Lajme

Analiza e BSH: Pse lehtësimi sasior është i vështirë në ekonominë shqiptare

Shpërthimi i pandemisë dhe goditja e rëndë që ajo dha në ekonomi e bëri edhe Bankën e Shqipërisë të shqyrtonte skenarë të mundshëm të aplikimit të politikave monetare jokonvencionale ose të lehtësimit sasior.

Politika të tilla janë përdorur nga autoritetet monetare të ekonomive më të zhvilluara në dekadën e fundit, si përgjigje ndaj krizës së gjatë dhe vështirësive për të nxitur një rritje të shëndetshme të inflacionit me instrumentet kaliske të politikës monetare.

Megjithëse ekonomia shqiptare arriti një rimëkëmbje të shpejtë nga pandemia dhe përdorimi i politikave të lehtësimit sasior për momentin nuk duket se do të jetë i nevojshëm, në analizat e saj banka qendrore e ka studiuar terrenin për aplikimin e tyre. Megjithatë, këto analiza kanë vendosur në dukje vështirësitë e përdorimit të tyre në kushtet e ekonomisë shqiptare. Në një material studimor që pasqyron politikat e Bankës së Shqipërisë gjatë pandemisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka trajtuar edhe çështjet e lidhura me aplikimin e politikave jokonvencionale në kushtet e ekonomisë shqiptare.

Politikat jokonvencionale në ekonomitë e zhvilluara janë zbatuar duke zgjeruar bilancet e bankave qendrore, nëpërmjet blerjes së titujve të tregtueshëm të sektorit publik dhe privat. Në një masë të madhe, këto politika të lehtësimit sasior janë mundësuar nga ekzistenca e një game të gjerë instrumentesh të tregtueshme të sektorit privat. Por, mundësia reale e Bankës së Shqipërisë për përdorimin dhe masën e politikave jokonvencionale kushtëzohet prej strukturës dhe zhvillimit të tregut të kapitaleve në Shqipëri, i cili është shumë i kufizuar.

Lexo më shumë  Takimi me Plenkovic, Kurti: Diskutuam për sigurinë në rajon dhe thellimin e bashkëpunimit në arsim e mbrojtje

Me përjashtim të letrave me vlerë të Qeverisë Shqiptare, ky treg nuk ka instrumente të tjera të tregtueshme të sektorit financiar apo të sektorit privat, të cilat do të mund të bliheshin nga banka qendrore për të mundësuar lehtësimet sasiore dhe zgjerimin e bilancit të Bankës së Shqipërisë.

E thënë ndryshe, zgjerimi i bilancit të bankës qendrore mund të realizohet përmes lehtësimeve sasiore të blerjes së letrave me vlerë të qeverisë në tregun sekondar, deri në momentin kur borxhi publik arrin kufirin e qëndrueshmërisë afatgjatë. Rrjedhimisht, në kushtet aktuale, politikat jokonvencionale praktikisht kanë si kufi të sipërm qëndrueshmërinë e borxhit publik.

Sipas studimeve të cituara në analizë, një tjetër rrezik që lidhet me aplikimin e politikave ekspansioniste të bazuara në zgjerimin e bilancit të bankës është përzierja e politikës monetare me atë fiskale. Blerja e sasive të konsiderueshme të letrave me vlerë në një treg të cekët, me informacion të pjesshëm e rrjedhimisht me risk të lartë, në një ekonomi në zhvillim, e shtyn politikën monetare në territorin e saj fiskal. Përmes mbështetjes së sektorëve të caktuar, duke akumuluar humbjet nga aktivet me rrezik në bilanc, apo financimit të përhershëm të deficiteve fiskale me emision të ri, banka qendrore ia transferon koston taksapaguesve dhe përfshihet de facto në rishpërndarjen e burimeve në ekonomi.

Këto janë arsye të fortë përse studimet argumentojnë se ekonomitë në zhvillim duhet të jenë të kujdesshme në aplikimin e bilancit të bankës qendrore si instrument aktiv i politikës monetare.

Lexo më shumë  Taravari mbajti fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Përtej këtyre kufizimeve, studimi vë në dukje se efektshmëria e politikave monetare të bazuara te bilanci i Bankës së Shqipërisë është një çështje që mbetet për t’u vërtetuar dhe është e vështirë të kuantifikohet madhësia e programeve të blerjes për arritjen e objektivave të dëshiruar të politikës monetare. E vetmja ngjarje që mund të përdoret për vlerësimin e këtyre efekteve hipotetike është rasti i blerjeve të valutës në tregun e brendshëm valutor gjatë viteve 2017-2019. Ndërhyrjet e kryera në tregun valutor për këtë periudhë janë motivuar nga rritja e rezervave valutore dhe më pas nga synimi për të amortizuar mbiçmimin e lekut si shkaktar për mosarritjen e objektivit të inflacionit. Pavarësisht se në të dy rastet e përmendura, politikat e BSH-së nuk kanë pasur si qëllim rritjen e bilancit të bankës si instrument të politikave monetare jokonvencionale, ato janë ngjarja më e afërt me lehtësimet sasiore. Këto ndërhyrje kanë rezultuar në zgjerimin relativisht të shpejtë të bilancit të Bankës së Shqipërisë, rreth 15% në periudhën qershor – nëntor 2018.

Pavarësisht nga rritja e bilancit të bankës dhe rritja e sasisë së parasë në qarkullim, sipas Bankës së Shqipërisë, ndikimi në treguesit realë ka qenë në rastin më të mirë marxhinal. Kjo për arsyen se shkalla e lartë e euroizimit dhe zëvendësimi real i lekut me euron si mjet pagese, bën që zgjerimi i bilancit përmes rritjes së rezervave valutore të ketë kryesisht efekte indirekte përmes kanalit të kursit të këmbimit./MONITOR

YouTube player