Analisti Bielamowicz i drejtpërdrejtë me Lajçakun dhe Escobarin: Mbështetja për Kurtin lajm i keq për ju!
Jakub Bielamowicz, analist i Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor në Institutin e Evropës së Re, u shpreh rreth sondazhit të fundit të realizuar në Kosovë, prej të cilit u nxorrën përfundime për mbështetjen që subjektet politike gëzojnë aktalisht.
Ai vuri në dukje se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka vazhduar të rrisë edhe më tej mbështetjen, pas tre viteve në qeverisje, në 48.5 përqind në total, pa përfshirë votën e mërgatës dhe duke lënë shumë pas partitë e tjera si PDK apo LDK.
Sondazhin ai e ka konsideruar një “testament të fuqishëm të mbështetjes për politikat e Albin Kurtit dhe lajm të keq për Miroslav Lajçakun dhe Escobarin, të cilët do të donin ta shihnin duke ikur”.
Analisti Bielamowicz e thotë këtë në kontekstin e presionit të mëhershëm të ushtruar nga Lajçak dhe Escobar ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Jo rrallë nga ana e të dyve janë dëgjuar deklarata që shfaqnin mospajtim të pa arsyeshëm me qëndresën e Kurtit sa i përket Asociacionit serb.
Nga ana e tyre ka pasur edhe shprehje si “kërkim i bashkëpunëtorëve alternativë” që në publik me të drejtë u lexuan si dëshirë e të dyve për të punuar me një kryeministër të ri të parapëlqyer prej tyre dhe që do i nënshtrohej presionit ndërkombëtar që kishte në thelb minimin e sovranitetit dhe kushtetutës së Kosovës, duke parapërgatitur një “Republika Serpska” të re në veri të Kosovës, e më pas ndarje të vendit.
Sondazhet e fundit tregojnë se Kurti nuk është një individ i vetëm, siç pretendonte më herët Gabriel Escobar, që po i refuzon përpjekjet serbe për shkatërrim të shtetësisë së Kosovës, dhe tregojnë qartazi se qëndrimet e tij janë të qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk pranojnë që “afrimi i Serbisë me Perëndimin” të bëhet në kurriz të shtetësisë së Kosovës, sidomos kur ky afrim nuk është aspak në agjendën e shtetit serb që për interes të vetëm ka aneksim të territoreve në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci dhe Mali të Zi.
Rruga Press