Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor, Sassoli: BE të rishikojë procesin, pritja s’mund të zgjasë me dekada
Bashkimi Europian duhet të rishikojë procesin e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në bllok. Këtë e tha presidenti I Parlamentit Europian, David Sassoli në hapje të Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, që këtë vit ka si temë të ardhmen e BE-së dhe Ballkanit.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e historisë sonë dhe ne ndajmë me ta një identitet të përbashkët. Për këtë arsye ne duhet të jemi të gatshëm që të angazhohemi për procesin e anëtarësimit sepse ne duhet që ta rishikojmë këtë proces ne nuk mund të mbajmë shtetet dhe opinionin publik duke pritur me dekada. Ata duan që t’i bashkohen familjes sonë europiane”, tha Sassoli.
Ai kërkoi të mos ketë me vonesa në procesin e anëtarësimit e Ballkanit Perëndimor në BE, pasi siç tha, shtete të tjera mund të përfitojnë. Gjatë diskutimeve në kuadër të forumit, presidenti i Parlamentit Europian kritikoi shtetet anëtare, të cilat sipas tij nuk ishin të gatshme të pranonin refugjatët afganë, ashtu siç bënë vende të treta, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Rruga Press