiptar. Sipas dokumentit, ankimuesi është kompania Shkëlqimi 07 i cili referuar edhe shpalljes së bërë nga ARRSH ka qenë pjesëmarrësi me ofertën më të ulët ë procedurë. Ky i fundit ka dhënë një ofertë prej 140 milionë lekësh ndërkohë që fondi limit i procedurës ishte 267 milionë lekë. Në total në procedurë kanë marrë pjesë 15 operatorë dhe fituese ka rezultuar oferta e Fusha me një ofertë prej 209 milionë lekë.

Ankimimi i bërë në KPP nga ana e operatorit ankimues ka ardhur pas përgjigjes së dhënë nga ARRSH ku oferta e tij prej 140 milionë lekësh cilësohet si anomalisht e ulët çka do të thotë se rrezikon të mos përmbushë standardet që kërkohen sipas ARRSH-së. Tashmë mbetet në dorën e Komisionit për të dhënë vendimin nëse procedura do të lejohet të vijojë me nënshkrimin e kontratës apo do të ketë një rishikim dhe kthim të saj.

Lexo më shumë  Shembjet në korridorin VIII dëshmojnë për keqmenaxhimin si model qeverisje

Projekti për rrugën

Më herët ARRSH në dokumentet shoqëruese të procedurës sqaronte se lidhja e Aeroportit me sistemin rrugor kombëtar merr një rëndësi të madhe për vetë fluksin e udhëtarëve dhe transportit të mallrave të cilët duhet të gjejnë rrugën më të shkurtër dhe më ekonomike për t’u lidhur me akset kombëtare të vendit dhe destinacionet e kërkuara.

“Për të lidhur aksin rrugor Levan –Tepelene me Aeroportin e Vlorës si varianti më i shkurtër dhe më i përshtatshëm është qe te shfrytëzohet rruga ekzistuese e fshatit Akerni në një gjatësi prej rreth 3 km, e cila kalon në një pjesë të saj në zonë rurale dhe përfundon me një nyje në disnivel në aksin rrugor Levan-Tepelene dhe lidhja me këtë aks te realizohet duke shfrytëzuar rampat ekzistuese te kësaj nyje . Ne projekt duhet te parashikohet lidhja e kësaj rruge me Aeroportin dhe me rrugët ekzistuese të zonës (nyje në nivel /disnivel)”, thuhet në dokument. Në të njëjtën ditë ARRSH ka hapur edhe procedurën për të gjetur mbikëqyrësin e projektit.

Lexo më shumë  Ambasadori i BE-së në Shqipëri, e pranon se më 11-Maj 2025 u përdor shteti nga partia në pushtet për zgjedhjet

Aeroporti i Vlorës shtrihet tek ish-aeroporti ushtarak i Mifolit pranë fshatit Akërni, Novoselë, Vlorë. Vendndodhja për aeroportin e ri gjendet pranë Lagunës së Nartës, Kriporja e Vlorës dhe lumit të Vjosës. Nga ana jugore ajo kufizohet me Lagunën e Nartës rreth 5 km në vijë ajrore peizazh i mbrojtur natyror. Nga ana perëndimore kufizohet me vijën bregdetare rreth 6.4 km larg në vijë ajrore. Ky Aeroport është i treti në vend me koncesion pas Tiranës dhe Kukësit që janë tashmë funksionalë ndërkohë që një tjetër garë është hapur dy herë për Aeroportin e Sarandës i cili do të funksionojë si aeroport sezonal. (MONITOR)

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *