Analiza nga Reuters/ A mund të bëjë OKB-ja më shumë për krizën Rusi-Ukrainë?
Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, anuloi një vizitë në Liberi, të planifikuar këtë javë, për t’u fokusuar në, siç u tha, aktivitetet diplomatike të OKB-së kundrejt Rusisë.
Rusia, tash e sa muaj, ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në kufijtë me Ukrainën dhe SHBA-ja ka paralajmëruar se Moska mund të nisë sulmet ushtarake në çdo kohë.
Tensionet kanë arritur edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dy javë më parë, në një takim publik të kërkuar nga Uashingtoni.
Rusia, e cila mohon se ka plane për të pushtuar Ukrainën, ka bërë një përpjekje të dështuar për t’i ndaluar diskutimet në Këshill.
Të gjithë anëtarët, megjithatë, kanë mundur t’i shprehin hapur pikëpamjet e tyre, por ndonjë veprim nga Këshilli 15-anëtarësh nuk ka pasur dhe nuk pritet të ketë – edhe sikur Rusia ta pushtojë Ukrainën.
Një deklaratë e thjeshtë ka nevojë për mbështetje unanime dhe Rusia mund të vendosë veto ndaj çdo përpjekjeje për rezolutë.
Rusia është një nga pesë fuqitë e përhershme të Këshillit të Sigurimit, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Francën, Britaninë dhe Kinën, të cilat kanë të drejtë vetoje.
Këshilli i Sigurimit është i ngarkuar me ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Rusia, për më tepër, mban presidencën e radhës të Këshillit për muajin shkurt.
Çfarë ka ndodhur me Krimenë?
Nëse ushtria ruse e përshkallëzon krizën, diplomatët dhe analistët e politikës së jashtme thonë se diplomacia në Kombet e Bashkuara ka të ngjarë të pasqyrojë atë që ka ndodhur në vitin 2014, pasi Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë.
Këshilli i Sigurimit është mbledhur dhjetëra herë që atëherë, për të diskutuar krizën në Ukrainë. Në mars të vitit 2014, Këshilli ka votuar për një rezolutë të hartuar nga SHBA-ja, e cila ka kundërshtuar referendumin mbi statusin e Krimesë dhe u ka kërkuar vendeve që të mos e njohin atë. Rezoluta ka marrë 13 vota për, Kina ka abstenuar dhe Rusia i ka vënë veto.
Në përpjekje për të demonstruar izolimin ndërkombëtar të Rusisë, vendet perëndimore kanë nxjerrë një tekst të ngjashëm para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila ka miratuar një rezolutë që e shpallte referendumin të pavlefshëm. Rezoluta ka marrë 100 vota për, 11 kundër dhe 58 abstenime, ndërsa dhjetëra vende nuk kanë votuar.
Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme kanë peshë politike, por nuk janë ligjërisht të obligueshme. Ndryshe nga Këshilli i Sigurimit, asnjë vend nuk e ka të drejtën e vetos në Asamblenë e Përgjithshme.
Çfarë po bëjnë diplomatët perëndimorë?
Gjatë krizës së fundit, diplomacia perëndimore në Kombet e Bashkuara është përqendruar kryesisht në mbledhjen e mbështetjes nga anëtarët e OKB-së, duke e akuzuar Rusinë për minimin e Kartës së OKB-së.
Karta është dokumenti themelues i Kombeve të Bashkuara, që përshkruan qëllimet dhe parimet e tyre, të miratuara qysh në vitin 1945.
“Veprimet e Rusisë kundër Ukrainës nuk janë vetëm çështje rajonale”, ka thënë muajin e kaluar ambasadorja amerikane në OKB, Thomas-Greenfield.
“Ato ndikojnë në çdo shtet anëtar të OKB-së dhe ne duhet të jemi të përgatitur të qëndrojmë të bashkuar dhe solidarë, nëse Rusia kundërshton vlerat dhe parimet e përbashkëta që mbështesin sistemin tonë ndërkombëtar”, ka thënë ajo.
Rusia mban presidencën e Këshillit për muajin shkurt. Ky është kryesisht një rol administrativ, por përfshin caktimin e takimeve, andaj disa diplomatë paralajmërojnë se Rusia mund të shtyjë çdo përpjekje nga anëtarët e Këshillit për të kërkuar bisedime të reja mbi veprimet ruse.
Siç qëndrojnë gjërat tani, Këshilli pritet të diskutojë për Ukrainën më 17 shkurt, thonë diplomatët. Është një takim i rregullt për Marrëveshjet e Minskut, të cilat janë miratuar nga Këshilli në vitin 2015, për t’i dhënë fund luftës së separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.
Asambleja e Përgjithshme do të mbajë gjithashtu një diskutim vjetor mbi “situatën në territoret përkohësisht të okupuara të Ukrainës”, më 23 shkurt./REL/
Rruga Press