‘Amulli’ te Tatimet/ Është ndërprerë fiskalizimi falas për të vetëpunësuarit?
Të vetëpunësuarit e vetëm janë të shqetësuar, pasi nga 1 janari 2022 nuk po arrijnë të lëshojnë fatura të fiskalizuara nga portali SelfCare, që rezulton i bllokuar për këtë kategori.
Me VKM të datës 24 dhjetor 2020, përcaktohet se portali SelfCare mund të përdoret pa pagesë edhe për subjektet që kanë statusin ligjor “person fizik” dhe kategorinë e punësimit “I vetëpunësuar i vetëm”.
Personat e vetëpunësuar si të vetëm kanë ngritur shqetësimin pranë “Monitor” se nëse provojnë të lëshojnë fatura të fiskalizuara në portal iu njoftohet se referuar ligjit dhe udhëzimeve të faturave nuk kanë të drejtë të lëshojnë fatura në këtë aplikacion.
Administrata Tatimore nuk ka sqaruar deri tani se cilat janë arsyet se pse portali nuk e ofron prej më tepër se 1 muaj shërbimin falas për këtë kategori, ashtu siç është e parashikuar në ligj.
Administrata Tatimore kërkoi që tatimpaguesit që mund të hasin rreth këtij procesi mund t’i drejtohen kanaleve të komunikimit si: Adresa e Help Desk që mund të gjendet lehtësisht e publikuar në faqene e internetit, Shërbimi Tatimpagues pranë çdo Drejtorie Rajonale Tatimore.
Tatimet thonë se do të përgjigen brenda afati 10 ditor që u lejon ligji, ndërkohë që subjektet nuk po arrijnë të kryejnë aktivitetin e tyre të përditshëm dhe as të marrin përgjigje nga tatimet se pse nuk funksionon sistemi.
Edhe në javët e para të janarit bizneset u gjendën në vështirësi për lëshimin e faturave elektronike, pasi sistemi rezultonte i bllokuar. Aktiviteti u bllokua për shumë sipërmarrje që nuk mundën të lëshonin fatura të fiskalizuara për blerje-shitje, pasi nuk shfaqej asnjë e dhënë në platformën qendrore të faturave. Problemet me funksionimin e portalit SelfCare u konfirmuan edhe nga kontabilistët, ndërsa Administrata Tatimore dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk u përgjigjën sërish për arsyet e mosfunksionimit të plotë të sistemit.
Një nga arsyet e mosfunksionimit të sistemit mund të ishte edhe pezullimi nga puna me urdhër të Prokurorisë të gjithë stafit të IT-së të administratës tatimore, pas publikimit të listës të pagave. Javën e kaluar me urdhër të prokurorisë në punë është kthyer vetëm një pjesë e stafit të IT-së.
Sakaq për situatën e krijuar me të vetëpunësuarit eksperti fiskal Ahmet Gjinishi tha për Monitor se është hasur në disa raste bllokimi me persona të vetëpunësuar të vetëm, por që rezultojnë në statusin fillestar të regjistrimit në QKB si të vetëpunësuar me punëmarrës.
“Me të vërtetë këta persona nuk kanë të punësuar në biznesin e tyre, por statusi i hapjes të kompanisë është bërë me punëmarrës. Për këtë arsye këta persona fizik duhet të aplikojnë online në e-Albania për të konvertuar statusin e tyre në të vetëpunësuar të vetëm për të përfituar pas 24 orë shërbimin”.
Sipas ekspertit fiskal Ahmet Gjinishi vendimi për ofrimin e shërbimit falas në portal ngushton rrezen e bizneseve përfituese.
Vendimi i miratuar në mars 2020 përcaktonte se tatimpaguesit që do të përdornin falas portalin SalfCare janë: për tatimpaguesit që kryejnë transaksionet me para në dorë; nuk janë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar; nuk kanë shkelje të konstatuara për moslëshim të kuponit tatimor gjatë 3 viteve të fundit; kanë vetëm një vendndodhje të ushtrimit të aktivitetit (jo nipte sekondare). Për tatimpaguesit që kryejnë transaksione pa para në dorë kushtet janë: nuk kanë shkelje të konstatuara për moslëshim të kuponit tatimor gjatë 3 viteve të fundit dhe kanë vetëm një vendodhje të ushtrimit të aktivitetit (jo nipte sekondare)
Me VKM të 24.12.2020, janë shtuar për përdorim falas të Portalit SelfCare edhe për personat që kanë statusin ligjor “Person fizik” dhe kategorinë e punësimit “I vetëpunësuar i vetëm. Pra përjashtohen të gjitha shpk-të si dhe personat fizik që kanë të deklaruar punonjës të papaguar të familjes ose të punësuar. Kategoria tjetër përfituese janë edhe ato subjekte që kanë përgjegjësi tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël.
Faza I e fiskalizimit nisi zbatimin më 1 janar 2021 për transaksionet pa para në dorë mes sipërmarrjeve dhe enteve publike. Faza II, që nisi më 1 korrik, përfshiu në procesin e ri të faturimit, transaksionin pa para në dorë mes bizneseve. Në këtë fazë u hasën probleme me bllokimin e portalit SelfCare për shkak të mbingarkesës.
Në fazën përfundimtare, që konsiderohet dhe më delikatja, u përfshinë nga 1 shtatori i vitit të kaluar 90,000 biznese të vogla për shitjet me para në dorë. Deri në fund të vitit u realizua gjysma e procesit. Ndërveprimi me bizneset që nuk janë të pajisur me certifikatë elektronike është i pamundur, sipas ekspertëve pasi nuk njihet TVSH-ja e zbritshme. Nga 1 janari 2021 deri tani janë fiskalizuar 57% e totalit të bizneseve. Ndërsa 77% e tyre janë pajisur me certifikatë elektronike./MONITOR