Anija LEO II, stacioni sekret lundrues i naftës ruse në Mesdhe
Një anije nën flamurin e Panamasë po shërben si hallkë kyçe e “flotës në hije” që po i ndihmon Rusisë t’i shmangë sanksionet ndërkombëtare.
Një investigim i fundit ndërkombëtar ka zbuluar se anija cisternë LEO II, që prej muajit korrik ndodhet në ujërat e hapura pranë Qipros, po luan një rol të dyshimtë në rrjetin e fshehtë të tregtimit të naftës ruse.
Në pamje të parë, LEO II është një përdorues i rregullt i detit, me flamur panamez dhe menaxhim nga kompania greke Sea Trade Marine SA — as anija dhe as kompania nuk figurojnë në asnjë listë sanksionesh të BE-së, SHBA-së apo OKB-së. Por, siç zbulohet nga të dhënat e lëvizjeve detare, kjo anije “e pastër” ndodhet në një nga pikat më të njohura të Mesdheut për operacionet e transbordimit të naftës (STS) – shkëmbimin e ngarkesave mes anijeve në det të hapur.

Sipas burimeve të verifikuara, LEO II ka shërbyer si “stacion shërbimi” për flotën e errët të Rusisë, duke pranuar naftë të papërpunuar që vjen nga portet ruse si Tuapse, Primorsk e Novorossiysk – shpesh përmes anijeve që janë nën sanksione. Pasi ngarkesa transferohet në LEO II, ajo dërgohet më tej te cisterna të tjera “më të pastra”, që e çojnë më vonë drejt tregjeve të fshehta ndërkombëtare.
Vetëm që nga 20 shtatori, LEO II ka kryer të paktën 8 operacione transbordimi, me anije si DUKE II, MILANO, ROMA, EARTH, CHEM NICHOLAS, ATLAS STAR, ELAIA dhe CHEM HELEN – me një total prej 195 orësh shkëmbime në det të hapur. Në total, dyshohet se LEO II ka realizuar mbi 30 transborde, duke u kthyer në një “stacion karburanti lundrues” për naftën e sanksionuar ruse.

Çfarë është “flota në hije” e Rusisë?
“Flota në hije” (shadow fleet) është termi që përdoret për qindra anije të vjetra, pa sigurime perëndimore dhe me pronësi të fshehur, të cilat transportojnë naftë ruse jashtë sistemit zyrtar të tregtisë, për të shmangur embargon e Bashkimit Europian dhe kufirin e çmimit të vendosur nga G7.
Këto anije ndryshojnë shpesh flamur, pronar e identitet, dhe operojnë në zona ku kontrolli ndërkombëtar është i dobët – si Gjiri i Larnakës në Qipro, Deti i Zi dhe Gjiri i Omanit. Përmes këtij rrjeti, Rusia vazhdon të eksportojë miliona fuçi naftë në ditë, duke mbajtur gjallë financat e saj të luftës kundër Ukrainës.
Rreziku për BE-në dhe rajonin
Ekspertët paralajmërojnë se operacionet e flotës në hije po minojnë sanksionet e Bashkimit Europian dhe po krijojnë një treg paralel energjie që përfshin edhe kompani ndërmjetëse në Evropën Juglindore. Ndërkohë, rritja e aktivitetit të këtyre anijeve pranë Qipros dhe Greqisë po shton presionin mbi vendet e BE-së për kontroll më të rreptë detar dhe transparencë në tregtinë e naftës.
Rruga Press

