Amnistia fiskale/ Ambasadorja e BE-së: Presim një version të ri që përfshin këshillat tona
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann ka folur lidhur me nismat e amnistisë fiskale dhe pasaportat e arta. Në një intervistë në Euronews Albania, ambasadorja ka treguar çfarë e shqetëson konkretisht BE-në për këto dy çështje.
“Ne kemi sjellë disa ekspertë që janë shumë më të zotë se unë. Unë nuk jam eksperte finance, por ata kanë ardhur dhe kanë dhënë një numër të konsiderueshëm këshillash për qeverinë shqiptare për t’u përfshirë në hartimin e një legjislacion të ri. Një versioni të ri të tij. Kjo është ajo që po presim, një version i ri që të përfshijë këshillat e dhëna. Në këtë pikë nuk mund t’ju them ku janë ‘vijat e kuqe’, pasi nuk e njoh gjendjen aktuale të draft legjislacionit. Jemi në pritje të tij” – tha ambasadorja që më pas ra renditur edhe shqetësimet e Brukeslit për këtë çështje.
“Janë shumë çështje pasi është një legjislacion jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe gjithëpërfshirës. Ju përmendët një prej tyre (pastrimin e parave), por është edhe çështja e ekstra-territorialitetit, çështja e zbatueshmërisë. Është një sfidë e madhe praktike, por edhe ligjore, por siç e thashë kemi ofruar këshilla dhe tani çështja është si do të hartohet një draft i ri i legjislacionit. Ekspertët do ta shohin përsëri dhe nuk është vetëm Komisioni Evropian, por edhe MoneyVal që do ta shohë dhe do të japë këshilla” – tha Hohmann.
Ambasadorja i është përgjigjur kryeministrit Rama edhe për deklaratën e bërë pak ditë më parë ku kërkoi publikisht më shumë fonde investimesh.
“Nuk jam dakord me këtë. Shqipëria, në fakt, merr mesatarisht 100 milionë euro mbështetje në vit në formë grantesh apo projektesh. Shumë gjëra po ndodhin dhe çdo shqiptar mund ta shohë se BE ka vite që është këtu, janë ndërtuar rrugë, por mund ta shihni edhe në sektorin bujqësor, në rindërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, pra është në vazhdimësi.
Shqipëria po merr ato që mund të vërë në zbatim, se vërtet mund të merrni shumë, por çfarë mund të vihet në zbatim dhe të ndërtohet vërtet, të rindërtohet, të realizohet në vend. Ne po punojmë fort për të bërë sa më shumë këtu në Shqipëri”, – tha ndër të tjera ambasadorja e BE.
Rruga Press