Bota

Analiza – Ukraina do të dominojë diskutimet, çfarë është G7 dhe sa kushton një Samit i saj

Samiti i G7 zhvillohet nga 26-28 qershor nën presidencën gjermane, si kryesuese e radhës së G7-s. Po me çfarë merret ky forum jozyrtar por me kaq peshë?

Kush bën pjesë në G7?

“Grupi Shtatë” përfshin Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Italinë, Japoninë, Kanadanë dhe SHBA-në. Rusia ka qenë pjesë e këtij grupi nga viti 1998 deri më 2014 dhe ky grup asokohe quhej G8. Por Rusia u përjashtua për shkak të aneksimit të Krimesë.

Kur u formua në mesin e viteve 1970, vendet e G7 ishin ekonomitë më të mëdha në botë. Sot ato e përshkruajnë veten si “demokracitë e forta ekonomikisht të botës”, siç tha së fundmi kancelari Olaf Scholz. Një komunitet vlerash, anëtarët e të cilit janë të përkushtuar ndaj lirisë dhe të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si dhe prosperitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

G7 nuk është ndonjë organizatë ndërkombëtare, por një forum jozyrtar. Grupi nuk mund të marrë vendime ligjërisht të detyrueshme, por dakordohet për qëndrime dhe iniciativa të përbashkëta në fusha të ndryshme të politikave. Rezultatet e bisedimeve regjistrohen në deklaratat e përbashkëta të krerëve të shteteve dhe qeverive, të ashtuquajturat komunikata.

Temat e takimeve?

Ndërsa krerët e shteteve dhe qeverive fillimisht donin të flisnin vetëm për çështjet financiare dhe valutore në grupe të vogla, sot pothuajse të gjitha çështjet me rëndësi globale janë në axhendën e G7. Në vitet e fundit, temat kryesore kanë qenë ekonomia botërore, politika e jashtme dhe e sigurisë, zhvillimi dhe migrimi si dhe ndryshimet klimatike.

Lexo më shumë  Ndihma norvegjeze për Ukrainën do të arrijë në 2.7 miliardë dollarë në 2025

Përmbajtja e samitit përcakohet nga nikoqiri. Gjermania mban presidencën e G7 gjatë këtij viti. Samiti i radhës zhvillohet në Kështjellën Elmau në Bavarinë jugore dhe ka temën “Përparimet drejt një botë të drejtë”. Fillimisht, ka dominuar tema e luftës kundër ndryshimeve klimatike dhe përshpejtimi i tranzicionit global të energjisë. Por pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, klima ka kaluar në plan të dytë. Kancelari Scholz ka ftuar presidentin ukrainas Wolodymyr Zelenskyy të marrë pjesë virtualisht në samitin e G7.

Sa shpesh takohet G7?

Ajo që filloi si takime vjetore të G7-ës në grupe të vogla, tani është shndërruar në një bashkëpunim të përhershëm në nivel të ministrave dhe zyrtarëve të lartë të qeverive. Ata koordinojnë qëndrimet kombëtare në mënyrë të vazhdueshme dhe sigurojnë në prag të takimeve ministrore dhe samiteve qëndrimet e palëve për takimet e niveleve më të larta.

Komisioni Evropian ka statusin e vëzhguesit, ndërsa përfaqësuesit më të rëndësishëm të BE-së marrin pjesë në samitet e G7. Vendet në zhvillim janë ftuar shpesh si mysafirë. Në vitin 2022 kanë marrë pjesë Argjentina, India, Indonezia, Senegali dhe Afrika e Jugut në këto takime.

Lexo më shumë  Kuleba: Trump nuk mund të bëjë marrëveshje paqeje me Rusinë për Ukrainën

Kritikat ndaj G7?

Popullsia e vendeve të G7 përbën vetëm rreth 10 përqind të popullsisë së botës, por gjeneron rreth 45 përqind të të ardhurave bruto globale. Pra, G7 janë vendet veçanërisht të pasura. Edhe nëse nuk mund të bien dakord për ndonjë rezolutë detyruese, qëndrimet e tyre të formuluara së bashku kanë peshë të konsiderueshme politike. Takimet e G7 gjithmonë hapin rrugën për nisma dhe marrëveshje shumëpalëshe.

Kritika më e madhe është se interesat e tyre dominojnë dhe, mbi të gjitha, se Jugut i kushtohet shumë pak vëmendje. Organizatat e shoqërisë civile kërkojnë rregullisht që G7 të luftojë më intensivisht shkaqet e urisë dhe kërkojnë të ndajë më shumë para për këtë luftë. Në vitin 2015, G7 vendosi si synim eliminimin e urisë për 500 milionë njerëz deri në vitin 2030.

Sa kushton një samit?

Samiti i G7 i këtij viti zhvillohet në Kështjellën Elmau në Bavari, në të njëjtin vend si në vitin 2015, kur Gjermania mbajti për herë të fundit presidencën e G7. Kostot vetëm për sigurinë llogariten në 180 milionë euro. Kjo paguhet nga qeveria federale dhe shteti i Bavarisë.

Marrë nga DW.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *