KryesoreLajme

Analiza e DW: A po dështon modeli i Melonit me qendrat e azilit në Shqipëri?

Përsëri qeveria e Italisë dështoi në përpjekjen për devijimin e procedurave të azilit jashtë BE-së: Një tjetër gjykatë vendosi kthimin e refugjatëve nga Shqipëria.

Më keq se kaq vështirë se mund të kishte ecur për qeverinë e djathtë të Italisë: Përpara një jave kryeministrja Giorgia Meloni në samitin e BE-së i bëri reklamë modelit të saj, se si mund të menaxhohet një qendër për shqyrtimin e kërkesave për azil në një vend të tretë. Por tani qendra e sapo ndërtuar në Shqipëri – pa llogaritur personelin italian – sërish ka mbetur bosh, për të dytën herë brenda një kohe të shkurtër.

Në tetor Italisë iu desh t’i kthejë në vend 16 azilkërkuesit e transportuar në Shqipëri,  pasi disa ishin minorenë, një tjetër i sëmurë, e dymbëdhjetë të tjerë, sepse sipas ligjit aplikimi i tyre duhej shqyrtuar në Itali. Një javë më parë të premten (08.11) qeveria ndërmori një përpjekje të dytë duke dërguar shtatë migrantë nga Egjipti dhe Bangladeshi në Shqipëri. Por të hënën (11.11) një gjykatë në Romë vendosi kthimin e këtyre personave në Itali duke referuar, që sqarimi përfundimisht duhej t’i kalojë Gjykatës Europiane. Një anije e truprojës kufitare i ktheu refugjatët përsëri në Brindizi.

Në rast të mbingarkesës qeveria e Italisë shpreson, që të dërgojë deri në 40.000 azilkërkues që tentojnë hyrjen ilegalisht në Itali, t’i zhvendosë në qendrën e Shqipërisë për shqyrtimin e kërkesave të azilit. Por edhe një muaj pas shtyrjes së herë pas hershme mbetet e paqartë, nëse do të mund të merret ndonjëherë qoftë edhe një vendim i vetëm për azilin në strehimoren në Shqipëri.

Stand-Off me drejtësinë

“Tani do të ishte në fakt hapi i duhur, që qeveria Meloni të thoshte: ‘Okay, u përpoqëm, por nuk është e mundur'”, thotë Hein, politolog i specializuar në fushën e politikave të emigracionit dhe të drejtën e azilit në Universitetin LUISS në Romë. Kjo për arsye se si Gjykata Europiane edhe disa gjykata italiane javët e shkuara kanë shpehur rezerva lidhur me konceptin e praktikuar nga Italia lidhur me përcaktimin e vendeve të sigurta të origjinës – “veçanërisht Egjipti dhe Bangladeshi, por edhe Tunizia, janë vendet nga vijnë kryesisht azilkërkuesit në Itali”, thotë për DW eksperti Hein.

Lexo më shumë  Ministrja Hajdari: Në tri vitet e fundit 41 mijë biznese të regjistruara

IOM: “Aspak efekt frenues”

Modeli i marrëveshjes me Shqipërinë nuk është e vetmja masë restriktive, përmes së cilës qeveria e partisë së ekstremit të djathtë “Fratelli d’Italia” po përpiqet të kufizojë migracionine parregullt: Qëkurse është në pushtet nga tetori i vitit 2022 janë nxjerrë ligje restriktive lidhur me shpëtimin në emergjencë detare. Anijet tani duhet ta përmbyllin misionin e tyre, sapo të marrin në bord personat në nevojë. Më pas ato udhëzohen të lundrojnë drejt porteve të largëta në veri të Italisë, gjë që ua bën më të kushtueshme dhe jo efikase misionet e shpëtimit.

Organizata e OKB-së për Migracionin (IOM) e pyetur nga DW pranon, se gjatë këtij viti ka pasur shumë më pak ardhje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por megjithatë zëdhënësja e IOM shpjegon, se: “Nëse u referohemi ardhjeve të muajve të fundit, që kanë pasur të bëjnë me mot të keq, mund të thuash, se marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë deri tani nuk ka pasur ndonjë efekt frenues. Vetëm gjatë njëmbëdhjetë ditëve të fundit janë regjistruar mbi 3300 ardhje migrantësh përmes rrugëve detare në Itali.”

Zëdhënësja shton, se Europa duke iu referuar numrit të mbërritjeve të migrantëve të parregullt aktualisht është shumë larg situatës së emergjencës të vitit 2015.

Interes i madh – ngjashëm si për modelin britanik me Ruandën

Pavarëvisht problemeve marrëveshja e Italisë me fqinjin përtej Adriatikut, duket se u mirëprit edhe nga qeveritë e tjera europiane; Danimarka, Holanda por edhe politikanë të opozitës në Gjermani preferojnë marrjen në konsideratë të modelit për kanalizimin e migracionit drejt vendeve të treta. Italia është një rast precendet brenda BE-së e me këtë tërhoqi mjaft vëmenden, ashtu si më parë edhe Britania e Madhe. Marrëveshja e Londrës me Ruandën përfundimisht dështoi në verë, pasi qeveria konservatore pati investuar rreth 830 milionë euro.

Lexo më shumë  Protesta për vrasjen e 14-vjeçarit, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Manastirliut

“Vështirësitë ligjore, logjistike dhe financiare – dhe këtë e tregoi edhe modeli i Shqipërisë – janë aq të mëdha, sa në fund i gjithë ky mobilizim burimesh dhe energjish nuk ia vlen”, konkludon Christopher Hein. Kemi të bëjmë me “përpjekje të dështuara, për ta devijuar në mënyrë të gabuar situatën e migracionit dhe azilit, gjë që nuk u shërben as azilkërkuesve dhe as nuk justifikon nevojat e popullsisë për më shumë rregull.”

A do të çojë dëm miliona euro Meloni me strehimoren në Shqipëri?

Edhe për Italinë modeli me Shqipërinë rrezikon të kthehet në një dështim financiar. Qeveria i llogarit kostot e menaxhimit deri në vitin 2029 mbi 500 milionë euro. Ndërkohë është vënë në lëvizje Kontrolli i Shtetit në Itali, vendi i BE-së me borxhe të larta.

Profesori i jurispundencës Hein vëren, se ka dukshëm një disproporcion mes shpenzimeve dhe numrit të azilkërkuesve, për të cilët bëhet fjalë: “Kjo mund të ketë madje edhe pasoja penale.” Kontrolli i Shtetit, sipas Hein, ka edhe kompetencën, që si rezultat i verifikimit të pezullojë shpenzimet e mëtejshme.

Javët e ardhëshme pritet vendimi i Gjykatës së Kasacionit, instanca më e lartë në Itali – lidhur me çështjen, nëse Italia i ka shkelur rregullat europiane në shpalljen e vendeve të origjinës si të sigurta. Edhe nga Gjykata Europiane në Luksemburg pritet vendimi. Eshtë e mundur që së shpejti këto instanca do të vendosin, nëse qeveria italiane do të mund t’i përmbahet modelit të saj me Shqipërinë ose jo./DW

Rruga Press

YouTube player