Lajme

Analiza e Policisë: 100-ditëshi skadoi, 13 krime mafioze të pazbardhura

Afati 100-ditor i  vendosur nga kryeministri Rama për Policinë skadoi ndërsa ngjarjet kriminale vijojnë të mbeten të pazbardhura. Veç atyre për motive banale siç ishin javën e fundit plagosjet e trefishta në Tiranë, ajo që mbetet shqetësuese janë ato të krimit të organizuar.

Shumica e krimeve të rënda mbeten ende pa autor ndërsa 5 janë qarqet më problematike. Më 24 janar të këtij viti 32-vjeçari Edmir Begu sapo kishte dalë nga automjeti i tij në lagjen numër 16 në Durrës kur u qëllua për vdekje me breshëri plumbash. Në atëkohë policia nuk kishte asnjë informacion lidhur mbi motivet e ekzekutimit të të riut, i cili njihej dhe si Ilir Kuçi.

Disa ditë më pas, më 6 shkurt në Vlorë Gentian Qarri u ekzekutua teksa ecte në lagjen 29 nëntori. Edhe për këtë vrasje policia nuk zbardhi asgjë mbi atentatin ndërsa u mjaftua vetëm me automjetin e djegur në pyllin e Sodës. Një muaj më pas më 20 mars një prej emrave të skeduar nga policia u ekzekutua në mes të ditës fare pranë banesës së tij.

Lexo më shumë  26 ton misër nga Serbia me përmbajtje mbi normë të alfatoksinës B1, AKU në Shkodër kallëzon penalisht ‘Modi’ shpk

Edmond Koçi i njohur dhe si Mond Çekiçi u qëllua për vdekje në një atentat tipik mafioz. E vetmja pamje e autorëve ishte një automjet luksoz i vjedhur cili u dogj në Katund të Ri. Bardhok Pllanaj, një tjetër emër i njohur nga drejtësia u ekzekutua pas orës policore në prill të këtij viti. Ai kishte vizituar të ëmën në spital ndërsa autorët u siguruan që ishte vetëm dhe qëlluan ndaj mjetit të tij duke e lënë të vdekur.

Më 10 maj një tjetër ekzekutim në mes të ditës nuk u arrit të parandalohej nga policia. Bledar Bircaj lëvizte me makinën e tij në zonën e njohur si Bishti i Kalldrëmit në Vlorë kur u qëllua nga dy persona me armë automatike. Në këtë ngjarje Policia jo vetëm që nuk ka persona të dyshuar por nuk mundi të gjente as makinën e vrasësve.

Lexo më shumë  Kushtetuesja vendos masë të përkohshme në lidhje me dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

Një ditë pas krimit në Vlorë më 11 maj në Elbasan u ekzekutua Everest Cakaj. Ngjarja u lidh me të shkuarën kriminale të viktimës por pa asnjë të dyshuar. E njëjta histori 10 ditë më pas po në Vlorë ku edhe ekzekutimi i 38-vjeçarit Delon Troqe mbetet pa autor.

Fillimi i muajit tjetër sërish i njëjtë. Më 1 qershor në Tepelenë një 52-vjeçar, Cajup Selimi u qëllua në derën e banesës së tij. Ngjarja në lagjen 15 shtatori mbetet e pazbardhur. Në korrik, Shkëlzen Velaj u mundua t’i largohej vrasësve të cilët e ndoqën deri në katin e pestë të pallatit ku kishte shtëpinë dhe e qëlluan për vdekje. Edhe për Gramoz Memajn, 40-vjeçarin e ekzekutuar në Ksamil ende nuk ka asnjë person të ndaluar, ndërsa vrasjet nuk ndaluan as në muajin gusht, ku Bledar Muça mbeti i vrarë në Lushnje. 

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *