Ambasadorja amerikane në OKB “godet” Putinin: Dëshiron ta kthejë botën në kohën e perandorive
Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është duke mbajtur mbledhje urgjente pas situatës së krijuar gjatë mbrëmjes së djeshme në Ukrainë.
Në mbledhjen e Këshillit, amabsadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield ka kundërshtuar ashpër veprimet e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili njohu pavarësinë e vetëshpallur të dy rajoneve brenda territorit të Ukrainës, raporton Guardian.
Greenfield ka përmendur edhe vendimin e Putinit për të dërguar trupat ruse brenda Donetskut dhe Luhanskut (rajone në lindje të Ukrainës).
Edhe pse Putini i është referuar dërgimit të trupave ruse si “misione paqeruajtëse”, ambasadorja amerikane në OKB i ka quajtur deklaratat e Putin si “të pakuptimta”.
“Kjo është e pakuptimtë. Ne të gjithë e dimë çfarë janë ato misione në të vërtetë”, ka deklaruar Greenfield.
Ajo ka thënë se asnjë shtet nuk duhet të qëndrojë indiferent ndaj veprimeve të Rusisë, pasi sipas saj Putini “dëshiron ta kthejë botën mbrapa në kohë”.
“Putini dëshiron të udhëtojë mbrapa në një kohë kur perandoritë kanë drejtuar botën. Nuk jemi në vitin 1919”, ka deklaruar ajo.
Në fund, ajo ka thënë se pasojat e veprimeve të Rusisë në Ukrainë do të kenë ndikim të tmerrshëm në të gjithë botën.
Rruga Press